Të Fundit
Mexheleja – Kodi Civil Osman dhe trashëgimia juridike osmane në Shqipërinë e viteve 1912-1929

Mexheleja – Kodi Civil Osman dhe trashëgimia juridike osmane në Shqipërinë e viteve 1912-1929

Dr. Hasan BELLO

Instituti i Historisë – Tiranë

1. Si dhe kur u hartua Kodi Civil Osman (Mexheleja)

Sistemi ligjor osman deri nga fillimi i shek. XIX gëzonte unitet të plotë. Përgjatë pesë shekujve me radhë në strukturën ligjore të Perandorisë Osmane nuk kishte pasur ndryshime thelbësore, përveç disa ligjeve që evoluuan natyrshëm në raport me zgjerimin e administratës. Por, duke nisur nga viti 1839, kur u shpall Dekreti Perandorak i Reformave, i cili në histori njihet me emrin reformat e Tanzimatit, ligji osman filloi të ndryshojë dukshëm nga ai i periudhës së kaluar.

Përpara reformave të Tanzimatit, në sistemin ligjor të Perandorisë Osmane mbizotëronte ligji islam (Sher’î Hukuk). Problemet dhe mangësitë që shfaqeshin gjatë administrimit të këtij ligji plotësoheshin nga parimet e ligjit tradicional (Örfi Hukuk), duke krijuar kështu një kompaktitet në sistemin ligjor osman. Në periudhën e Tanzimatit, bota perëndimore dhe sistemi i saj ligjor, i cili më parë nuk ishte marrë në konsideratë, filloi të shfaqej gjithnjë e më shumë në sfond.

Me reformat e Tanzimatit në fushën ligjore dhe në fusha të tjera nisi një periudhë e re, me orientim perëndimor. Struktura legjislative osmane mori çdo ditë e më shumë natyrë evropiane.[1] Arsyeja më e rëndësishme për këtë ishte fakti se qeveritarët osmanë u ndikuan shumë nga lëvizjet dhe doktrinat juridike që po zhvilloheshin në perëndim.[2]

Shteti osman, i cili vazhdimisht dobësohej deri në shek. XIX, iu nënshtrua një sërë reformash që synonin përmirësimin e sistemit ligjor. Pushtetarët osmanë e konsideruan rrugën drejt perëndimit në të gjitha fushat si një shndërrim dhe një qëllim të arritshëm për të shpëtuar shtetin. Mendimtari dhe drejtuesi osman i shek. XIX përpiqej t`i projektonte dhe zbatonte reformat e nevojshme brenda një dileme gjysmë islamiste dhe gjysmë perëndimore.[3] E vetmja mangësi e këtij procesi ishte fakti se, elita politike osmane pa u menduar mirë nëse do t`i përshtateshin ose jo strukturës shoqërore dhe nëse do t`u përgjigjeshin kërkesave ligjore, e pa të nevojshme ndërmarrjen e reformave në strukturën ligjore osmane, si dhe në fushën e kodifikimit, duke ndjekur shembullin evropian. Sipas shumë studiuesve ligjet perëndimore u përvetësuan verbërisht, pa u parë mirë nëse funksiononin në harmoni me ligjet osmane. Kështu, ato dëmtuan rëndë unitetin e sistemit ligjor osman, duke krijuar vartësi ndaj ligjit perëndimor dhe duke krijuar terren për pranimin e tërësishëm të tij në të ardhmen. Siç edhe ndodhi për shembull në periudhën e Republikës Turke pas vitit 1923. Këto konstatime bëhen duke pasur parasysh specifikat politike, historike dhe strukturën sociale të shoqërisë osmane, pasi dihet se ligjet perëndimore tepër moderne për kohën ishin hartuar duke pasur parasysh këto specifika, të cilat ishin të ndryshme nga ato të Perandorisë Osmane.

Një rrethanë tjetër që i detyroi shtetarët osmanë për të ndërmarrë reforma në strukturën ligjore ishte presioni i vazhdueshëm i shteteve evropiane.[4] Kjo, për shkak të nevojave që kishin këto shtete pas Revolucionit Industrial të vitit 1840 për të gjetur tregje të reja dhe për të siguruar infrastrukturën e duhur ligjore në këto shtete. Por nuk duhet neglizhuar edhe politika që ato ndiqnin për të siguruar “pakicat” e tyre kombëtare dhe religjioze brenda Perandorisë Osmane.[5]

Ligji më i rëndësishëm që u hartua në periudhën e Tanzimatit ishte Kodi Civil Osman (Mecelle-i Ahkam-i Adliye) ose i quajtur ndryshe “Libri i Rregullave dhe i Drejtësisë”. Fillimisht elita e juristëve osmanë u nda në dy grupe kryesore:

a) në grupimin e kryesuar nga Ali Pasha dhe Mit`hat Pasha të cilët, nën presionin e Francës ishin për përkthimin dhe aplikimin e Kodit Civil Francez (Code Napoleon).

b) në grupimin e kryesuar nga Xhevdet Ahmed Pasha, të cilët mendonin se duhej hartuar një Kod Civil në përputhje me specifikat social-politike dhe religjioze të shoqërisë dhe shtetit osman.[6]

Për këtë u ngrit një komision për të kontrolluar dispozitat e Kodit Civil Francez dhe për të vlerësuar se cilat prej tyre ishin në harmoni të plotë me ecurinë e bërë në këtë fushë. Ndërkohë ideja e përgatitjes së Kodit Civil nëpërmjet shqyrtimit të parimeve islame u përforcua sidomos me përpjekjet e Ahmed Xhevdet Pashës. Për këtë u themelua një komision nën kryesimin e tij dhe filloi të punojë për përgatitjen e Kodit Civil, të bazuar në parimet e shkollës juridike hanefite. Ky Komision i vazhdoi punimet nga viti 1868 deri në vitin 1889. Kodi Civil Osman (Mecelle-ja) u publikua dhe hyri në fuqi në formën e një serie prej gjashtëmbëdhjetë vëllimesh me gjithsej 1851 artikuj. Hyrja dhe vëllimi i parë u publikuan në vitin 1869. Ndërsa vëllimi i gjashtëmbëdhjetë u përgatit dhe hyri në fuqi në vitin 1876.

Ahmed Xhevdet Pasha luajti rol kryesor në hartimin e dispozitave të Kodit Civil Osman. Sipas tij, Kodi Civil Francez ishte themeli i “kombit” në shoqëritë evropiane, ndërsa bashkësitë islame duhet të qëndronin mbi themelet e fikhut.[7]

Ky Kod ishte shembulli i parë i kodifikimit të ligjit islam në Perandorinë Osmane. Ai, hapi rrugën dhe shërbeu si shembull për përpjekje të mëtejshme në kodifikimin e ligjeve në shtetin osman si dhe në shtetet e tjera myslimane që do të krijoheshin më vonë përgjatë shek. XX. Për këtë arsye, specialistët që janë marrë me këtë çështje, kanë theksuar Mexhele-ja nuk zë vend të veçantë vetëm në historinë osmane, por në të gjithë historinë e jurisprudencës islame.[8]

Nën shembullin e Mexhelesë në këtë periudhë u hartuan edhe dy kode të tjera: Kodi i Procedurës Penale në vitin 1879, i cili u përgatit duke marrë për bazë Kodin Francez të Procedurës Penale[9] dhe Kodi i Procedurës Civile në vitin 1880, i cili u përgatit nga kombinimi i draftit të paraqitur nga Komisioni i Mexhelesë dhe nga Kodi Francez i Procedurës Civile.[10]

2. Reformimi i sistemit ligjor shqiptar dhe abrogimi i Kodit Civil Osman

Shqipëria, e cila u krijua si shtet i pavarur më 28 nëntor 1912, deri sa të hartonte një legjislacion kombëtar, ndjeu nevojën që të pranonte përkohësisht ligjet, kodet dhe rregulloret e ish-Perandorisë Osmane.[11] Sistemi gjyqësor ruajti pak a shumë po të njëjtin organizim. Kryetari i Gjykatës Penale dhe Politike të Vlorës, Kristo Floqi, lidhur me këtë çështje në gazetën zyrtare të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës “Përlindja e Shqipënisë” shkruante se gjykatat shqiptare kur kishin filluar aktivitetin e tyre ishin përballur me nevojën e përdorimit të një sistemi gjyqësor. Për këtë, ministri i Drejtësisë, në bazë të një vendimi të qeverisë kishte dhënë urdhër që të përdorej legjislacioni osman, deri sa Parlamenti Shqiptar zyrtarisht të vendoste sistemin më të mirë gjyqësor për nevojat e Shqipërisë e të shqiptarëve, në raport kjo edhe me natyrën e karakterin e shqiptarit.[12] Sipas tij, këtë ajo e kishte pranuar për dy arsye kryesore: e para, se s’mund të përgatiste menjëherë një sistem ligjesh të veçanta, të cilat donin njerëz dhe kohën e tyre për t`u bërë dhe, e dyta, se me këto ligje ishin të stërvitur të gjithë ata që ishin thirrur si nëpunës të sistemit gjyqësor. “Tani-vijonte më tej Kristo Floqi- në janë a po jo të nevojshme nomet e Turqisë edhe për Shqipërinë, në i përkasin apo jo këto natyrës dhe karakterit shqiptar, ose cili sistem ligjor ngjan më i mirë dhe më i dobishëm për Shqipërinë, këto janë pika të cilat do nisim t`i sqarojmë e t`i shohim me radhë edhe ngadalë që në numrin që vjen pas.[13] Por, situata politike, që u krijua brenda vendit “turbullimet e shpeshta, lufta e përgjithshme dhe okupacionet e huaja nuk premtuen me formue një legjislaturë kombëtare”.[14] Edhe austro-hungarezët në një raport të detajuar mbi organizimin e shtetit shqiptar të hartuar më 16 tetor 1913 ishin të mendimit se sistemi ligjor duhej transformuar në mënyrë graduale. Sipas këtij raporti, e drejta islame mbi familjen dhe trashëgiminë, e drejta private, institucionet esenciale, në të cilat e drejta ekzistuese në Shqipëri devijonte prej asaj evropiane, duhej që të ruheshin medoemos.[15] Kjo, vlente edhe për organizimin e pushtetit lokal, mbasi sipas këtij raporti, në shtetet ballkanike procedura burokratike evropiane të çonte vetëm në një vonesë të veprimeve.[16]

Një qëndrim i njëjtë në këtë aspekt u mbajt edhe në periudhën e principatës shqiptare. Në dekretin që princ Widi nxori më 4 qershor 1914 për organizimin e gjykatave shqiptare shkruhej se, deri sa të hartohej legjislacioni i ri, do të ruheshin ligjet e Turqisë që kishin qenë miratuar përpara themelimit të shtetit shqiptar (nenin 32).[17] Edhe korpskomanda austro-hungareze me qendër në Shkodër, e cila në vitet e Luftës së Parë Botërore kishte pushtuar një pjesë të madhe të territoreve të Shqipërisë Veriore dhe të Mesme, në organizimin provizor të gjykatave civile, ruajti ligjet dhe sistemin gjyqësor osman.[18]

Në rregulloren provizore të organizimit të çështjeve të sheriatit në Shqipëri, si në kohën e Perandorisë Osmane, parashikohej ruajtja dhe funksionimi i gjykatave të sheriatit, të cilat, do ta ushtronin veprimtarinë e tyre mbi bazën e jurisprudencës islame. Këto gjykata, do të ishin nën varësi të Këshillit të Naltë, që ishte edhe instanca më e lartë për çështjet e fesë islame në Shqipëri. E drejta e zgjedhjes së gjyqtarëve të sheriatit i përkiste këtij organi.[19] Në bazë të nenit 9 të kësaj rregulloreje, gjykatat e sheriatit, që ishin nën drejtimin e një myfti-kadiu, quheshin gjykata të shkallës së I, ndërsa ato që ishin nën drejtimin e një naibi gjykata të shkallës së II.[20] Juridiksioni mbi pjesëtarët e besimeve të tjera në çështjet civile (martesës, familjes, trashëgimisë) ishte ekskluzivitet pjesërisht i autoriteteve konfensionale kompetente dhe pjesërisht i gjykatave civile. Por, edhe pjesëtarët e fesë islame ishin të lirë, në qoftë se kishin dëshirë, t’u drejtoheshin gjykatave civile kompetente në çështjet e trashëgimisë. Kjo dispozitë, kishte për qëllim për të mësuar gradualisht edhe popullsinë myslimane, që lidhur me problemet e mësipërme, në ardhmen t`i drejtohej gjykatave civile.[21] Në marrëveshje me Këshillin e Naltë të Sheriatit, komanda ushtarake austro-hungareze, për t`i kontrolluar më lehtë të gjitha çështjet e kultit islam, bashkoi postin e kadiut me atë të myftiut dhe ngriti gjykata në të gjitha kryeqendrat e qarqeve. Për t`ia bërë popullit sa më të pranueshme, për t`i bërë të ditur se esenca e institucioneve islame mbetej e paprekur dhe se vetëm forma ndryshohej, gjykatësve të sheriatit të qyteteve të mëdha iu dha titulli “Kadi-myfti”, ndërsa atyre të qyteteve më të vogla, sipas shembullit turk, titulli “Naib”.[22] Gjykata sheriati me një “Kadi-myfti” në krye u ngritën në Shkodër, Tiranë, Elbasan dhe Berat. Ndërsa gjykata sheriati të kryesuara nga “Naib-ët” u ngritën në Lezhë, Pukë, Krujë, Mat, Durrës, Shijak, Kavajë, Peqin, Lushnjë, Gramsh, Fier, Ballsh, Skrapar, Peshkopi, Lumë, Gorë, Has, Krasniq.[23] Sipas raporteve të korpskomandës austro-hungareze, shumë shpejt në pjesën më të madhe të vendit gjyqet e sheriatit u bënë një institucion i njohur që çmoheshin dhe respektoheshin prej popullsisë. Por nuk mungonin edhe raste, siç ishte malësia e Gjakovës dhe zona e Gorës, ku këto gjyqe hasnin vështirësi nga popullsia, e cila zbatonte zakonet e vjetra në çështjet e divorcit, të drejtës së trashëgimisë, etj.[24]

Pas Kongresit të Lushnjës kur fillon realisht edhe procesi i konsolidimit të shtetit shqiptar, në shtypin e përditshëm nuk munguan artikuj të cilët bënin thirrje për t`u shkëputur një herë e përgjithmonë nga ligjet osmane. Kështu, në një shkrim i cili u botua në gazetën “Zani i ri” me pseudonimin “Komini” shkruhej se: “E kemi thënë kurdoherë se ligjet e përkthyeme të shteteve të huaj nuk bëjnë për ne. Ligjet e Turqisë na kanë çue deri sot në buzë të varrit e në qoftë se nuk bëhemi praktikë t`i shohim punët e nevojat tona për së afërmi, jemi të humbur. Ligjet e Turqisë që na shkatërruan deri sot do të bëhen shkak që të na shuajnë krejt prej faqes së dheut”.[25] Pavarësisht ndaj këtyre mendimeve, elita politike shqiptare, e kushtëzuar edhe nga rrethanat historike vazhdoi të ndiqte një politikë të zëvendësimit gradual të legjislacionit osman. Kjo, vihet re edhe në nenin 13 të ligjit për organizimin e gjykatave shqiptare, miratuar më 28 janar 1923, në të cilin vazhdonin të njiheshin kompetencat e gjykatave fetare mbi këto çështje specifike:

a) Kurorëzim

b) Shkurorëzim

c) Detyrimet që rridhnin prej kurorëzimit

d) Kthimi i pajës dhe çështjet që rrjedhin prej moszbatimit të kontratës së pajës.

e) Ushqimi dhe edukimi i foshnjës pas shkurorëzimit.

Vendimet e Gjykatave fetare mbi çështjet e mësipërme do të zbatoheshin prej Zyrës së Përmbarimit.[26] Ndërsa po në nenin 16 të këtij ligji shkruhej se, ligjet e organizimit të gjykatave të miratuara që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe dispozitat e ligjeve otomane që binin në kundërshtim me këtë ligj, abrogoheshin.[27]

Trashëgimia juridike osmane u ruajt edhe në fushën penale. Kodi Penal Osman, i cili siç e kemi theksuar edhe më sipër ishte përgatitur, duke marrë për bazë Kodin Francez të Procedurës Penale, i cili u përkthye dhe u botua më 17 shkurt 1924 me autorizim të Ministrisë së Drejtësisë nga turqishtja, nga avokat Dhimitër Kacimbira dhe avokat Koço Tasi. Në kapakun e brendshëm të këtij botimi gjendet edhe parathënia e ministrit të Drejtësisë së asaj kohe, avokat Stavro Vinjau: “Djemtë e rinj që kanë mësuar në Evropë nuk kuptojnë më gjuhën turqishte dhe kështu nuk mundin të përdorin tekstet e ligjeve tona të shkruara në këtë gjuhë. Për të shëruar një nevojë të tillë Ministria e Drejtësisë fillon të përkthejë në gjuhën tonë këto tekste. Por, meqenëse kjo gjuhë çfaq disa mungesa në termat teknike, tekste autentikë do të jenë ato në gjuhën turqishte; përkthimet do të kenë vetëm një vlerë ndihmëse për profanët në gjuhën turke”.[28] Ndërsa përkthyesit në raportin e tyre për ministrinë e Drejtësisë, shkruajnë se: “Në bazë të kontratës së lidhun midis asaj Ministrie dhe të nënshkruëmvet, përkthyem në gjuhën shqip Ligjën Penale Otomane, nga teksti origjinal turqisht, në fuqi në Perandorinë Osmane gjer në nëntor 1912 dhe të adoptuar prej shtetit tonë”. Në fund të tekstit, përkthyesit duke pasur parasysh mungesën e terminologjisë teknike në fushën e jurisprudencës shqiptare në atë periudhë, kanë vendosur dhe një fjalorth shqip-turqisht.[29] Aspekte të legjislacionit osman u përdorën edhe në fusha të tjera. Kështu, në faqet e revistës “Jurisprudenca shqiptare” sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Drejtësisë avokat Qerim Çelo, përktheu nga origjinali turqisht “Dekretligj-Mbi shoqnit anonime dhe siguruese të huaja më datë 12 mars 1906 (1322)” e cila kishte gjithsej 36 nene dhe që do të përdorej për rregullimin e marrëdhënieve juridike midis shtetit shqiptar dhe shoqërive anonime.[30]

Mbi politikën e ndjekur deri atëherë në procesin e transformimit dhe modernizimit gradual të legjislacionit shqiptar, nga ai osman në atë perëndimor një nga juristët e njohur të viteve 20-të, avokat Elmas Kokona, shkruante se: “Kjo ishte një vepër thellë-kqyrëse e udhëheqësit të madh të kombit, birit të naltë të Atdheut, Ismail Qemali. Fati i Shqipërisë, prej disa shekujsh, me që ishte i bashkuem me të asaj perandorie dhe kështu gjith lidhjet dhe relacionet e popullit shqiptar me që ishin rregullue me ato ligje pra, një sundim i vërtetë, sidomos, ai, plaku filozof nuk ishte e mundur të vepronte ndryshe duke aprovue ligje të tjera të huaja me të cilat, një rregullim i përgjithshëm dhe i vazhdueshëm prej kaq kohësh, të bëhej pel-mel, menjëherë, si lesht e Arapit”.[31] Ai, nuk e mohonte aspak superioritetin e jurisprudencës perëndimore. Por, ishte i mendimit se Shqipëria duhej që të metat e saj në këtë aspekt t`i plotësonte shkallë-shkallë dhe të përparonte në rrugën e saj drejt një qytetërimi më të zhvilluar në formë evolutive. Ai ishte në kundërshtim me të imituarit verbërisht, pa caktuar dhe pa fiksuar me logjikë një burim në përputhje me nevojat e shoqërisë shqiptare. Për ta argumentuar këtë, ai shkruante se: “Historia dhe Filozofia e së Drejtës na tregon dhe nuk na lë të dyshojmë aspak se, ligjet janë rezultatet e zakoneve e traditave të kombeve. Pra, nuk mund të ndërrohen këto menjëherë. Por, përmirësohen dhe kështu ndërrimi ose më mirë të themi plotësimi i tyne bëhet dal-ka-dal, me një mënyrë të pandjeshme, duke mos i tronditur veprimet e përherëshme të popullit, duke i lënë ato në rrjedhën e tyne, duke ndjekur natyrën dhe rregullat e evolucionit. Se veprimi në të kundërtën nuk bie veçse dëm, veç se shkatërrim”.[32]

Në kuadër të modernizimit të legjislacionit vendas, në përputhje me modelin perëndimor të ndërtimit të shtetit shqiptar, në vitin 1926 në Ministrinë e Drejtësisë u formua një komision për të hartuar një Kod të ri Penal. Atëherë ministër i Drejtësisë ishte Petër Poga dhe këshilltar i Ministrisë Faik Shatku. Mehdi Frashëri, në kujtimet e tij shkruan se: “Një ditë, kur fjalosesha me Faik Shatkun, i thashë se është e mira që të hartoheshin jo vetëm kodi penal, por të pesë kodet, d.m.th edhe Kodi Civil, Kodi Tregtar, Procedura Civile dhe Procedura Penale”.[33] Më i zorshëm dhe vështirësi më e madhe, sipas tij, ishte hartimi i Kodit Civil. Për këtë, në vitin 1927 u formua një komision ligj-përgatitës me dekret presidencial, i përbërë prej katër personash: Thoma Orollagai, Agjah Libohova, Faik Shatku dhe Mehdi Frashëri. Kur u përhap fjala se do të lihej mënjanë “Mexhelle-ja” dhe do të adoptohej Kodi Civil, nga të gjitha anët, – shkruan Mehdi Frashëri – kishte dalë një zë kundërshtimi, “sidomos nga kleri katolik, i cili, në asnjë mënyrë nuk donte të pranonte martesën civile dhe shkurorëzimin. Pjesa ortodokse shqiptare kundërshtonte fort pak. Juristët që kishin qenë nënpunës ose avokatë në Turqi, dëshironin që të adoptohej Kodi Civil Zvicerian, për shkak se e kishte pranuar Turqia qemaliste dhe i kishte të përkthyera në turqisht komentet përkatëse të atij kodi.[34] Këtë mendim, sipas tij, “ata e justifikonin duke thënë se, përveç turqishtes, nuk dinin ndonjë gjuhë tjetër për të studiuar kodin e ri dhe komentet e tyre, kurse komisioni përpiqej si e si të krijonte një Kod Civil, që të ishte më i perfeksionuari në shek. XX dhe më i përshtatshëm për nevojat shqiptare”.[35] Pohimi i mësipërm i Mehdi Frashërit se përveç turqishtes ata nuk dinin ndonjë gjuhë tjetër, për mendimin tonë nuk qëndron, sepse siç shihet dhe nga tabelat e mëposhtme një pjesë e madhe e nëpunësve shqiptarë kishin mbaruar për jurisprudencë ose për shkenca politike dhe administrative, fakultete në të cilat gjuha frënge ishte kusht i domosdoshëm dhe modë për burokracinë osmane të asaj kohe.

Për hartimin e neneve të Kodit të ri Civil u morën parasysh kodet civile gjermane, zvicerane dhe kodi civil i gjykatave mikse të Egjiptit. Nga Kodi Rural Osman, i cili përmbante dispozita shumë praktike për punimin e tokave djerrë, që nuk i përkisnin ndonjë njeriu tjetër, u morën disa nene të cilat i jepnin të drejtë pronësie punuesit të parë që merrte leje prej qeverisë dhe punimin e vinte në praktikë brenda tre vjetësh.[36]

Hartimi i Kodit të ri Civil ngjalli reagime, shumë njerëz iu drejtuan personalisht Ahmet Zogut, që atëherë ishte kryetar i Republikës Shqiptare, për të mos vënë në veprim Kodin Civil.[37] Por, Zogu, – shkruan Mehdi Frashëri – kishte sjellë bindje dhe gjithë insinuatat i kishte larguar.

Në diskutimet që u zhvilluan në parlamentin shqiptar lidhur me miratimin e Kodit Civil, krahasuar me deputetët e besimeve të tjera, deputetët myslimanë të cilët edhe prekeshin më shumë, mbajtën një qëndrim parimor. Ata vunë në dukje përparësitë që sillte Kodi Civil në jetën shoqërore dhe në përmirësimin e të drejtave të gruas në familje dhe iu kundërvunë diskutimit të deputetëve të ndonjë besimi tjetër, të cilët e quajtën të papranueshëm kapitullin që sanksiononte të drejtën e shkurorëzimit e sidomos kundër së drejtës që i jepej gruas për të prishur martesën. Në fjalën e tij deputeti Sali Vuçiterni, i cili ishte një nga figurat e njohura të Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe njeri i afërt me Ahmet Zogun, deklaroi se Kodi Civil nuk urdhëronte divorc, por vetëm e pranonte atë. Sipas tij, Shqiptari i çfarëdolloj feje që të ishte, në bazë të këtij Kodi mund t`i drejtohej zyrës së shtetit e të kërkonte divorcin dhe ajo zyrë ishte e detyruar t`a pranonte.[38]

Ndërsa një personalitet tjetër po aq i njohur siç ishte Ferit Vokopola, lidhur me miratimin e Kodit Civil deklaroi se: “Me këtë Kod shoqëria shqiptare ka hedhur çapin më të qëndrueshëm në rrugën e qytetërimit”.[39] Komuniteti Mysliman Shqiptar qëndrimin e vet ndaj Kodit Civil e shprehu edhe me një artikull që u botua në revistën “Zani i Naltë”. Në këtë artikull shkruhej se anëtarët e tij nuk ishin kundërshtarë të Kodit Civil, pasi e kuptonin se në një vend me disa religjione, çështja e të bërit të ligjeve dhe të aplikimit të tyre nuk i përkiste fesë, por kombit. Ky Kod Civil nuk sillte asnjë pengim në ndërgjegjen e frymëzuar nga feja islame dhe mund të aplikohej me ndërgjegje nga çdo mysliman.[40] Në fjalën e mbajtur në parlament, Sali Vuçiterni, evidentoi rolin pozitiv që luajtën myslimanët, duke mos bërë asnjë ankim. Ai i përgëzoi ata për faktin se ashtu siç kishin bërë sakrifica për sigurimin e pavarësisë kombëtare, tani po bënin sakrifica edhe për votimin e këtij Kodi. Këtë qëndrim pozitiv të deputetëve, klerit dhe popullsisë myslimane e vlerësoi edhe shtypi i kohës.

Sipas nenit 57 të ligjit mbi aplikimin e Kodit Civil, kompetenca e gjykatave fetare për martesë, veçim, shkurorëzim, ushqim, edukim, prikë dhe pajë, abrogohej. Sekretarët e gjykatave fetare detyroheshin t`i dorëzonin të gjithë regjistrat, dosjet dhe aktet e këtyre çështjeve prokurorit, i cili duhet t`ia dorëzonte ato gjykatave kompetente. Në vendet ku nuk kishte prokuror, aktet i dërgoheshin gjyqtarit paqtues, i cili ato çështje që nuk ishin kompetencë e tij duhet t`ia dërgonte gjykatave përkatëse. Çështjet, të cilat, ditën që hynte në fuqi Kodi Civil ndodheshin nën shqyrtim të gjykatave fetare, kalonin po në të njëjtën shkallë të gjykatave civile (neni 58).[41] Sipas nenit 61, “Mexheleja, kodi i tokave, dispozitat e Vesaja, të Feraizit si dhe të gjith dispozitat e tjera të Sheris dhe ato eklasiastike që i përkasin të drejtës familjare dhe të drejtave civile të tjera e përgjithësisht, të gjithë ligjet që janë në kundërshtim me Kodin e ri Civil, abrogohen”.[42]

Shtypi i kohës shkruante se Kodi i ri Civil kishte rëndësi të madhe edhe në pikëpamjen e dispozitave të martesës civile, e cila, kishte për të lehtësuar bashkimin e elementëve të ndryshëm fetar.[43] Pasi u organizua shteti dhe regjimi, të gjitha degët e administratës dhe të makinës shtetërore u organizuan mbi baza moderne.[44] Këto zhvillime u realizuan në përputhje me hapat e kohës, pasi edhe vetë Republika Turke që më 17 shkurt 1926 e kishte abroguar Kodin Civil Osman (Mexhelenë), duke e zëvendësuar atë me Kodin Civil Zviceran.[45] Por ndryshe nga elita politike turke, e cila e futi shoqërinë e saj në ndryshime radikale, elita politike shqiptare preferoi në përputhje me rrethanat historike, një transformim evolutiv.

Me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Civil, më 1 prill 1939, merr fund edhe trashëgimia juridike osmane në Shqipëri.

Një faktor që ndikoi në jetëgjatësinë e kësaj trashëgimie ishte fakti se një numër i madh personalitetesh shqiptare kishin studiuar në katedrat e Stambollit. Këtu bëjnë pjesë, bie fjala, edhe dy ish-ministra Drejtësie të krishterë siç ishte Petro Poga, i diplomuar në shkollën e drejtësisë Mektebi Sulltani (Mekteb-i Sultânî-Shkolla Mbretërore) më 1883 dhe Pertef Pogoni, i cili kishte përfunduar shkollën e Shkencave Politike dhe Administrative në Stamboll (Mülkiye). Ky aspekt pasqyrohet akoma më mirë dhe nga tabelat e mëposhtme.

Tabela. I

Studentët shqiptarë që studionin në Fakultetin e Shkencave Politike

dhe Administrative të Stambollit në vitet 1909-1910[46]

Nr.

Emri
Vendlindja
1 Abedin Nepravishta Gjirokastër
2 Bahri Karagjozi Gjirokastër
3 Bahri Omari Gjirokastër
4 Faik Dishnica Përmet
5 Hajri Çani Gjirokastër
6 Hysni Çabej Gjirokastër
7 Ibrahim Et`hem Leskoviku Leskovik
8 Ihsan Murati Ohër
9 Ismail Vehbi Leskoviku Leskovik
1 Izet Prizreni Prizren
Mahmud Nedim Përlepja Prilep
Mehmet Mit`hat Janina Janinë
Mustafa Asim Merlika Krujë
Myin Myezini Vlorë
Sulejman Ruhi Përmeti Përmet
Shaban Shefqet Vuçiterni Prishtinë
Shefqet Leskoviku Leskoviku
Xhaferr Vila Korçë
Zyhdi Karagjozi Gjirokastër

Tabela. II

Studentët shqiptarë që studionin në Fakultetin e Juridik të Stambollit

në vitet 1909-1910[47]

N Emri Vendlindja
1 Xhevdet Musta Gjirokastër
2 Ragip Ibrahimi Borsh
3 Hysej Sulua Libohovë
4 Sulo Bogdo Libohovë
5 Ahmed Xhevdet Çani Gjirokastër
6 Fehim Qorri Libohovë
7 Taip Çomua Libohovë
8 Ferdi Kumbaro Libohovë
9 Namik Libohova Libohovë
Ulvi Kade Libohovë
Fazli Gjirokastra Gjirokastër
Xhelal Angoni Gjirokastër
Sezai Libohova Libohovë
Hamid Remzi Myftiu Berat
Behxhet Frashëri Frashëri
Kahreman Frashëri Frashëri
Nikollaq Viska Korçë
Muço Qulli Leskovik
Sadedin Avni Struga Strugë
Sabri Qyteza Korçë
Ismet Çano Libohovë
Muhidin Manastiri Manastir
Behxhet Reka Rekë
Fuat Fico Gjirokastër
Beqir Sami Kosova Kosovë
Halid Kërçova Kërçovë
Sejfedin Manastiri Manastir
Rasim Babameto Gjirokastër
Shemsi Manastiri Manastir
Faik Prizreni Prizren
Muslis Reka Rekë
Selami Libohova Libohovë
Ferid Manastiri Manastir
Emrullah Hilmi Ohri Ohër
Andrea Apostoli Berat
Ataullah Preveza Prevezë
Agjah Libohova Libohovë

Tabela. III

Studentët shqiptarë që studionin në medresetë e Stambollit

në vitet 1909-1910[48]

N Emri Vendlindja
1 Mehmet Ali Kosova Kosovë
2 Murat Kosova Kosovë
3 Hysejn Remzi Dibra Dibër
4 Nexhmedin Behxhet Reka Rekë
5 Hysni Kosova Kosovë
6 Demir Kosova Kosovë
7 Ali Peja Pejë
8 Xhevat Peja Pejë
9 Osman Pertev Shkodra Shkodër
Aqif Namik Shkodra Shkodër
Hysni Durrësi Durrës
Jusuf Durrësi Durrës
Abdyrrahim Dibra Dibër
Kerim Durrësi Durrës
Kasem Tirana Tiranë
Nuredin Mezini Gjirokastër
Salih Elbasani Elbasani
Hasan Tahsin Çani Margarit
Haxhi Jusuf Janina Janina

Tabela. IV

Studentët shqiptarë që studionin në shkollën e kadive në Stamboll

në vitet 1909-1910[49]

N Emri Vendlindja
1 Shefqet Kokona Gjirokastër
2 Hudaverdi Jahua Gjirokastër
3 Refik Gega Gjirokastër
4 Hafiz Kavaja Kavajë
5 Alaedin Kosturi Kostur
6 Ismet Hivzi Gjirokastra Gjirokastër

Mexheleja, e cila u zbatua për 57 vite me radhë në Perandorinë Osmane dhe në Republikën Turke, në disa vende, ashtu si në Shqipëri, vazhdoi të aplikohej edhe më vonë. Kështu, në Liban ajo qëndroi në fuqi deri në vitin 1932, në Siri deri në vitin 1949, në Irak deri në vitin 1953, ndërsa në Jugosllavi disa nene të saj patën jetëgjatësi edhe për shumë kohë për pakicat myslimane. Sipas disa studiuesve edhe sot e kësaj dite bazat e Kodit Civil në Jordani, Qipro dhe Izrael akoma mbështeten në Kodin Civil Osman ose, Mexhelenë.[50] _______________________

[1] Eryılmaz, Bilal, Tanzimat ve Yönetimde Modernleşme, Istanbul: İşaret Yayınları, 1992:225.

[2] Yavuz, Hulusi, “Mecelle’nin Tedvini ve Cevdet Paşa’nın Hizmetleri”, Ahmet Cevdet Paşa Semineri, İ. Ü. Edebiyat Fakültesi Tarih Araştırma Merkezi, İstanbul, 1986:45-46.

[3] Ortaylı, Ilber, İmparatorluğun En Uzun Yüzyılı, Istanbul: Timaş, 2008:210.

[4] Paşa, Cevdet, Tezâkir 1-12, Ankara: Türk Tarih Kurumu, 1991:63.

[5] Eryılmaz, Bilal, Tanzimat ve Yönetimde…, f. 235.

[6] Aydın, Mehmet Akif, İslâm ve Osmanlı Hukuku Araştırmaları, İz Yayıncılık, İstanbul, 1996:48-49.

[7] Berkes, Niyazi, Türkiye`de Çağdaşlaşma, Ankara: Bilgi Yayınevi, 1973:198-199.

[8] Aydın, Mehmet Âkif, “Mecelle‘nin Hazırlanışı“, Osmanlı Araştırmaları-IX, İstanbul, 1989:31-50.

[9] Velidedeolu, Hıfzı Veldet, “Kanunlaştırma Hareketleri ve Tanzimat”, Tanzimat I, Stamboll 1940:198.

[10] Ebu’l ula Mardin, Medenî Hukuk Cephesinden Ahmet Cevdet Paşa, Ankara: T.D.V.Y, 1996:126.

[11] Jurisprudenca shqiptare, “Raporti justifikues i Kodit Tregtar”, nr. 10-11-12, 1930:58.

[12] Floqi, Kristo, “Gjygjësia në Shqipëri-I”, Përlindja e Shqipënisë, nr.1, 3 gusht 1913, f. 3.

[13] Floqi, Kristo, “Gjygjësia në Shqipëri-II”, Përlindja e Shqipënisë, nr.3, 7 gusht 1913, f. 3.

[14] Po aty.

[15] Haus und Hof Staats Archiv, Wien, Politisches Archiv, Albanien (më tej: HHSt.A.PA.A.), në Arkivin e Institutit të Historisë (më tej: AIH), Vj, 23-20-2012. Raport i detajuar mbi organizimin e shtetit shqiptar, Vjenë, 16.10.1913.

[16] Po aty, f. 27.

[17] Shteti Shqiptar-Ligjet e reja, Korçë: Korça, 1920, f. 13-14.

[18] HHSt.A.PA.A. në AIH, Vj, 26-16-1660, Organizimi provizor i gjyqeve civile në Shqipëri, Shkodër, 8.10.1916.

[19] HHSt.A.PA.A., Vj, 27-63, Rregullore provizore e organizimit të çështjeve të sheriatit në Shqipëri, Shkodër, 25 qershor 1917.

[20] Po aty.

[21] Po aty, Vj, 27-61, Çështjet e kultusit muhamedan në Shqipëri, Shkodër, 25 qershor 1917.

[22] Po aty, Vj, 27-60, Raport mbi çështjet e kultusit të Shqipërisë, Shkodër, 25 qershor 1917.

[23] Po aty.

[24] Po aty, Vj, 28-67, Raport administrativ i korpskomandës mbi çështjet e sheriatit, Shkodër, 23 mars 1918.

[25] Zani i ri, 23.3.1920, f. 1.

[26] Ligje e organizimit të gjykatavet, Tiranë: Mbrothësija, 1923, f. 5-6.

[27] Po aty, f. 6.

[28] Ligja Penale,Tiranë: Mbrothësia, 1924.

[29] Po aty, f. 72-74.

[30] Jurisprudenca shqiptare, “Dekretligj-Mbi shoqnit anonime dhe siguruese të huaja më datë 12 mars 1906 (1322)”, nr. 2, 1924, f. 141-145.

[31] Kokona, Elmas, Pris`i i gjykatësve përmbi rregullat e gjykimit të padinavet civile, Tiranë: Mbrothësia, 1925, f. 1.

[32] Po aty, f. 2.

[33] Mehdi Frashëri, Kujtime vitet 1913-1933, Tiranë: OMSCA-1, 2005, f.218.

[34] Po aty, f. 220.

[35] Po aty, f. 221.

[36] Po aty, f. 222.

[37] Po aty.

[38] Fletorja Zyrtare, nr. 41, 19 prill 1928, f. 6.

[39] Fletorja Zyrtare, nr. 2, 3 janar 1928, f. 6.

[40] Zani i Naltë, nr. 2-3, 1928, f. 469.

[41] Ligja për aplikimin e Kodit të ri Civil, Tiranë: Mbrothësia, 1928, f. 14.

[42] Po aty, f. 16.

[43] “Kodi Civil i ri”, Gazeta e Korçës, nr. 596, 30 mars 1929, f. 2.

[44] “Kodi Civil që sot hyn në fuqi”, Gazeta e Korçës, nr. 597, 1 prill 1929, f. 1.

[45] Türkiye Büyük Millet Meclisi Zabıt Ceridesi, 22. cilt. 17 Şubat 1926, s. 256-257.

[46] Këto tabela janë ndërtuar mbi bazën e të dhënave që na jep Mustafa Kruja për këto personalitete. Një pjesë e mbiemrave të tyre vjen nga vendi i origjinës, pasi në atë periudhë në përputhje me traditën islame nuk kishte mbiemra. Shih: Mustafa Kruja në historinë shqiptare, Tiranë: OMSCA-1, 2012:78-79.

[47] Po aty.

[48] Po aty, f.81.

[49] Po aty.

[50] Yavuz, Hulusi, “Mecelle’nin Tedvini ve Cevdet Paşa…”, f. 96; Abdullah Demir, Mecelle ve Külli Kaideler, Istanbul: Işık Akademi Yayınları, 2011:228.

(zaninalt)