Të Fundit
Nënë! Nuk ka si ti

Nënë! Nuk ka si ti

Nënë! Ti ishe strehëza ime e parë, brenda së cilës më krijoi Zoti, brenda së cilës më dha shpirt, më formësoi dhe më rriti, derisa më bëri të gatshme të shihja dritën e kësaj bote.

Nënë! Ti ishe e para që më buzëqeshe dhe që më urove mirëseardhjen në këtë botë; e para që më përkëdhele; e para që më ngrohe në prehrin tënd të pazëvendësueshëm.

Nënë! Ti ishe e para që më ushqeve, me ushqimin më të shijshëm, me qumështin e gjirit tënd. Ti ishe e para, zërin e së cilës njoha menjëherë sapo linda, zë, i cili më qetësoi dhe më bëri të ndihem e sigurt dhe e mbrojtur.

Nënë! Ti ishe ajo që më prezantoje si thesarin tënd më të çmuar te çdokush që vinte për të parë vajzën tënde të sapolindur. Me lindjen time, nata dhe dita për ty nuk kishin dallim, sytë e tu u divorcuan nga gjumi dhe rehatia për një kohë të caktuar, sepse tashmë kishe një tjetër synim, rehatinë time. Me lindjen time ndryshoi rrjedha e jetës tënde, në listën e përparësive të tua tashmë unë isha numri 1. Ah çfarë privilegji moj nënë!

Ti ishe e para, me të cilën komunikoja edhe pa lindur, por edhe pas lindjes. Fjalët e para që mësova i kam dhuratë prej teje; hapat e parë që hodha m’i mësove ti. Ti ishe ajo, që më bëri gati ditën e parë të shkollës. Ti ishe ajo, që më ndihmoi të hedh shkronjat e para në fletore. Zëri yt i ëmbël më zgjonte çdo mëngjes; me përrallat që më tregoje më zinte gjumi çdo natë; me gatimet e tua të shijshme më kënaqje gjithmonë. Si nuk the një herë: “U lodha?!”

Kur qaja pa fund, pa gjumë rrije vetëm ti. Ti je ajo nëna, që s’më la kurrë vetëm, edhe pse mijëra përgjegjësi të tjera të rëndonin mbi supe. S’duroje dot të më shikoje në shtrat të sëmurë, qoftë edhe thjesht me grip. Dorën tënde gjithmonë e kam ndier mbi kokë si ombrellë, e cila më mbronte nga shirat e rrëmbyeshëm që më sillte herë pas here jeta. Zëri yt ishte refreni im, që më tingëllonte në mendje pandërprerë. Ishe e vetmja që më doje pa çmim; më udhëzoje pa djallëzi; me verbëri më besoje, më kuptoje, më njihje. Ti ishe ajo që me qortoje, pa harruar asnjëherë të më shpjegoje, se çfarë ishte e drejtë dhe çfarë ishte gabim. Njeriun e thjeshtë e të mirë e kam trashëguar nga ti. Ti më pe tek u rrita, dallove te mua çdo ndryshim. Përjetove bashkë me mua çdo emocion timin me të njëjtin ankth, gëzim e pasion.

Njeriu, kur udhëton në një vend të panjohur, ka nevojë për dikë që ta shoqërojë, që ta udhëzojë dhe orientojë, si dhe ta mbrojë nga çdo rrezik i mundshëm. Nënë! Ti ishe shoqëruesja ime e parë dhe më e mirë në faqen e kësaj toke. Ti m’i mësove rrugët e jetës; ti më mbrojte si një luaneshë nga rreziqet, me të cilët përballesha gjatë rritjes time, si një krijesë e pafajshme.

Ti më rrite mua, ashtu siç rritet lulja më e bukur në bahçen parajsore, më ujite me dashurinë dhe mëshirën tënde, që të buronte nga thellësia e zemrës dhe që e reflektoje në kujdesin tënd ndaj meje. Falë përkushtimit tënd, më dhurove një fëmijëri që s’do ta harroj kurrë. Dhurata më e madhe që më dhe, ishin motrat dhe vëllezërit, tamam si një buqetë me lule shumëngjyrëshe dhe me aroma të këndshme, ndërsa ti ishe shporta jonë, ku ne hapnim petalet tona.

Edhe pse jam tashmë e rritur dhe ti e plakur, ende vazhdon të kujdesesh dhe të më ndihmosh. Sakrificat e tua për ne, fëmijët e tu, të janë vizatuar në fytyrën tënde, por kjo ta shton edhe më shumë bukurinë e një nëne, e cila ndihet krenare me bijtë e saj.

Nënë e dashur! Ti m’i mësove se si duhet t’i kryeja me sukses të gjitha rolet që do të më duheshin t’i luaja në këtë jetë, e cila është një teatër, ku të gjithë njerëzit janë aktorë, ku të gjithë kanë hyrje-dalje në të, dhe cilido prej tyre nuk ka veç një rol. Ti më dhe edukatën, armën time më të fortë në jetë, Ti ma bëre të dashur librin, oazin tim të dijes, më të cilin do të çaja pengesat që do të hasja dhe të lartësohesha në shoqëri; Ti më mësove rolin e bashkëshortes së denjë, e cila i ofron rehati dhe kënaqësi bashkëshortit të saj, këtë nuk ma mësove me fjalë, por me vepra, pasi ti ishe e tillë për babin tonë të shtrenjtë. Më e rëndësishmja, më mësove si të jem një nënë shembullore për fëmijët e saj, por a do të mundem të jem sa ty dhe si ti me fëmijët e mi, gjithsesi do të përpiqem.

Ti nuk je burim gëzimi dhe mirësie vetëm për mua, por edhe për fëmijët e mi, për nipërit e tu, të cilët sa herë të shohin, me hov të madh vrapojnë drejt teje e të hidhen në qafë për të të përqafuar. Ty moj nënë gjithçka të ka hije. Edhe rolin e gjyshes di ta luash aq bukur, saqë nuk ka kush të konkurron.

Nuk mund ta nis apo ta mbyll ditën pa dëgjuar zërin tënd nëpërmjet telefonit, apo pa të vizituar në shtëpi. Nënë! Ç’është ky magnet që më tërheq kaq fort drejt teje?! Prania jote në mesin tonë është si Dielli gjatë ditës dhe Hëna gjatë natës. A do të kishte kuptim dita pa dritën e Diellit?! A do të ishte e bukur nata pa ndriçimin e Hënës?! E ne karshi teje, jemi si yjet e vegjël rreth e rrotull Hënës së plotë.

E dashur nënë! Ti tashmë je plakur, rrudhat ta kanë pushtuar fytyrën, trupi të është ligështuar e fuqitë të janë sosur. Sëmundjet e ndryshme të trokasin çdo ditë shpesh e më shpesh e ilaçet kanë filluar të zënë më shumë vend në shtëpi. E gjithë kjo panoramë më brengos, sepse nuk e imagjinoj këtë botë pa ty; nuk dua ta paramendoj ndarjen prej teje. Do të doja që ajo ditë të ishte sa më larg të jetë e mundur, pasi me ty nuk ngopem kurrë, sa më shumë qëndroj pranë teje, aq më shumë më rritet oreksi për ty.

Pyes veten: A do të më mjaftojë koha të të falënderoj sa duhet, aq sa unë e ndiej?! A do të më mjaftojë koha të të dhuroj aq çaste lumturie e gëzimi, sa të të bëj të harrosh çdo vuajtje e mundim, çdo dhimbje e sakrificë tënden ndaj meje?! A jam duke kërkuar shumë?! Ti Zot që je në qiell, Ti që më dhe dhuratën më të çmuar në tokë, Nënën time, të lutem mos më ndaj prej saj pa ma plotësuar këtë dëshirë!

Sa i lidhur duhet të jesh me një person që t’i kushtosh një minutë? Po një orë? Po një ditë? Po një muaj? Po një vit? Po një jetë?! Ti nënë e dashur më konsiderove mua si gjënë më të shtrenjtë dhe gjithë jetën mua ma dedikove, prandaj edhe unë gjithçka që ndien zemra ime për ty u mundova ta përkthej në fjalë dhe t’i shkruaj këtu, një dhuratë për ty NËNË!

Leorta Sulku