Në vendin ku jetojmë, shpesh jemi “të detyruar” me u përshtatë në situata të ndryshme, ku bëjnë pjesë edhe rrenat, që shpesh edhe pa vetëdije ja lëshojmë njëritjetrit, prindërve, arsimtarëve, klientëve, por edhe vetvetes.
Ma poshtë janë top 10 rrenat më efektive të cilat secili prej juve, së paku nji herë në jetë i keni përdorë, bashkë me udhëzimet se qysh me i përdorë edhe ma mirë.
- U kry
Përdoret zakonisht kur je për ngutë, ose do me u tregue i sigurt, i vendosun edhe burrënor, në një ambient në prani të shefit edhe kolegëve. Ky gjest tregon vendosmërinë të cilën nuk e ke, edhe është e garantueme se ke me harrue premtimin hala pa dalë mirë prej dhomës. Nuk përdoret për gjana që vërtet i ke krye, por për gjana që “ke me i krye” në një të ardhme jo shumë të largët, zakonisht 3-4 ditë.
Kur të konfrontojnë se pse nuk e ke krye punën as mbas disa ditësh (a muajsh, a javësh), përdore njanën prej rrenave 7, 6, 5, 3 ose 1.
Shembull efektiv përdorimi:
Bac, u kry!
- S’ka problem
Përdoret zakonisht nga persona që kanë dëshirë me u tregue profesionistë apo me autoritet, por që në fakt dojnë veç me të heqë qafe. Të garantueme e ke që problemet e panumërta kanë me dalë në ditët në vijim.
Shembull efektiv përdorimi:
S’ka problem, bileta e juaj e aeroplanit dhe pushimi all inclusive u konfirmua.
- Di me e ba
Përdoret në momente kur njerëzit rreth teje janë duke u mahnitë me ndonji teknologji të sofistikuar apo fenomen të pashpjegueshëm, edhe ti je i sigurt që asnji prej tyne nuk e ka idenë se si funksionon ai objekt apo ajo dukuni. Zakonisht ka të bëjë me raketa, aeroplana e robota, ose me montazha në Photoshop edhe efektet speciale të filmave.
Shembull efektiv përdorimi:
Eh, kur kam ba unë kësi…
- Mu ka prishë kompjuteri/thyer passwordi
Rrena e krijuar enkas për çështje që kanë të bajnë me Teknologji Informative (IT), prej moskthimit të nji emaili (apo dërgimit të një emaili gabimisht), deri te moskryerja e ndonjë pune që bëhet vetëm me kompjuter.
- M’dul një punë
Për ata që dëshirojnë me u ndje shefa, menaxhera ose pjesë ekzekutive e kompanisë apo familjes, kjo frazë përdoret për mos me i dhanë llogari personave me rang më të ulët në hierarki, konkretisht punëtorit ose fëmijës. Ata burra që kujtojnë se edhe grueja është më të ulët në hierarki, munden me përjetue pasoja të tmerrshme nëse e përdorin këtë frazë në to. Pregatituni me e spjegue punën në fjalë hollësisht, nëse e përdorni në gjysmën tuej ma të bukur.
Shembull efektiv përdorimi:
E kam nji punë me njanin në nji ven’ për nji sen’.
- Telefonin në “silent”/alarmi ish ndalë
Vonesat në shkollë, punë ose në veprimtari sociale zakonisht përcillen me këtë shprehje. Duke qenë se gjithkujt i ndodh edhe është gati e pamundun me e verifikue, kjo zakonisht pranohet me një fryemje hundësh edhe shikim të me bisht të synit.
Shembull efektiv përdorimi:
Isha në takim të randësishëm / varrim / mbledhje të prindërve / orë mësimi, edhe kisha harrue që e kam lanë në silent.
- Jam helmue/me grip
Mungesat në shkollë, punë ose në veprimtari sociale zakonisht përcillen me këtë shprehje. Duke qenë se është shumë fleksibile nëse e merr parasysh papritshmërinë e helmimit edhe gripit, kjo shquhet për spontanitetin e saj edhe lehtësinë me u thanë.
Shembull efektiv përdorimi:
S’di as vetë pse e hangra atë byrek aty / pse vozita me xhama të hapun.
- Kam mysafirë/mjeshtër
Efektive për heqje të shpejtë qafe, refuzim daljeje ose pranimi mysafirësh. Duke qenë se jetojmë në një shoqëri ku mysafirët e kanë shprehi me ardhë pa paralajmërim (edhe më së shpeshi në momentet më të këqija), është gati e paverifikueshme, vetëm nëse e merr mundin me i shku personit në fjalë te dera, ose me e shiku brenda shtëpisë prej dritares.
Shembull efektiv përdorimi:
M’erdh nji kusheri që jeton në Leipzig, as s’e kisha idenë që është këtu për pushime. ose
Mezi e zuna mjeshtrin mbas dy muajsh.
- Jam nisë/duke ardhë
E përdorun ma së shpeshi për vonesa të vogla, posaçërisht nëse të ndodhin të paprituna që nuk i pret, pra, se janë të paprituna, edhe ndodhin pak para se me dalë prej derës së shtëpisë. Këto përfshijnë: mosgjetjen e çelësit të veturës, këmisha/fustani i pahekurosun në sekond të fundit, ndalja e rrymës sa je duke i terë flokët, ndalja e ujit sa je duke i fërkue flokët, e të ngjashme.
Zakonisht, kur komunikohet, kjo përcillet me zhurma të motorrit të veturës në prapavi (që i bën vetë me gojë), për me u dukë se je në rrugë.
Shembull efektiv përdorimi:
Jam te semaforat.
- Kam rast vdjekjeje
Kjo është bindshëm rrena më efektive dhe univerzale që ekziston, duke i marrë parasysh madhësitë e familjeve shqiptare. Ne jemi popull që i kemi ma shumë se nga 36 gjyshe, të cilat na vdesin nga së paku 9 herë në vjet, e që janë të shpërndame nëpër bot. Poashtu, me këtë rrenë arsyeton periudha kohore prej 2 ditësh deri në një javë të plotë, varësisht sa i afërt me ty është personi që ka “vdekë”.
Më e bukura është mënyra se si reagon pranuesi i saj, i cili e merr me keqardhje dhe mirëkuptim, sa që, nëse e përdor mirë, mundesh me i përfitue edhe dy ditë shtesë. Mëso prej krokodillave.
Shembull efektiv përdorimi: Shumë më ka dashtë. Kemi qenë shumë të afërt. S’e ke idenë sa jam mërzitë./mesazhi/