Të Fundit
Basti i fundit i Trump

Basti i fundit i Trump

Pas 22 vitesh nga Akti i Kongresit për Ambasadën Amerikane në Jeruzalem, i cili parashikonte transferimin e kësaj ambasade drejt këtij qyteti, dhe pas 22 vitesh të shtyrjeve që çdo 6 muaj të gjithë presidentët amerikanë kishin bërë për një akt të tillë, presidenti Trump deklaroi dhe firmosi transferimin përfundimtar të kësaj ambasade në Jeruzalem.

Lajmi shkaktoi reagime të jashtëzakonshme në të gjithë globin për shkak se bëhet fjalë për një qytet të jashtëzakonshëm. Jerusalemi, i cilësuar që pas Luftës së Parë Botërore si “besa e civilizimeve” dhe me një mandat që nga koha e Ligës së Kombeve në vitin 1947 si “corpus separatum” – trup i ndarë nga i gjithë konfigurimit politiko-administrativ i Izraelit dhe Palestinës, tashmë me njohjen që Presidenca Trump i bëri atij, hap një epokë të re në zhvillimet globale.

Shumë media, deklaratën e presidentit amerikan e cilësuan si një teatër ku fytyra ishte e Trump dhe zëri i Netanjahut. Një teatër i sforcuar nga një vendim që ngjannte me një  situatë të emergjencës, sepse, jo larg, por në qershorin e këtij viti, është po ky president, Trump, i cili firmosi anullimin e Aktit për Ambasadën e Amerikane në Jeruzalem, ashtu siç kishin bërë të gjithë presidentët amerikanë deri më tani.

Po pse Trump ndryshoi  mendje?

Kjo është një pyetje që ia vlen kur e kupton se akti i fundit i tij nuk është gjë tjetër por një akt privatizimi i shenjtërisë së Jerusalemit në favor të Izraelit dhe në të njëjtën kohë, duke ia hequr këtë shenjtëri të gjitha civilizimeve të tjera. Është  këtë akt privatizimi i shenjtërisë, ku qëndron e gjithë domethënia e këtij konflikti që prej më shumë se 70 vitesh i ka dhënë leksione gjithë botës se si padrejtësia mundet të kthehet në normalitet.

Pikërisht, 70 vite diplomaci amerikane në lidhje me Izraelin dhe Jerusalemin u hodhën në koshin e plehrave të Shtëpisë së Bardhë nga një president si Trump, i cili me këtë akt nuk fimosi vetëm zhvendsojen e një ambasade, por paragjykimin dhe paracaktimin e bisedimeve për paqe mes Izraelit dhe Palestinës.

Janë 160 vende të cilat kanë marrëdhënie diplomatike me Izraelin, as edhe njëri prej tyre nuk ka pranuar ta njohë zyrtarisht Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, pikërisht se nuk donin të ndërhynin dhe të paracaktonin fatin e bisedimeve mes të dyja palëve. Por ajo që ndodhi me aktin e Trump, në fakt tregoi një të vërtetë të madhe, se bisedimet për paqe nën ndërmjetësimin e SH.B.A-së, nuk kanë qenë gjë tjetër vetëmse një farsë e zbukuruar me retorikë diplomatike në funksion të zgjatjes së agonisë.

Gjatë gjithë këtyre 70 viteve, SH.B.A ka qenë në një pozitë konfliktuale me veten përsa i përket marrëdhënies me Izraelin dhe proçesin e paqes atje. Nga njëra anë, në mënyrë të hapur ka mbështetur politikisht, diplomatikisht, financiarisht dhe ushtarakisht Izraelin pa asnjë kompleks (mos harrojmë që Izraeli ka marrë nga Sh.B.A-të 233 miliardë dollarë ndihma  gjatë gjithë kësaj kohe), dhe nga ana tjetër, në Kombet e Bashkuara por edhe në arenën ndërkombëtare ka mbajtur rolin e negociatorit mes Palestinës dhe Izraelit. Pra, edhe asnjanës edhe mbështetës i njërës palë. Gjëja më e mirë që Trump bëri në gjithë këtë histori, është se i dha fund kësaj hipokrizie, ama jo në mënyrën e duhur por duke e thelluar më tepër pozitën konfliktuale të çështjes.

Në fakt, sipas të gjitha gjasave dhe analizave që janë bërë për këtë konflikt tashmë shumë të gjatë, del se, që kjo çështje të mbarojë ka vetëm tre variante përfundimesh. I pari është varianti i ekzistencës së një shteti të vetëm unitar me pjesëmarrjen e të dy popujve brenda tij, palestinezëve dhe izraelitëve. Ky variant, është edhe ai më utopiku për t’u realizuar, sepse është shumë e vështirë të imagjinohet një qeveri me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të dyja palëve dhe një administrim në paqe të territorit brenda një demokracie funksionale. Edhe nëse nuk do të konsiderohej utopi, por edhe nëse vërtet do ta mendomin se do të funksiononte, përsëri ky variant do të çonte në udhëheqjen e vendi nga palestinezët, për shkak të rritjes së shpejtë të tyre demografike që do të përkthehej në numër më të madh të përfaqësimit politk, çka do ta kthente edhe një herë konfliktin duke u nisur tashmë nga pala izraelite.

Si varianti i dytë i përfundimit të konfliktit është parë ai i shfarosjes së njërës palë nga territori aktual. Pra, njëra palë nuk e do ekzistencën e tjetrës në asnjë detaj dhe dëshiron të qeverisë dhe administrojë e vetme gjithçka. Nëse do t’i referoheshim realitetit, duke e marrë që nga 1947-ta e deri më sot, praktikat, format, aparteidi si dhe luftrat e bëra nga ana e izraelitëve, i kanë dhënë më shumë ngjyrë këtij varianti në favor të këtyre të fundmëve.

Varianti tretë është ai i cili propozohet dhe mbështetet nga bashkësia ndërkombëtare, i ekzistencës së dy shteteve paralele me administrime të ndara dhe me Jerusalemin Perëndimor si kryeqytet të izraelitëve dhe Jerusalemin Lindor si kryeqytet të palestinezëve.

Vendimi i fundit i Trump, zyrtarizoi për qeverinë amerikane pikërisht variantin e dytë, atë të shfarosjes së njërës palë, sepse duke njohur Jerusalemin si kryeqytet të izraelitëve si njësi e vetme dhe e pandarë, politikisht i gjithë konflikti, që në zemër kishte pikërisht Izraelin, konsiderohet i mbyllur për amerikanët. Ja, pse ky vendim mund të konsiderohet me plot gojë si nxitës i luftrave dhe konflikteve të mëtejshme, sepse pikërisht anon nga “zgjidhja” e cila parasheh eleminimin e ekzistencës së njërës palë në konflikt.

Trump zgjodhi rrugën më të lehtë, atë të konfliktit. Rruga më e vështirë është ajo e ndërtimit të paqes dhe e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Justifikimi i tij për këtë është se thjesht po “pranon realitetin”.

Po cili është realiteti Izraelit i cili është bazuar në të famshmen shprehje të “fakteve në terren”?

Domethënë, nxjerr nga shtëpitë banorët e saj, ca i burgos dhe ca i vret, shkatërron gjithçka, mbi ngrehinat e tyre ndërton komplekse banimi për kolonët e rinj, dhe më pas thotë: “Uaaa, po ky është një realitet dhe ju duhet ta njihni këtë!”.

Përfundimisht, Sh.B.A-të i thanë lamtumirë proçesit të paqes dhe negociimit, ngase nuk ka asnjë kriter moral që të vlerësojë se ata mund të qëndrojnë akoma në këtë funksion. Po ashtu ata zyrtarisht i thanë lamtumirë variantit të dy shteteve në atë vend. Në të njëjtën kohë hapën siparin e konflikteve të reja në rajon.

Sigurisht që një kalkulim amerikan për këtë gjë është bërë, por ama mos të harrojmë se bota po ndryshon me një shpejtësi të habitshme dhe konfigurime të reja aleancash po veprojnë fuqishëm gjithandej. Megjithatë ky besoj se ka për të qenë basti i fundit që Trump hedh në një mjedis të sotëm, ku nuk është lehtë të luash bastesh, e ku rrezikon të ngelesh gjithmonë e më i vetmuar. /tesheshi.com/