Të Fundit
Në emër të familjes!

Në emër të familjes!

“Liria është e drejta e çdo njeriu për të besuar atë që dëshiron, për të folur atë që ka në zemër, për të shkruar atë që ka në mendje dhe për të bërë atë që i pëlqen, me kusht që të mos dëmtojë asnjë njeri tjetër”.

Faik Konica

“Liria është që mos të të trazojë njeri ty, dhe ti mos trazosh të tjerët. Mejtojeni mirë këtë fjalë, se gjithë lumj’e e njeriut (lumturia e njeriut – Z.I.) aty është. Se s’është liria – siç e pandehin ca njerës – që të bëjë njeri çdo gjë q’i do qejfi! Liria është me të mos trazuar tjatrin”

Mid’hat Frashëri

Kjo verë në Maqedoninë e Veriut ia ka filluar mbrapsht. Pasi që dështoi data për fillimin e negociatave për aderim në BE, mbase për ta dhënë testin e fundit për këtë leje, në Shkup u organizua e a.q. “parada e krenarisë”, për të mbrojtur të drejta ta parrezikuara dhe për të krijuar agjenda të paqena, gjithë kjo në emër të ndonjë lirie të shpifur, duke e dëmtuar seriozisht lirinë e të tjerëve në këtë vend. Kjo i bie se në këtë shtet nuk ka diskriminim etnik, religjioz, social e kulturor, por paskemi diskriminim gjinor. Andaj u ngritën plot vendorë e ndërkombëtarë e një rrëmujë “krenarësh” të krejt rajonit e më gjerë, që të vijnë në Shkup e ta mbrojnë komunitetin, realisht të parrezikuar, LGBT, në kërkesat e veta, siç janë sanksionimi i martesës homoseksuale dhe adoptimi i fëmijëve nga çiftet homoseksuale.

Ç’është e vërteta, kundër kësaj zallamahie të panevojshme e të zhurmshme pati edhe reagime korrekte e të argumentuara nga një parti politike, nga Myftinia e Shkupit, ndërsa pati reagime edhe nga OJQ e organizata të tjera me orientim konservator. Sidoqoftë, kjo nuk është një temë që ka përfunduar. Andaj po i qasemi edhe këtu, me synim që – të paktën – të jetë ky një debat mbi këtë çështje, ndërsa ky shkrim do të ishte i suksesshëm nëse ia del të zgjojë edhe pak ndërgjegjësim.

Liria si kufi

Dy thëniet e mësipërme legjendare të Faik Konicës e të Mid’hat Frashërit, se liria nënkupton edhe që mos ta cenosh lirinë e tjetrit, janë argumenti i parë se pse sanksionimi juridik i martesave homoseksuale dhe i së drejtës së adoptimit të fëmijëve nga çifte të tilla nuk do të ishte diçka e pëlqyer në mjedisin tonë. Në një ambient ku martesa (kujdes për nocionin!) nuk është vetëm një kontratë e thjeshtë sociale, porse është edhe një bashkësi e bekuar me një rit religjioz (qoftë ai islam ose kristian), ta quash martesë bashkësinë homoseksuale është cenim i lirisë së njerëzve që besojnë se martesa ka edhe dimensione metafizike. Kjo është ngjashëm sikur pagëzimin ta përdorësh në kontekst të emërtimit të një fëmije të adoptuar nga prindër homoseksualë. Dihet se fëmijët në traditën shqiptare vijnë me rit të pagëzimit ose të këndimit të ezanit në vesh gjatë emërtimit, ashtu që edhe roli i prindit nuk është vetëm një rol i kujdestarit që e ka një i rritur ndaj një të mituri, por është një spektër i gjerë i dashurisë, mëkimit, bekimit dhe bindjes se Zoti, siç thotë Khalil Gibran-i, i sjell në botë njerëzit, pra fëmijët, përmes disa njerëzve të tjerë, gjithnjë sipas një urtësie të mistershme. Nisur nga kjo, t’i quash bashkëshortë ata që janë vetëm partnerë seksualë dhe ta quash babë a nënë dikë që nuk ka dashur të jetë prind në kuptimin tradicional, ky është ofendim ndaj familjes tradicionale, çfarë është edhe kjo në Maqedoni, e veçanërisht ndaj familjes konservatore shqiptare.

Natyrisht, kjo nuk nënkupton që shteti të mos gjejë mekanizma të tjerë që njerëzit e tillë të mund të vetëralizohen dhe në asnjë rast nuk do të doja të flisja për masa që e pengojnë lirinë e tyre, por nuk më duket fare e drejtë që ata t’i përdorin termat tradicionalë të organizimit social vetëm sepse kështu u vjen më mbarë atyre dhe vetëm sepse ata nuk kanë prodhuar terma të tjerë për realizimin e lirisë së tyre.

E drejta zakonore si bazë e lirisë

Një element i rëndësishëm për ndërtimin e normave juridike të një vendi, përveç dispozitave të përgjithshme juridike, është edhe tradita e së drejtës zakonore, që detyrimisht vjen në shprehje gjatë ndërtimit të normave juridike të një shteti. Nuk ka asgjë që mund të jetë njësoj e mirë për secilin vend. Aq më pak normat juridike. Prandaj, është për t’u habitur që dikujt në një shoqëri kaq konservatore t’i vendosen norma juridike (për çështjen e familjes) të një shoqërie liberale, të cilat nuk janë të pranuara aq lehtë e aq mirë edhe në vende me demokraci shumë më liberale se te ne.

Në të vërtetë, të pretendosh se përvojat sociale të një vendi janë koherente me secilin vend, ky është totalitarizëm i ngjashëm me atë të marksistëve ekstremistë, si puna e Stalinit, ose si puna e ekstremistëve të Ebu Bekër el-Bagdatit, që pohonin se vetëm komunizmi sovjetik, përkatësisht islamizmi i tipit të ISIS-it, janë njësoj të vlefshëm për organizimin shoqëror të gjithë botës. Çdo popull dhe çdo vend i ka normat e veta zakonore dhe ato duhen respektuar. Prandaj, derisa ky parim pranohet në gjithë botën e qytetëruar, nuk di pse ne duhet të jemi përjashtim. Integrimi në Bashkimin Europian, që nënkupton edhe harmonizim me të drejtat e njeriut, nuk duhet të jetë në stilin “duke i rregulluar vetullat, t’i nxjerrim sytë”, pra “të kujdesemi për një komunitet shumë të vogël, duke e diskriminuar një komunitet absolutisht të madh”. Pra, derisa jetojmë në një botë pluraliste, nuk mund të kërkojmë e të lejojmë që dikush të diskriminohet për shkak të bindjeve të veta, qofshin ato edhe të a.q. orientime gjinore. Nuk do të ishte e drejtë që në përpilimin e normave juridike të një vendi të mos e respektojmë edhe traditën e shumicës absolute të shoqërisë aty. Nëse kushtetuta dhe ligjet bëhen për njerëzit, atëherë ato nuk do të duhej të jenë tekste të imponuara nga përvoja të huaja dhe në kundërshtim me ata njerëz për të cilët bëhen, por do të duhej të ishin dokumente koherente që i afirmojnë vlerat pozitive të tyre, duke i sanksionuar në norma juridike.

Familja si bërthamë e organizimit shoqëror

Problemi më i madh i fushatës “PRO LGBT” është se ajo e sulmon në mënyrën më brutale celulën e shoqërisë sonë – familjen, duke e tjetërsuar identitetin shekullor të kësaj bërthame shoqërore. Kështu, sipas tyre, familja (edhe me ligj) nuk do të sanksionohet më si “bashkësi mes një burri dhe një gruaje, që mund të jenë prindër të fëmijëve”, por lë hapësirë që familje të jetë edhe bashkësia mes dy personave të gjinisë së njëjtë dhe ata, madje, të mund të adoptojnë fëmijë, që – ndonëse quhen ashtu – nuk e dinë a janë fëmijë si gjithë të tjerët dhe kë e kanë baba e kë nënë. Në fakt, sulm të ngjashëm ndaj familjes kishte bërë edhe komunizmi, kur synonte që femrat të jenë “gra që lindin fëmijë” (pra, të mos kishte më nëna) dhe, në anën tjetër, të ketë ente që kujdesen për ata fëmijë, sepse gruaja duhej të punonte e t’i shërbente shtetit. Por, të dhënat empirike flasin se kjo dështoi, pos tjerash, edhe pse si asnjëherë më shumë, ata fëmijë ishin (vetë)vrasësit më të shumtë potencialë në botë, duke mos pasur asnjë fije dhembshurie e mëshire (as për vete). Në një trajtë tjetër këtë e synon edhe shoqëria liberale, ku fëmijët nuk është e rëndësishme se me çfarë rruge vijnë në jetë dhe ku ka ente që kujdesen për edukimin dhe rritjen e tyre, sepse gratë duhet të vrapojnë pas karrierave pavarësisht nëse duhet t’i braktisin edhe fëmijët që vetë i kanë lindur. Madje, shoqëria liberale këtë e ka çuar më tej, duke mundësuar që fëmijë të kenë edhe çiftet homoseksuale, duke i konsideruar fëmijët, mbase, si qenushët e macet, që e plotësojnë zbrazëtinë në shtëpi dhe që bëjnë “pak zhurmë nëpër banesë”. I dimë pastaj pasojat kundrejt natalitetit, më saktë mortalitetit, dhe nevojën për emigrantë në Perëndim, me krejt pasojat e tjera fatale që i shoqëron kjo dukuri.

Kur këtë perceptim e kundrojmë në atë që paraqet familja në shoqërinë tonë, i bie të themi se ne jemi të atakuar seriozisht që ta humbim edhe istikamin e fundit të mbrojtjes së identitetit tonë. Sikur kjo të ishte dëshmuar si diçka e suksesshme dhe mënyrë e krijimit të lumturisë në vendet prej ku importohet, mbase edhe do ta kishim diskutuar, por një ves shoqëror, që e ka humbur kuptimin e nocionit familje dhe ku kafshët shtëpiake janë bërë më të rëndësishme se fëmijët, nuk di sa është model i mirë që të përqafohet në realitetin tonë konservator, pos nëse synohet që kështu të bëhen eksperimente sociale.

Ashtu si te shumë parti konservatore në Europë dhe SHBA, edhe në Ballkan – ku elementi konservator është kaq shumë i theksuar – mbrojtja e familjes është një detyrë e shenjtë dhe, rrjedhimisht, sulmi ndaj saj është gati si një sulm ndaj një tempulli religjioz, që e realizojnë ekstremistët e ndryshëm gjithandej nëpër botë.

Homoseksualizmi si derivat i ateizmit

Ndonëse në botë gjen plot homoseksualë që pretendojnë se janë religjiozë, madje gjen edhe klerikë të tillë, ajo që duhet të dihet e që e nuk e shpikim ne, është se homoseksualizmi – në të vërtetë – është i ngritur mbi ateizëm. Derisa për besimtarin gjinia është përcaktim i Zotit, me misterin e baraspeshës gjinore në botë, për një harmoni absolute të qenieve, gjë që e bën atë ta pranojë këtë vendim të Perëndisë, për ateistin gjinia nuk është përcaktim hyjnor, nuk ka asnjë urtësi metafizike, por është thjesht liri individuale, e ardhur nga moderniteti racionalist, që ia njeh njeriut këtë të drejtë dhe që nuk i njeh asnjë primat Zotit mbi njeriun. Liria është metanaracion i modernitetit – në kuptimin e From-it – është zhytje në ankth, ku njeriu burgoset në lirinë e tij. Njeriu, si i tillë, është i detyruar të refuzojë gjithçka që është krijuar, të krijojë gjithçka me arsyen e vet dhe pastaj ta legjitimojë atë që më parë e ka krijuar arsyeja. Në të kundërtën, besimtari ia njeh arsyes vetëm funksionin njohës të asaj që e ka krijuar Zoti dhe jo arsyeja e tij. Prandaj, sado që homoseksualëve ndonjëherë u shkon mendja të ndërtojnë edhe kisha për homoseksualë ose të organizojnë iftare, kjo nuk i bën më religjiozë derisa ata besojnë se gjinia është liri individuale e njeriut dhe jo caktim i Perëndisë. Dhe, mund të mos ketë asgjë të keqe që të jetë kështu në një shoqëri liberale, me shumicë të konsiderueshme ateiste, por në një shoqëri kaq religjioze, siç jemi edhe ne, të promovosh standarde me burim ateist, është sulm ndaj bindjeve të shumicës dhe tejkalim i lirisë ose cenim i lirisë së tjetrit. Derisa nuk pranohet mirë kur besimtarët mundohen ta uzurpojnë hapësirën e përbashkët publike me rite religjioze dhe kur kërkojnë sanksionim të bindjeve të tyre religjioze edhe në norma të organizimit formal shoqëror, nuk mendoj se është e drejtë që edhe derivateve ateiste t’u lejohet të bëhen norma formale publike, sado që kjo mund të ofrohet si vlerë, si standard europian ose si progres. Megjithatë, kjo mbetet imponim dhe abuzim me fuqinë politike e mediale për të vendosur standarde të kundërta me vullnetin e përgjithshëm në një shoqëri. Këtu po kujtojmë se deri më 1990 Organizata Botërore e Shëndetësisë, në Klasifikimin Ndërkombëtar të Statistikave të Sëmundjeve dhe Problemeve lidhur me Shëndetin, e ka konsideruar homoseksualizmin si sëmundje. Ndërkaq psikiatria ende vazhdon t’i trajtojë homoseksualët si “pacientë me çrregullime të pasionit seksual”.

PRO integrimit, por jo në dëm të familjes

Është e pamohueshme se të gjithë popujt e Ballkanit e kanë të përbashkët ëndrrën e integrimit në Bashkimit Europian, kjo si nevojë për demokraci, drejtësi, siguri dhe mirëqenie sociale. Por, nuk është e drejtë që BE-ja, përmes kësaj prirjeje që e kemi ne ndaj integrimit, të na imponojë dukuri që në mjedisin tonë konsiderohen vese. Të qenit europianë nuk duhet të fillojë prej pasionit seksual. Sipas meje, europian nënkupton të jetosh me vlerat europiane të lirisë, pa e cenuar lirinë e tjetrit – siç synohet tek ne. Në të vërtetë, ka plot vlera europiane që mbeten pa u aplikuar dhe askush nuk çan kokë për to, ndërsa për vesin e homoseksualizmit bëhet kaq bujë e zhurmë. Në shtete ku drejtësia lëkundet kaq seriozisht, siç e kishim rastin e fundit edhe të Prokurorisë Speciale te ne, ku ka nevojë për Gjykatë Speciale (Kosovë) e për veting të gjykatësve (Shqipëri), t’ia fillosh europeizimin nga tema e seksit, kjo është poshtërim i inteligjencës së këtyre popujve të përvuajtur dhe me të cilët janë bërë kaq shumë eksperimente. Nëse Europa e ka kusht të patjetërsueshëm që ne të bëhemi europianë me kusht që ta pranojmë homoseksualizmin si normë juridike kushtetuese ose ligjore, që do të mundësojë edhe martesa homoseksuale dhe fëmijë të adoptuar për homoseksualë, mbase do të duhet ta falënderojmë dhe t’i themi se nuk kemi interes për aso Europe. Vërtet për ne mund të bëhet keq pa BE-në, por edhe më keq mund të bëhet me BE-në e të tjetërsuar.

Pas këtyre argumenteve, ajo që na bie të konstatojmë është se propaganda pro LGBT është një fushatë e shpifur, sepse askush nuk e rrezikon askënd që të bëjë çfarë të dojë në jetën e tij private. Më saktë, ajo është një temë me të cilën mbulohen temat e varfërisë, korrupsionit, padrejtësisë, krimit dhe zhvatjes. E përveç kësaj, ajo është një shpatë që na godet neve si komunitet tradicional, që e kemi ruajtur këtë truall dhe këtë vend vetëm në saje të mbrojtjes së këtyre vlerave tradicionale, vetëm në saje të familjes dhe vetëm në saje të mbrojtjes së moralit tonë tradicional. Ashtu siç nuk kemi të drejtë ta diskriminojmë askënd, pra as homoseksualët, aq më pak është korrekte ta diskriminojmë një shoqëri të tërë konservatore për shkak të një përqindjeje të papërfillshme, që e pandeh veten liberale.

Liria është mjet që qenia të vetërealizohet, por nuk duhet të jetë mjet që të tjerët – që mund të jenë më të dobët – të diskriminohen. Liria e mendimit dhe e shprehjes është postulat universal që duhet mbrojtur me fanatizëm dhe secili duhet të gëzojë një të drejtë të tillë, duke ia njohur të drejtën dhe lirinë secilit për të menduar dhe shprehur lirshëm. Por, propaganda për një përvetësim të njëanshëm të këtij postulati, nga grupe që përpiqen të vetëmargjinalizohen, e rrezikon harmoninë shoqërore dhe, madje, edhe organizimin politik.

Nëse homoseksualët dhe lobi i tyre sot janë kaq të fuqishëm në ndërtimin e opinionit publik, kjo nuk do të thotë se e kanë me vete edhe të drejtën dhe të vërtetën absolute që edhe familjen ta përvetësojnë dhe ta standardizojnë si duan ata, edhe prindërinë ta riformulojnë siç duan ata dhe të na thonë se të gjithë ne e kemi gabim dhe jemi anakronikë dhe se ata kanë të drejtë. Fundja, cili do të ishte kuptimi i lirisë nëse nuk kemi të drejtë së paku të shprehemi se çka mendojmë?!

Kjo verë në Maqedoninë e Veriut ia ka filluar mbrapsht. /shenja/

Shkruan: Zeqirija Ibrahimi