Kurrë më parë nuk u kisha treguar fëmijëve për profesionin tim që të mos viheshin në siklet nga bashkëmoshatarët e tyre.
Një herë, kur ime bijë më pyeti mbi natyrën e punës time, unë iu përgjigja gjithë hezitim:”Unë? Unë jam punëtor.” dhe arrita të ndryshoj bisedë për të shmangur më shumë pyetje prej saj.
Çdo ditë, para se të shkoj në shtëpi, shkoja tek banjot publike dhe lahesha si të mundja, me qëllim që të mos bija në sy dhe të mos e zbulonin punën time të përditshme.
Doja që vajzat e mia të vazhdonin shkollën dhe të arsimoheshin.
Doja që ata të dalin në jetë dhe të ndërveprojnë me njerëzit me dinjitet dhe kokën lart, jo kokëulur dhe plot turp.
Nuk doja që njerëzit ti shohim me përçmim, siç bënin me mua.
Sakaq, mua, njerëzit më ofendonin dhe përçmonin, për shkak të varfërisë ekstreme dhe punës së rëndomtë që bëja çdo ditë.
Të gjithë paratë që fitoja i investoja në arsimin e vajzave të mia të dashura.
Nuk mbaj mend të kem blerë një këmishë të re. Me paratë e pakta që fitoja bëja çmos që vajzave tu blej ndonjë libër.
Fitorja më e madhe për mua ishte që tu siguroj vajzave respektin e njerëzve dhe këtë falë arsimimit të tyre.
Po, unë punoja si pastrues plehrash të qytetit.
Ditën që ime bijë do të aplikonte për në universitet unë nuk arrita ta siguroj shumën e duhur të regjistrimit.
Atë ditë e kisha të pamundur të punoja.
Qëndroja ulur përbri një koshi plehrash dhe lotët më rridhnin çurg, pa mundur që ti përmbaj.
Kolegët më vunë re dhe më pyetën çfarë halli kisha, por unë nuk flisja dot, nuk më dilnin fjalët, nuk hapja dot as gojën.
Unë kisha dështuar. Ndihesha i thyer përbrenda dhe nuk kisha as idenë më të vogël se si do të dilja para time bije atë ditë dhe të më pyeste për tarifën e regjistrimit pasi të kthehesha në shtëpi.
Unë kisha lindur i varfër dhe asgjë e mirë nuk pritet për një fukara si puna ime. Kjo ishte bindja ime.
Pas përfundimit të orarit të punës për atë ditë, të gjithë kolegët e mi mu afruan, u ulën përbri meje dhe më thanë:”A na konsideron vëllezëri siç të konsiderojmë ne?” Para se tu përgjigjem më vunë në prehër pagat e tyre ditore. Sa herë që i merrja dhe ua ktheja mbrapsht, mi vinin paratë sërish në prehër dhe më thoshin:”Sot do të durojmë urinë të gjithë, me qëllim që vajza jote të shkojë në universitet!”
Nuk pata mundësi tu kthej përgjigje. Më ishte mbështjellë një lëmbsh në grykë e s’më linte të flas.
Atë ditë nuk vajta të lahem tek banjot publike para se të shkoj në shtëpi.
Atë ditë u ktheva në shtëpi si një pastrues plehrash, me erën e rëndë në trup.
Së afërmi, edhe vajza ime e vogël do të përfundojë studimet.
Tre vajzat e para më ndaluan të punoj si pastrues plehrash dhe janë ato që i paguajnë vetë studimet falë punës me kohë të pjesshme.
Herë pas here ato më çojnë tek vendi i punës së mëparshme dhe i qerasin ish kolegët e mi. Të gjithëve u bëhet qejfi dhe si me qesëndi thonë:”E përse na qeras kaq shpesh? Çfarë të mire të paksemi bërë?”
Bija ime e madhe u përgjigjet:”Të gjithë ju vuajtët dhe duruat urinë e një dite me qëllim që unë të mund të jem ajo që jam sot.”
Kohët e fundit nuk e ndjej që jam njeri i varfër, sepse si mund të jetë i varfër një prind që ka fëmijë të tillë!
Nga: Elmaz Fida