Të Fundit
Ekstremizmi nuk ka fe, as komb

Ekstremizmi nuk ka fe, as komb

«Shqiptarët kanë qenë shembull për botën sa i përket bashkëjetesës fetare në harmoni shembullore».

«Edhe sot vazhdon të jetë në nivel, përkundër tendencave që të mbillet fara e përçarjes fetare», thotë profesor Feti Mehdiu, i cili ka punuar 3-4 dekada në Fakultetin e Filologjisë – Dega e Orientalistikës në Prishtinë, ai është anëtar korrespondent i Akademisë Arabe të Shkencave në Damask. Mehdiu thotë se duhet të ndahen fetarët nga feja.  «Ka ekstremist fetarë, por fe ekstremiste nuk ka as në Kosovë. Ekstremizmi nuk ka fe, as komb. Së këndejmi ekstremistët nuk duhet të maskohen nën plafin e fesë. Feja islame,edhe në Kosovë, gjallëron edhe si fe, por edhe si kulturë fetare dhe asgjë nuk ka të përbashkët me sjelljet e individëve që me vetëdije apo pahiri keqpërdorin fenë për qëllime të ndryshme», thotë ai në një bisedë për zërin..  Sipas tij tendenca të importohet një islam ndryshe në Kosovë nga jashtë, po ndodh. «Kjo tanimë është e qartë për të gjithë. Mirëpo duhet nënvizuar se Islam tjetër nuk ka. Islami është një, kurse kultura islame ka edhe tjera, por që Kosovës nuk i duhet asnjëra prej tyre. Kosova ka ndërtuar kulturën e vet islame këtu e gjashtë shekuj më parë. Për mendimin tim kjo po ndodh për shkak të mosgatishmërisë së qarqeve kompetente për fenë dhe për kulturën në përgjithësi në vendin tonë».

Akademik Mehdiu thotë se sheh vetëm individë që për interesa të ngushta janë futur në ujera të turbullta dhe në rrugë që nuk u dihet fundi. «Madje argatët e kësaj fushe nuk e dinë as fillimin.  Qëllimi, me sa mund të shoh unë – individi nuk sheh sa duhet asnjëherë – është përfitimi individual, klanorë në emër të fesë». Ndikimi i një importimi të një islami ndryshe nga ai që është praktikuar në Kosovë, në shoqërinë kosovare, ai e përkufizon “si sikur shkumba e  detit”, por megjithëkëtë thekon se nuk  kalon pa pasoja. «Islami si fe,  e ndërtuar mbi dy burimet e palëkundëshsme-Kur an dhe hadith, por edhe si kulturë fetare, nuk ka rrezik se po ushtrohet ndonjë ndikim i fuqishëm, por tek rinia jonë mund të lë pasoja. Prandaj përgjegjësit për këto çështje nuk duhet të sillen me komoditet lidhur me këtë çështje. Unë akoma mendoj se në Kosovë organizatë terroriste nuk ka. Individë terroristë, mund të ketë. Por kjo është çështje e organeve të specializuara për këto punë».
Mehdiu thotë se në Kosovë ka frymë të sekteve fetare të ndryshme që mund të kenë marrë detyrë të mbjellin edhe ato fryma që prodhohen gjetiu, por në Kosovë, pas gjashtë shekujsh fe dhe kulturë islame, ai nuk beson se mund të kultivohet, edhe nëse mbillet.  Gjatë historisë ai thotë se kishte  përpjekje që të prishen nga armiqtë raportet ndër shqiptarë të besimit katolik e mysliman, por nuk ia arritën qëllimit. Dhe krejt kjo, sipas tij falë vetëdijes së shqiptarëve se “në botë edhe në Kosovë, ka vend edhe për myslimanë edhe për të krishterë”. Historianët, ai thotë se përmendin rastet kur armiqtë e përbetuar të shqiptarëve, pikërisht në Festën e Bajramit provokohen myslimanët me gjakun e derrit në xhami, kinse të krishterët shqiptarë ua kanë bërë myslimanëve shqiptarë. «Por, myslimanët e të krishterët e atij vendi vazhduan vizitat tek njëri-tjetri», thotë akademik Mehdiu duke shtuar se shqiptarët kanë ditur të kultivojnë harmoninë edhe fetare edhe kombëtare, gjatë historisë.

«Vendbanimet e përziera krishtere-islame, në Kosovë janë shembulli më i mirë se si dinë ata të kultivojnë harmoninë fetare. Kjo nuk mund të prishet nga ekstremistë fetarë – sepse asnjë fe nuk është ekstreme, për mendimin tim, por nëse ajo ideologjizohet, madje edhe përzihet në fe, kjo mund ta infektojë harmonin fetare, por nuk mund ta prish aspak». Si përkthyesi i parë i librit hyjnor «Kuranit» në gjuhën shqipe, thotë se në Kuran flitet gjerë e gjatë për fetë, me dallimet dhe pikëpjekjet që i kanë të trija fetë: Hebreje ,Krishtere dhe Islame. «Ajo që mendoj unë se është më e rëndësishme, sidomos për tash, Kur ani i thërret të gjithë ata që mbështeten në ndonjërin prej Librave të shenjt – sepse pa libër të shenjt nuk ka asnjë fe – ejani të bimë në ujdi për gjërat që i kemi të përbashkëta…», thotë Mehdiu, transmeton zëri.