Të Fundit
Largimi i mjegullnajës së “Islamit shqiptar…”

Largimi i mjegullnajës së “Islamit shqiptar…”

Etiketimet e ndryshme të Islamit, si psh: Islami socialist, Islami politik, Islami arab apo Islami turk, nuk janë gjë tjetër vetëm se përpjekje të hershme dhe të dështuara orientalistike për ta copëzuar Islamin. Këto orvatje kanë dështuar për dy arsye të thjeshta: arsyeja se Islami është burimor, hyjnor dhe është dërguar për të gjithë njerëzinë pa asnjë dallim, dhe arsyeja se Islami është e vetmja fe që arriti të ndërtojë një civilizim katërmbëdhjetë shekullor mbarëglobal, me karkakter të vërtetë heterogjen.

Këto përpjekje dështake kanë ndikuar, jo në pak raste, me dashje apo pa dashje, edhe në ligjërimin mediatik dhe politik shqiptar. Kjo ka krijuar shumë herë konfuzion edhe te aktorët e ligjërimit islam shqiptar. Ky lloj konfuzioni materializohet përmes shprehjes së paaftësisë për të dalluar mes Islamit si fe hyjnore, burimore, universale e të përjetshme dhe përvojave që Islami krijon në vende dhe kohë të ndryshme. Pra, në shumë raste vërejmë, përmes ligjërimeve të ndryshme, një ngatërrim absurd mes përvojave të ndryshme lokale, rajonale dhe kohore që njerëzia krijon nga bashkëveprimi me Islamin (në varësi të aftësisë dhe gadishmërisë së njerëzve dhe popujve për të bashkvepruar me Islamin ashtu siç duhet), me Islamin si fe hyjnore dhe universale, duke e prezantuar përvojën njerëzore si fe referenciale dhe duke identifikuar Islamin me një përvojë të caktuar.

Pra, shkurt dhe qartë: nuk ka dhe nuk mund të ketë “Islam shqiptar, arab, amerikan, evropian, afrikan apo aziatik”, por ka vetëm një islam, Islami hyjnor, burimor, i përjetshëm, i pashtrembërueshëm, që është i aftë t’u japë formën dhe ngjyrat e tij çdo lloj aktualiteti dhe asnjë aktualitet nuk mund të cënojë karakteristikat e tij thelbësore.

Por, ka pasur dhe do të ketë përvoja të ndryshme të bashkveprimit të popujve me Islamin, në varësi të kushtit të lartpërmendur; aftësia dhe gadishmëria e duhur për të bashkëvepruar ashtu siç duhet me të.

Pra mund të kemi ligjërim islam dhe përvojë islame tek shqiptarët, por është e pamundur të kemi Islam shqiptar.

Sabaudin Jashari