Të Fundit
Koncepti i lirisë nga aspekti politik

Koncepti i lirisë nga aspekti politik

Kjo nënkupton të drejtën e njeriut në funksionet shtetërore administrative, nëse është i drejtë për përgjegjësitë e tilla, dhe në të njëjtën kohë, nënkupton të drejtën e shprehjes së mendimit në çështjet e përgjithshme, gjë që nënkupton se pushteti është mjet në shërbim të shoqërisë e jo për dominim. Pushtetari është shërbëtor i popullit për t’i realizuar aspiratat dhe interesat e tyre. Islami nuk mund të paramendojë ndonjë pushtet që e shkel lirinë e tillë, për shkak se sipas Islamit, pushteti i vërtetë duhet të jetë rezultat i zgjedhjeve të lira për njerëzit e aftë e më të përgatitur për pozitat e tilla specifike, pasi që Profeti a.s. është larguar nga kjo jetë dhe e ka lënë çështjen në konsultim në mes myslimanëve.
Islami e obligon kryetarin që të këshillohet me njerëzit për çështjet e rëndësishme, në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar i drejtohet Profetit a.s., duke i thënë: “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falja atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu i do ata që mbështeten.” (Ali Imran, 159)
Islami është i pari, i cili e vuri atë, që sot quhet si demokraci e re, gjegjësisht lirinë e zgjedhjes së udhëheqësit, sepse pushteti bartej vetëm nëpërmjet trashëgimisë. Njerëzit do t’ia kenë borxh Islamit, sepse ai është i pari që zgjoi popujt të lirohen nga robëria përmes zgjedhjes së prijësit dhe përcaktimit të rregullave të shurasë (konsultimit) në këtë aspekt.
Abdullah ibën Osman ibën Huthejmi transmeton nga Muhamed ibën Esved ibën Halefi se babai i tij, Esvedi, e ka parë të Dërguarin a.s. duke u zotuar para njerëzve në ditën e çlirimit të Mekës për Islamin e dëshminë. Kur e pyeta se çka është dëshmia, ai tha: “Më lajmëroi Muhamed ibn Esved ibn Halefi se ai është zotuar para tyre për besimin në Zot, për dëshminë se s’ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij.”
Xheriri tregon se ka shkuar tek i Dërguari a.s. dhe i ka thënë: “Të zotohem në atë që e do dhe në atë që e urren!”; I Dërguari a.s. i ka thënë: “A mund ta bësh atë, a ke aftësi, o Xherir?”; Ai ka thënë: “Thuaje atë që mundi e të zotohem: Këshillat janë për çdo mysliman.”
Abdullah ibn Dinari transmeton se kur njerëzit u zotuan për Abdul-Melikun, Abdullah ibn Omeri i shkroi një letër Abdulmelikut, Prijësit të besimtarëve: “Zotohem se do ta respektoj Abdulmelikun, Udhëheqësin e besimtarëve, në rrugë të Zotit dhe në sunnetin e të Dërguarit të Tij aq sa mundem…”
Pas vdekjes së Profetit a.s., sahabët filluan menjëherë të mendojnë për pasardhësin e tij në politikën e çështjeve të tyre fetare e të kësaj bote. Kur u takuan në kasollen (tavanin) e Beni Sa’ides që të zgjedhin prijësin më të lartë të shtetit, diskutonin me liri të plotë rreth atij që është më i aftë për të zëvendësuar çështjen e udhëheqjes së shtetit pas Profetit a.s. Anëtarët diskutuan rreth personit që duhet zgjedhur për kalif, e në fund u pajtuan me zotimin e tyre për Ebu Bekrin, i cili edhe pse ushtroi pushtet shumë pak kohë, e vërtetoi se udhëhoqi me dinjitet ashtu siç udhëhoqi Profeti a.s.
Ebu Bekri i takonte një familjeje të dobët të fisit të Kurejshitëve dhe zgjedhja e tij u bë vetëm për shkak të tipareve të tij psikike që i posedonte e të cilat kërkohen për një udhëheqës të suksesshëm e të drejtë.
Nga e gjithë kjo konkludojmë se liria politike nënkupton të drejtën e secilit njeri që të marrë pjesë në drejtimin e politikës së shtetit brenda dhe jashtë, në administratë dhe në kontrollin e pushtetit ekzekutiv.
Islami tregoi kujdes të posaçëm ndaj lirisë, sepse e vendosi pushtetin në baza të konsultimit dhe të lirisë politike për të gjithë myslimanët.
Zoti i Madhëruar e urdhëron Profetin a.s. në këtë çështje duke i thënë: “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falja atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu i do ata që mbështeten.” (Ali Imran, 159)
Ibn Abasi thotë: “Kur zbriti ajeti kur’anor: “E konsultohu me ta në të gjitha çështjet”; I Dërguari a.s. tha: “Zoti dhe i Dërguari i Tij s’kanë nevojë për të, por e ka bërë Zoti i Madhëruar si mëshirë për ummetin tim, kush do të konsultohet,s’do të devijojë nga e drejta, e kush do ta braktisë, do të devijojë.”
Ebu Hurejre thotë: “Sahabët më shumë e kanë konsultuar Profetin e Allahut (a.s.)”
Udhëheqja në Islam
Nga aspekti etimologjik fjala “sijade” rrjedh nga folja “sade” dhe në gjuhën arabe thuhet: “sejjidu keumihi” – “udhëheqësi i popullit të vet.” Po ashtu përdoret për të treguar ardhmërinë, e shumësi është “sadetun” – udhëheqës.
Pushteti është nevojë shoqërore dhe farz i Sheriatit në shtetin islam. Shoqëria duhet patjetër të ketë udhëheqës që i bashkon dhe kjo e drejtë duhet të ketë fuqi për mbrojtje.
Pushteti fiton legjitimitetin e vet nga këto dy çështje:
1. Aplikimi i Sheriatit të Zotit duke e adhuruar Zotin e Madhëruar dhe duke e respektuar të Dërguarin e Tij dhe udhëheqësit e pushtetit. Në këtë kontekst Zoti i Madhëruar thotë:
“O ju që besuat, binduni Allahut, respektoni të Dërguarin dhe përgjegjësit nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë te Allahu (te Libri i Tij) dhe te i Dërguari, po qe se i besoni Allahut dhe Ditës së Fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë.” (En-Nisaë, 59)
Pëlqimi i popullit (ummetit)
Sipas Islamit, shteti në asnjë mënyrë nuk nënkupton dominimin e një individi mbi popullin, sepse Islami konfirmon se prijësi konsiderohet si i biri i popullit dhe se vetëm mirësia e dallon prej tyre. Zoti i Madhëruar e urdhëron Profetin a.s. që t’iu sqarojë sahabëve të tij se ai nuk dallohet prej tyre në pushtetin kohor, por i vetmi dallim prej tyre dhe besimtarëve të tjerë është Shpallja. Zoti i Madhëruar thotë: “Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askënd.” (Kehf, 110).
Dijetarët islamë kanë mendime të ndryshme rreth asaj se cilit i takon udhëheqja në Islam, gjegjësisht a duhet t’i takojë popullit që e përfaqëson kryetari, Sheriatit apo popullit dhe Sheriatit?
Udhëheqja e popullit, e përfaqësuar nga kryetari i shtetit apo parlamenti, është çështje që nuk ka ndodhur në Islam. Disa njerëz mendojnë se i takon ummetit e Sheriatit, sepse Profeti a.s. i konsultonte myslimanët, pastaj vijoi periudha e kalifëve dhe kështu mendonin se udhëheqja i takon Sheriatit e ummetit. Është e vërtetë se konsultimi lozte rol të rëndësishëm në udhëzimet dhe urdhrat e Sheriatit, bile edhe shumë tekste vërtetojnë se udhëheqja i takon Sheriatit. Në këtë kontekst Zoti i Madhëruar thotë: “Sikur Ithtarët e Librit të besonin dhe t’i ruheshin (haramit), Ne do t’ua shlyenim mëkatet e tyre dhe do t’i fusnim në xhennete me përjetime të begatshme.” (El-Maide, 65)
Zoti i Madhëruar po ashtu thotë: “(Ta zbritëm) Që edhe ti të gjykosh me atë që të zbriti Allahu, e mos ndiq dëshirat e tyre dhe ruaju rrezikut të tyre që të mos të shmangin nga një pjesë e asaj që ta zbriti Allahu. Nëse ata refuzojnë (gjykimin tënd), ti dije se Allahu ka për qëllim t’i ndëshkojë për disa mëkate të tyre. Në të vërtetë, një shumicë e njerëzve janë jashtë rrugës.” (El-Maide, 49).
Kalifi është prijës i shtetit si mëkëmbës e në cilësi private, përderisa populli e ka vendosur në këtë pozitë më të lartë që të udhëheqë me parimet dhe me Sheriatin e Zotit, të udhëzojë në të mirë e në interesin e përgjithshëm, të udhëheq me besnikëri e drejtësi si dhe t’i bëjë njerëzit të jetojnë me dinjitet, krenari e autoritet.

Shkruan: Dr. Bekim Hasani