Të Fundit
Çfarë e shkakton terrorizmin?

Çfarë e shkakton terrorizmin?

Ekzistojnë dy shkaqe për terrorizmin

Të gjithë terroristët janë të motivuar nga dy gjëra:

  • Padrejtësitë shoqërore dhe politike: njerëzit zgjedhin terrorizmin kur mundohen të arrijnë një të drejtë të cilën ata e përceptojnë si një gabim historik, politik ose shoqëror. Kur janë zhveshur nga toka dhe u janë mohuar të drejtat e tyre.
  • Të besuarit se dhuna apo kërcënimi janë të efektshme dhe shoqërohen me ndryshime. një mënyrë tjetër për ta thënë këtë është: “besimi se mjetet e dhunshme justifikojnë qëllimin”. Shumë terroristë përgjatë historisë kanë deklaruar me sinqeritet se e kanë zgjedhur rrugën e dhunës vetëm pas një reflektimi të gjatë, pasi e ndienin se nuk kishin zgjidhje tjëtër.

Ky shpjegim i shkaqeve të terrorizmit mund të jetë i vështirë për t’u kapërdirë nga disa. Tingëllon shumë i thjeshtë, apo shumë teorik. Megjithatë, nëse shikoni te secili grup që njihet kryesisht si grup terrorist, do të shikoni se këto dy elementë janë bazë e historisë së tyre.

  • Zionistët që sulmuan objektiva britanike në vitet 1930 në Palestinë mendonin se duhet ta bënin këtë në mënyrë që të krijonin një shtet hebre.
  • IRA (Ushtria Republikane Irlandeze) bombardoi objektivat anglezë në vitet 1980 për të treguar se toka e tyre ishte kolonizuar nga imperialistët britanikë.
  • Në vitet 1960 dhe 1970, Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës mendonte se sulmet e armatosura kundër Izraelit ishin një përgjigje e justifikuar ndaj pushtimit të tokave të tyre.
  • Deklarata e Osama bin Ladenit për luftë ndaj interesave amerikane në vitet 1990 vinte nga besimi i tij se trupat amerikane të vendosura në Arabinë Saudite përbënin një kërcënim për shtetin islamik, për të cilin besonte se duhej të ekzistonte në gadishullin arabik.
  • Në disa raste, njerëzit zgjedhin taktikat terroriste duke u bazuar në një kauzë, drejtësia e të cilët sipas tyre i kalon të gjitha të tjerat. Vënësit e bombave në klinikat e abortit dhe grupe të tilla si Fronti për Lirimin e Kafshëve besojnë me zell në kauzën e tyre.
  • Gjithashtu, njerëzit që zgjedhin taktika terroriste janë të bindur se dhuna, ose kërcënimi me dhunë, është i efektshëm.

Ka disa pyetje rreth asaj se kush e “zgjedh” në të vërtetë terrorizmin. Mund të jetë e padrejtë të mendojmë se disa rekrutë të rinjë, si puna e kamikazëve sot, të cilët janë të joshur nga metodat e indokritnimit, janë krejtësisht fajtorë për zgjedhjet e tyre.

Le të bëjmë një pyetje më të saktë: cilat janë kushtet që e favorizojnë terrorizmin?

Në fakt, pyetja “çfarë e shkakton terrorizmin?” nuk është tamam pyetja e duhur për t’u bërë, pasi kurrë nuk do të jemi në gjendje t’i përgjigjemi. Nuk mund të themi se prania e një faktori e shkakton terrorizmin, ashtu siç themi me bindje shkencore se disa toksina shkaktojnë sëmundje.

Nëse dëgjoni më vëmendje shpjegimin që jepet zakonisht për pyetjen se “çfarë është terrorizmi?”, do të shihni se ata në fakt i përgjigjen pyetjes: “cilat janë kushtet në të cilat terrorizmi ka më shumë gjasa të ndodhë?” Ndonjëherë, këto kushte kanë të bëjnë me njerëzit që bëhen terrorista (ata përshkruhen me tipare të caktuara patologjike si “zemërimi narçizist”), ndërsa disa kushte kanë të bëjnë me rrethanat në të cilat jetojnë (një shoqëri e varfër; apo një shoqëri e ish-kolonizuar).

Pavarësisht se sot shumë njerëz besojnë se fanatizmi fetar është “shkaktari” i terrorizmin, kjo nuk është e vërtetë. Mund të jetë e vërtetë se fanatizmi fetar krijon kushtet që e favorizojnë terrorizmin. Por e dimë shumë mirë se zelli fetar nuk “shkakton” terrorizëm, pasi ka shumë fanatikë fetarë të cilët nuk zgjedhin terrorizmin apo ndonjë formë tjetër dhune. Kështu që duhet të ketë patjetër kushte të tjera, të cilat, të ndërthurura sëbashku, nxisin njerëzit që ta shohin terrorizmin si një mënyrë të efektshme për të sjellë ndryshime në botën e tyre.

Ekzistojnë edhe dy arsye të tjera pse pyetja “çfarë kushtet krijojnë një klimë të përshtatshme për terrorizmin?” është më e mirë se të pyesësh për shkaqet. E para, është e lehtë të kujtohet se ka gjithmonë të paktën disa kushte. Terrorizmi është një fenomen kompleks; është një lloj dhune politike specifike e kryer nga njerëz të cilët nuk kanë një ushtri legjitime në dispozicion. Arsyeja e dytë, të cilën e shoh si me vlerë kur pyes rreth terrorizmit, është se të menduarit rreth “kushteve” më ndihmon të kujtoj se njerëzit kanë gjithmonë një zgjidhje nëse duan të përdorin dhunën.

Nuk ka asgjë brenda dikujt apo tek rrethanat e tyre që i shtyn ata në mënyrë direkte drejtë terrorizmit. Por, ka disa kushte të caktuara, disa prej të cilave bëjnë që dhuna ndaj civilëve të duket e arsyeshme, madje e domosdoshme. Pavarësisht kësaj, dhe disa nga rrethanat thellësisht të pafalshme që nxisin terrorizmin, njerëzit kanë gjithmonë vullnetin e lirë për të kërkuar një rrjedhë tjetër veprimi.

Autorja shkruan në lidhje me terrorizmin dhe konfliktet e dhunshme, gjuhën dhe rolin e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare që prej viteve ’90. Ajo ka mbaruar doktoraturën në Departamentin e Studimeve mbi Lindjen e Mesme në Universitetin e New Yorkut. Ajo ka një diplomë edhe nga Universiteti i Cornell-it dhe Universiteti i Kolumbias.

Amy Zalman, Ph.D.

Observer.al