Të Fundit
Kalendari hixhri dhe historiku i tij

Kalendari hixhri dhe historiku i tij

Kalendari hixhri është një kalendar hënor të cilin arabët e kanë përdorur shekuj para islamit, por emrat e muajve ndryshonin nga një fis në një fis tjetër. Ndryshimi i emrave të muajve, shkaktonte probleme në përcaktimin e sezonit të haxhit, gjë e cila i nxiti krerët e fiseve që të mblidhen dhe të dakordohen rreth emërtimit të muajve.

Në vitin 412, në Mekë u bë një mbledhje mes krerëve të gjitha fiseve arabe për emërtimin e muajve të kalendarit hënor dhe në këtë mbledhje, ishte dhe vetë gjyshi i pesë i profetit Muhamed a.s, Kilab ibnu Mure.

Kalendari hënor, mbi të cilin u bazua dhe kalendari islam hixhri, bazohet tek lëvizjet e hënës, nga e cila ka marrë dhe emrin.

Myslimanët e morën për bazë kalendarin hënor si kalendar të shtetit islam dhe si pikënisje morën vitin e migrimit (hixhretin) të profetit Muhamed a.s na Meka në Medine. Diçkak e tillë ndodhi dy vite e gjysmë pasi Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, qëndronte në postin e kalifit të myslimanëve, pra 16 vite pas migrimit të Profetit a.s.

Më poshtë po u ofrojmë një shpjegim të shkurtër të kuptimit të muajve hënorë:

Muharrem (e ndaluar, e shenjtë): është muaji i parë i vitit hënor dhe një nga muajt e shenjtë. Është quajtur “Muharrem” sepse arabët para islamit e shenjtëronin duke ndaluar dhunën dhe luftën gjatë këtij muaji.

Safer (bosh, zero): Ka marrë këtë emër sepse arabët i braktisnin shtëpitë dhe familjet e tyre për tu marrë me luftërat mes tyre. Gjithashtu, thuhet se fiset arabe sulmonin njëri-tjetrin në këtë muaj dhe të humburit shpronësoheshin nga gjithçka.

Rebiul Evel (Pranvera e parë): Ka marrë këtë emër sepse ishte pranverë kur arabët e emërtuan këtë muaj.

Rebiul Ahar (Pranvera e fundit): U emërtua me këtë emër për shkak se pasonte muajin Rebiul Evel.

Xhumadal evel (ngrirja e parë): Para islamit quhej Xhumadal Hamse dhe Xhumada ka marrë këtë emër për shkak se asokohe ishte dimër dhe ngrinte uji.

Xhumadal Ahire (ngrirja e fundit): Mori këtë emër sepse vinte pas Xhumadal evel.

Rexheb: Është një nga muajt e shenjtë dhe ka marrë këtë emër sepse arabët hiqnin majën e mprehtë nga heshtat në respekt të muajit të shenjtë. Thuhet se e ka marrë këtë emër sepse hiqnin dorë nga lufta.

Shaban: Thuhet se ka marrë këtë emër sepse ndodhet mes muajit Rexheb dhe Ramazan. Gjithashtu thuhet se njerëzit në këtë muaj shpërndaheshin në kërkim të ujit. Një mendim i tretë është se arabët shpërndaheshin dhe jepeshin pas luftërave, pas ndërprerjes së tyre në Rexheb.

Ramazan: Ky është muaji i agjërimit për myslimanët dhe ka marrë këtë emër për shkak të nxehtësisë dhe temperaturave të larta në kohën kur u emërtua si muaj.

Shevar: Është muaji i festës së shiut. Gjithashtu, thuhet se ka marrë këtë emër për shkak se ishte muaji i ndërzimit të deveve dhe për rrjedhojë dhe tharjes së qumështit të tyre.

Dhul Kide: Është një nga muajt e shenjtë dhe ka marrë këtë emër ngaqë njerëzit distancoheshin nga luftërat.

Dhul Hixhe: Është muaji në të cilin kryhet rituali i Haxhit dhe i festës së Kurban Bajramit. Edhe ky muaj është nga muajt e shenjtë. Ka marrë këtë emër sepse arabët niseshin për të kryer ritualin e Haxhit.

Për shkak se kalendari hënor bazohet në lëvizjet e hënës, çdo vit hixhri ka 11 ditë më pak. /ardhmeriaonline/