Të Fundit
Lidershipi, Kompetencat dhe Zhvillimi Individual

Lidershipi, Kompetencat dhe Zhvillimi Individual

Mbarë bota është duke vuajtur pasojat e liderëve të dobët dhe jo kompetent. Shumica e problemeve aktuale botërore është shkaktuar direkt prej këtyre ‘liderëve’.

Është më se evidente që shumë prej udhëheqësve aktual, marrin poste duke u bazuar në aftësitë dhe njohuritë e tyre teknike, bazave politike dhe partiake, por edhe lidhjeve të tyre familjare. Si rezultat, shumë pak prej udhëheqësve aktual janë në bazë të aftësive, vlerave, njohurive, etj., p.sh. ngritja në detyrë brenda një organizate në shumicën e rasteve bëhet në bazë të aftësive teknike apo rezultatit të arritur prej punonjësve të caktuar. Nëse ai punonjës ka qenë i suksesshëm në pozitat paraprake, nuk do të thotë që mund të jetë edhe lider i suksesshëm, sepse ‘askush nuk e ka trajnuar apo edukuar se si të jetë një Lider i mirë’!

Sistemi edukativ dhe shkollorë aktual nuk është duke prodhuar Liderë. Në këto institucione edukative mësohet vetëm për njohuritë e përgjithshme apo të profilizuara në degë, fusha, apo studime të caktuara e aspak për kompetencat që një udhëheqës duhet të ketë. Ka disa institucione dhe organizata edukative dhe kulturore që ofrojnë trajnime të bazuara në vlera, etikë, dhe moral (integritet), të cilat janë thelbësore për një Lider por nëse mbetet vetëm në vlera dhe etikë, prapë nuk do të mjaftojnë.

Hulumtimet shkencore kanë vërtetuar se Lidershipi mund të mësohet dhe ushtrohet dhe ka pak të bëjë me aftësitë e trashëguara, d.m.th., ka shpresa reale për liderët aktual që të mësojnë dhe trajnohen për kompetencat e nevojshme. Ata vetëm duhet ta pranojnë gjendjen e tyre faktike, që kanë mungesë të kompetencave dhe njohurive se si duhet të udhëhiqet?!

Ne të gjithë jemi të bindur se mënyra se si ne udhëheqim është e drejtë dhe nuk e pranojmë faktin se jemi apo mund të jemi udhëheqës jo-kompetent. Sipas neuro-shkencës, ai i cili nuk e pranon gabimin apo mundësinë që mund të ketë gabuar, kurrë nuk do të përmirësohet…!?
Një thënie e bukur; ‘Ne gjatë gjithë jetës mësojmë se si të jetojmë’, prandaj gabimet e kaluara nuk janë ‘gabime’ e as ‘dështime’ por përvojë dhe mësime.

Sipas hulumtimeve shkencore që janë bërë në këtë drejtim, do të veçoja hulumtimin e bërë vitet e fundit nga Profesor Dr. Fadil Çitaku, themelues i ‘Akademisë së Shkencave të Lidershipit’, në Zvicër. Sipas Çitakut, janë identifikuar 63 kompetenca të cilat mund të grupohen në këto pesë kategori apo fusha:
 Përgjegjësia Sociale (interesi i përgjithshëm)
 Inovacioni (zhvillimi i ideve, strategjive, dhe mundësive të reja)
 Menaxhimi Personal (i vetvetes)
 Menaxhimi i Detyrave (obligimeve)
 Orientimi i Drejtë (udhëheqja me drejtësi)

Përpos këtyre kompetencave, edhe tiparet vijuese janë goxha esenciale:
 Inteligjenca
 Vetëbesimi
 Përcaktimi
 Integriteti
 Karakteri
 Socializimi (shoqërimi), etj.

Sa i përket karakteristikave të një Lideri mund të përmendim edhe:
 Aftësitë Analitike,
 Marrjen e Iniciativave,
 Guximin,
 Seriozitetin, etj.

Inteligjenca Emocionale gjithashtu luan rol tejet të rëndësishëm tek Lideri, me të cilën menaxhon vetën dhe të tjerët me një lehtësi dhe me ndjeshmëri (empati). Po nuk i kuptuam si duhet emocionet tona dhe të tjerëve, është e vështirë të udhëhiqen njerëzit ku sipas neuro-shkencës, ana emocionale mbisundon atë racionale tek shumica e njerëzve.

Inteligjenca Spirituale është një nocion që ka filluar të zërë vend të rëndësishëm edhe në Lidership. Inteligjenca Spirituale është dimension më i lartë i inteligjencës që aktivizon kualitetet dhe aftësitë autentike të shpirtit, në formë të urtësisë, ndjeshmërisë, integritetit, kënaqësisë, dashurisë, kreativitetit, dhe paqes. Inteligjenca Spirituale është inteligjenca me të cilën ne iu qasemi thellësisht kuptimeve, qëllimeve dhe motivimeve tona të larta. Aty ku është prezent inteligjenca spirituale, egoja bie poshtë, që është shumë e rëndësishme për një Lider.

Truri ynë nuk e do zhurmën, prandaj për një Lider që pritet prej tij shumë, duhet të jetë i përqendruar dhe i qetë në çdo kohë dhe situatë. Për ta arritur këtë, meditimi për së paku gjysmë ore në ditë, do të ishte i domosdoshëm. Gjatë meditimit njeriu lirohet komplet prej nevojave biologjike dhe fizike të trupit dhe të gjithë energjinë dhe fokusin e drejton kah truri, me një qetësi e cila e rritë kreativitetin dhe funksionimin e trurit në përgjithësi. Gjatë këtij meditimi, udhëheqësi analizon situatat dhe rrethanat e krijuara dhe aktivizon kreativitetin në maksimum në gjetjen e zgjedhjeve për tejkalimin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm.

Është vërtetuar edhe shkencërisht që ana fetare apo religjioze, mund të ndikoj fuqishëm në motivimin e punonjësve apo vartësve, prandaj njohuritë e Liderit rreth ambientit fetar apo kulturorë në të cilin gjenden apo vijnë vartësitë e tij do të ishin të domosdoshme.

Do të ishte ideale nëse liderët do t’i kishin të gjitha këto kompetenca, karakteristika dhe tipare, por realiteti është ndryshe dhe shoqëria pret që ata t’i kenë së paku disa prej tyre. Gjatë përvojës, Liderët e vëmendshëm, gjatë gjithë kohës i rrisin kompetencat e tyre dhe i zotërojnë ato.

Të gjithë ata të cilët dëshirojnë të zhvillohen në këtë drejtim, duhet ta bëjnë me vetiniciativën dhe angazhimin e tyre e mos të presin prej të tjerëve. Preferohet që t’i rrisin njohuritë e tyre përmes leximit, dëgjimit të prezantimeve të ndryshme në këtë drejtim, publikimeve shkencore sidomos të bazuara në neuro-shkencë, këshillave të Liderëve me përvojë, dhe kanaleve të tjera. Gjëja më e rëndësishme këtu është se si të gjitha këto njohuri t’i vëmë në praktikë dhe të bëhen rutinë e zakonshme dhe pjesë e personalitetit tonë. Njohuritë që nuk praktikohen janë të padobishme.

Ju të gjithë jeni Lider… çka po prisni, filloni menjëherë me përgatitjet tuaja për këtë përgjegjësi. Detyrat dhe njerëzit që iu lihen në përgjegjësi (Amanet), do të përgjigjeni së pari para Zotit, e pastaj edhe para popullit, shoqërisë, familjes, historisë, etj.

‘Liderizmi është mënyrë e jetës…’!?

Vehbi Zeqiri
Me përvojë për më shumë se 30 vite në pozita udhëheqëse