Të Fundit
Po shkojmë drejtë një krize të madhe (qasje sociologjike)

Po shkojmë drejtë një krize të madhe (qasje sociologjike)

Sot nxënësit i pyeta: Nëse një enë e mbushim me ujë, për të cilin kemi nevojë shumë, por pastaj në atë enë hedhim gurë ose diçka të panevojshme, ku shkon uji? Përgjigja ishte shumë e saktë, thanë, uji del jashtë enës! Debati vazhdoi; pra nxënës, nëse brenda vetes tuaj pranoni gjëra të panevojshme, gjëra të pa vlera, gjëra që nuk ju vynë për asgjë, atëherë nga ju del ajo që është e vlefshme dhe ajo që është e nevojshme për jetën tuaj.

Nëse në vend që të mësoni – ju e humbni kohën kot, në vend që t’i kryeni detyrat – ju merreni me të huajtë, në vend që të lexoni libra shkollor – ju lexoni postime dhe komente palidhje, në vend se të i ndihmoni familjeve – ju shikoni televizor tërë kohën programe kuturu, në vend se të shkolloheni – ju merreni me injorantët nëpër emisione dhe rrjete sociale, në vend se të i vlerësoni prindërit, mësuesit, profesorët, hoxhallarët – ju i vlerësoni VIP-at skandaloz, injorantë, pa edukatë etj.

Atëherë i bie që brenda vetes keni futur gjëra të kota, kurse i keni larguar gjërat e vlefshme për ju, sikur shembulli i enës me ujë!

Çfarë ndodh më pas? Më pas humb interesimi për mësim. Nëse humb interesimi për mësim – humb mundësia për shkollim. Nëse humb mundësia për shkollim – nuk do të kemi kuadro profesioniste për funksionimin e shoqërisë dhe zhvillimin e saj. Ky proces vetëm ka filluar, fatkeqësisht.

P.sh., në Kumanovë kemi 5 avokatë shqiptarë, kurse 120 avokatë maqedonas. Një dallim trishtues statistikor. Paramendoni një gjendje të tillë në të gjitha sferat e jetës, sa do të ishim në disfavor ne si shqiptarë në raport me maqedonasit.

Krahas mosinteresimit për shkollim, aq më tepër gjendjen e rëndon euforia rinore për të ikur jashtë vendit, që do të thotë kriza do të dyfishohet. D.m.th., shoqëria shqiptare do të mbetet edhe e pashkolluar, por edhe do të tkurret.

Ky është një alarm për një krizë të madhe që po i kanoset shoqërisë sonë në të ardhmen e afërt në trojet tona. Ju them këtë, sepse e ndjej si obligim moral dhe profesional. Në të njëjtën kohë mund të jetë një kontribut i vogël, në interes të shoqërisë.

Bajram Ramadani/mesazhi/