Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*
Në Francë dhe në disa vende evropiane kanë shpërthyer prej disa javësh protesta intensive të “Jelekëve të Verdhë”, të shoqëruara me plaçkitje dhe zjarrvënie. Sipas autoriteteve zyrtare, vetëm gjatë fundjavës së kaluar në Francë u plagosën qindra protestues dhe u arrestuan mijëra të tjerë në demonstratat, të cilat lanë gjithashtu disa të vdekur.
Çfarë po ndodh në Evropë? Në shumë nga artikujt tanë të mëparshëm, kemi tërhequr vëmendjen se Evropa po iu kthehet politikave introverte dhe po kalon një periudhë si ajo përpara Luftës II Botërore. Ne kemi shprehur nevojën për të kërkuar më në thellësi arsyet e sulmeve dhe reagimeve në rritje të përditshme, të cilat shfaqen në formën e antimigracionit, ksenofobisë, islamofobisë dhe antisemitizmit. Ne kemi theksuar me ngulm se problemi esencial nuk ka të bëjë me emigrantët, por me Evropën vetë, e cila i shmanget ballafaqimit me vetveten duke fajësuar emigrantët ose myslimanët. Kemi thënë se problemi ka të bëjë me të ardhmen e Evropës dhe se Evropa është ajo që do të vendosë nëse do të bëhet “një Evropë që prodhon vlera nëpërmjet BE-së”, si në të kaluarën e afërt, apo “një Evropë që i dorëzohet fashizmit dhe nazizmit të kodifikuar në gjenetikën e saj politike”. Në këtë pikë, ne kemi insistuar që nesër do të jetë tepër vonë nëse qarqet liberale evropiane nuk ngrenë zërin e tyre.
Protestat në Francë
Demonstratat në Francë po nxjerrin në pah pak nga pak atë se arsyeja që mbyllja në vete e Evropës, antimigracioni, urrejtja dhe diskriminimi po bëhen të zakonshme, ka të bëjë me vetë Evropën. Reagimi në protestat e “Jelekëve të Verdhë” nuk u drejtohet emigrantëve dhe as nuk vjen nga emigrantët. Shkaqet e reagimeve janë dështimi për të fituar mjaftueshëm nga proceset e globalizimit, recesioni ekonomik dhe pritjet e francezëve për të ruajtur mirëqenien e tyre të mëparshme. Por tani, ekonomitë e tjera në zhvillim dhe zhvillimet e tjera globale e bëjnë pothuajse të pamundur jo vetëm për Francën, por edhe për vendet e tjera evropiane që të ruajnë mirëqenien e mëparshme dhe praktikat e vjetra të shtetit social.
Ngjarjet dhe media
Ende nuk është harruar se pothuajse të gjitha mediat botërore ngritën kampet e tyre, transmetuan direkt për orë të tëra dhe se si lavdëruan e gati sa nuk i shpallën heronj demonstruesit gjatë protestave “Gezi” të vitit 2013 në Stamboll. “Vajza me shall të kuq” dhe “njeriu në këmbë” janë simbole ende të freskëta në kujtimet tona. Filmimet e tyre të ekzagjeruara, mediat i transmetuan me kritika të forta për të drejtat e njeriut kundër policisë dhe Turqisë.
Ndërsa protestat e “Jelekëve të Verdhë” në Paris u mbuluan shumë pak nga kanalet mediatike botërore dhe kritikat kundër përdorimit të forcës së tepruar apo shkeljeve të të drejtave të njeriut nga policia në këto demonstrata, ku morën pjesë gjithashtu nxënës të shkollave të mesme, pothuajse nuk u panë fare në shtyp.
Çfarë duan “Jelekët e Verdhë”?
“Jelekët e Verdhë” i kanë publikuar kërkesat e tyre duke i renditur ato në 42 pika, njëlloj si manifesti i një force politike. Këto kërkesa kanë shkuar prej kohësh përtej vetëm tërheqjes së taksës shtesë mbi çmimin e karburanteve. Ata paraqesin një sërë kërkesash politike, sociale, administrative dhe ekonomike, të cilat mund të realizohen vetëm nga një forcë politike, duke filluar nga kostoja e lartë e jetesës në uljen e taksave, nga përmirësimi i kushteve të punës në masat për emigrantët dhe nga Kodi Zgjedhor e deri te kthimi në mandatin 7-vjeçar për presidentin e vendit.
Të përmbysësh pushtetin në rrugë, jo në kutitë e votimit…
Sigurisht, reagimi demokratik është një e drejtë. Në shoqëritë demokratike mund të shprehen të gjitha llojet e kërkesave. Dhe për këtë qëllim, liria e tubimit dhe demonstrimit mund të përdoret deri në fund. Me këtë mënyrë, qeveritë mund të detyrohen për të mbajtur zgjedhje. Përdorimi i forcës së tepruar kundër reagimeve demokratike dhe shkeljet e të drejtave të protestuesve, natyrisht, janë krime.
Megjithatë mënyra për të ndryshuar pushtetet politike në vendet demokratike është e qartë. Pushtetet politike të padëshiruara në demokraci përmbysen në zgjedhje, jo në rrugë. Rrëzimi i pushteteve politike jo në kutitë e votimit, por në rrugë duke plaçkitur, djegur e shkatërruar dyqane/biznese, apo dhe duke sulmuar njerëz të pafajshëm, sjell vetëm anarki dhe fashizëm. Edhe pse në këtë periudhë fitues nga kutitë e votimit në Evropë po del kryesisht fashizmi, është e paparashikueshme se deri ku mund të shkojnë lëvizjet e rrugëve që transformohen në vandalizëm.
Trashëgimia e revolucionit francez për njerëzimin
Franca, për fat të keq, është një vend që i ka shkaktuar vetes dhe njerëzimit shumë vuajtje/dhimbje në aspektin e rezultateve të lëvizjeve të rrugëve. Dihet që revolucioni francez, i cili filloi me idealet për “liri, barazi dhe vëllazëri”, përfundoi me masakrat e njëpasnjëshme dhe gijotinat më serioze me të cilat është përballur ndonjëherë njerëzimi. I nxitur nga ky revolucion, nacionalizmi gjithashtu vazhdon të përçajë të gjithë botën ende sot e kësaj dite. Teksa janë në ekstazë për fitimin e pavarësisë, përçarja e njerëzve me identitetet dhe shtetet e tyre të reja i bën ata më të lehtë për t’u qeverisur dhe sunduar.
Iluminizmi francez po ashtu i ka dhuruar njerëzimit një vizion grindavec arrogant, i cili margjinalizon çdo gjë që nuk i duket racionale dhe bekon këndvështrimin e tij për t’iu dorëzuar racionalizmit konstituiv të arsyes. Po të kujtojmë se betejat më të përgjakshme, vdekjet më të shumta dhe gijotinat më çnjerëzore të historisë së njerëzimit janë dëshmuar në periudhën e arsyes “së ndriçuar”, nuk është e vështirë të imagjinohet se në ç’lloj frankenshtajni mund të transformohet arsyeja e ndriçuar kur shkëputen të gjitha lidhjet vetëkufizuese si tradita, morali, feja, Zoti dhe institucionet e ndërmjetme. Sot të gjithë janë të shqetësuar me të drejtë në lidhje me orvatjet për të krijuar një njeri artificial duke modifikuar embrionin human. Në këtë proces, i cili mund të sjellë fundin e njerëzimit, i pamohueshëm është vendi i iluminizmit francez që nxit abstraktimin e mendjes nga të gjitha vlerat. Te njeriu artificial tashmë nuk nevojitet më as mendja/arsyeja e njeriut.
Analiza e revolucionit francez dhe e iluminizmit, sipas mendimtarit të famshëm britanik, Edmund Burke, është mjaft domethënëse. Në librin e tij “Reflektime mbi Revolucionin në Francë”, botuar në vitin 1790, ai kritikonte iluminizmin dhe frytin e tij: Revolucionin francez. Burke potenconte se kjo lëvizje shkatërroi vlerat themelore që mbanin shoqërinë të bashkuar, siç ishin feja, morali dhe struktura e familjes, për t’i hapur rrugën terrorit dhe anarkisë, duke tërhequr vëmendjen mbi rezultatet fatale që do të shkaktonte përligjja e rrëzimit të pushtetit në rrugë. Përfundimisht, ai e konsideronte iluminizmin si “lëvizje shkatërruese të mendjes/arsyes njerëzore”. Siç theksohet edhe nga politologu turk, Berat Ozipek, kur Burke vinte në dukje këto fakte, jakobinët nuk e kishin marrë ende pushtetin dhe parimet e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë nuk ishin përgjakur ende. Në gijotinë përfunduan jo vetëm kleri dhe aristokracia, përfshi këtu mbretin e mbretëreshën, por edhe mijëra njerëz të zakonshëm. Politikani francez, Maximilien Robespierre, nuk i ekzekutoi rivalët e tij të moderuar me anë të “menaxhimit të virtytshëm të terrorit”. Pas këtyre ekzekutimeve, vetë Robespierre nuk u ekzekutua gjithashtu.
Një valë e re paligjshmërie duket se do të përhapet dallgë-dallgë edhe një herë nga Franca në botë. Kjo paligjshmëri ka potencial të shkaktojë dëme serioze në shumë vende dhe shoqëri, përfshi këtu edhe shtetet e tjera perëndimore. Po, nëse ngjarje të ngjashme ndodhin në Turqi apo në shoqëri joperëndimore, ato hiperbolizohen, protestuesit idealizohen, ndërsa shtetet dhe shoqëritë ku ndodhin ngjarjet poshtërohen. Megjithatë ne s’mund të themi “mirë t’u bëhet”, pasi mësuesit tanë nuk janë as Perëndimi dhe as francezët. Sidoqoftë, pavarësisht synimeve të tyre imperialiste, neve na takon të jemi të drejtë madje dhe karshi shteteve perëndimore, të mendojmë gjithashtu për shoqëritë perëndimore dhe njerëzimin në tërësi.
*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara
Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara