Të Fundit
Mbase edhe ne nuk jemi ‘mjaftueshëm’ shqiptarë!?

Mbase edhe ne nuk jemi ‘mjaftueshëm’ shqiptarë!?

Se Kryeministri i Shqipërisë nuk ndjehet përgjegjës për asgjë dhe se popullin e sheh si një turmë që duhet t’i shërbejë atij dihet dhe për këtë nuk kishte nevojë për dëshmi shtesë siç ishte interpelanca për çështjen “McGonigal”, gjatë së cilës ai e tha atë që donte dhe u largua nga Kuvendi duke ua bërë me dije deputetëve se nuk janë të denjë të debatojnë me të?!
Se ky Kryeministër, Shqipërinë e ndjen si kopsht të vetin të cilin mund ta kanabizojë e ta mbjellë me çka t’ia dojë qejfi, nuk e dëshmon vetëm rrënimi i ‘Teatrit Kombëtarë’, e as kullat që kanë shfytyruar Tiranën, por edhe pamundësia që mëmëdheun ta rimarrin në duar pronarët e vetëm të tij –shqiptarët, duke mos e lënë në duart e ‘Rilindësve’, të cilët janë duke e shndërruar vendin në gropë septike ku do derdhen ujërat e zeza të mafias ballkanike dhe evropiane.
Ka shumëçka që të çon të besosh se është e pamundur të ketë shqiptarë që ende nuk e kanë kuptuar se Kryeministri i sotëm i Shqipërisë nuk ndjehet rehat në lëkurën e shqiptarit dhe të vendit që drejton, gjë që atë e bënë të afërt me Beogradin a të largët me Prishtinën.
Pra ka mjaftueshëm të dhëna që të çojnë të besosh se shumica e shqiptarëve e kanë kuptuar se sa më shumë ‘pyllëzohet’ me kulla dhe ngjitet lartësive qiellore, aq më shumë Shqipëria shkëputet nga e vërteta e saj shqiptare dhe, sa më shumë ajo shfytyrohet me ngrehinat shumëkatëshe, aq më e thellë bëhet gropa e krimit ku ‘kalbet’ mëmëdheu ynë.
Por sidoqoftë, e çfarëdo që të themi për të, duhet pranuar se Kryeministri aktual i Shqipërisë ka arritur diçka të paimagjinueshme: shumë nga ne i bëri të mos jenë ‘mjaftueshëm’ shqiptarë, të turpërohen nga patriotizmi dhe atdhetaria si dhe, të mos u pengojë era e qelbur e plehut kriminal që ka mbuluar vendin, pleh që e ka bërë mëmëdheun të pabanueshëm për rininë shqiptare.
Pra, disa nga ne, ai i bëri të pandjeshëm ndaj fatit të Yllit tonë polar – Shqipërisë, si dhe, ndaj fatit ton kolektivë. E me çka, shumë nga ne, aq u verbëruam sa nuk a pamë se mëmëdheun tonë nuk janë duke e braktisur vetëm banorët e saj, por edhe guximi qytetar, edhe ndershmëria e krenaria kombëtare, se Shqipëria është katandisur udhës të bëhet atdhe i përshtatshëm vetëm për të ngjashmit me Kryeministrin e sotëm të saj – i të ‘pa brekëve’, i të ardhurve nga plazhet nudistë.
Po pra, dihet se Kryeministri i Shqipërisë, madhështinë e vet politike e ndërton duke e shikuar me përbuzje dhe me bisht të syrit vogëlsinë e çdo shqiptari që nuk pajtohet me të. Por ajo që nuk dihet ka të bëjë me ne që ende nuk e kemi kuptuar se ka ardhur koha kur nuk kemi pse merremi dhe pse i hidhërohemi Kryeministrit të Shqipërisë, por kur duhet t’ia japim një shkelmë b….ve vetvetes.

Nga Kim Mehmeti