Të Fundit
Pesë hapa për edukimin nëpërmjet dashurisë

Pesë hapa për edukimin nëpërmjet dashurisë

Lexues i dashur! Pasi kemi folur në shumë artikuj të tjerë mbi nevojat psikologjike të fëmijës dhe rëndësinë e plotësimit të tyre, në këtë artikull do të fokusohemi mbi edukimin e fëmijës nëpërmjet dashurisë, gjë e cila bëhet duke respektuar pesë hapa:

1 – Pranoje fëmijën tënd dhe tregohu tolerant me të!

Ndër sjelljet e çuditshme të disa njerëzve është se janë tejet tolerantë me njerëz që nuk i duan, duke i pranuar dhe u ofruar hapësira të konsiderueshme, me gjithë disa gabime të tyre, ndërkohë që u mungon kjo sjellje dhe komunikim pozitiv me fëmijët dhe bashkëshortet/tët e tyre, të  cilët i duan.

Të pranosh gabimet dhe shkarjet e fëmijëve, si dhe disa sjellje të bezdisshme të tyre (kokëfortësia, e qara, hedhja e sendeve, hapja e syrtarëve …) është një formë e shprehjes së dashurisë së vërtetë. Ajo është një urë që të shpie në korrigjimin e sjelljeve të padëshiruara.

Mbi të gjitha, ajo është një tregues se dashuria jote për fëmijët është e pakushtëzuar me një sjellje të caktuar, sidomos në moshën para dhjetë vjeçare, moshë e formimit, edukimit dhe orientimit. Dashuria konsiderohet si një ndër kolonat më të fuqishme të orientimit dhe edukimit pozitiv, e praktikuar mrekullueshëm nga i dërguari i Zotit a.s me fëmijët dhe nipërit e tij, duke na ofruar modelin më të mahnitshëm të dashurisë dhe edukimit.

2 – Ji tolerant me gabimet dhe korrigjoji me butësi!

Gabimet e vogla në jetën tonë familjare janë të shumta. Kështu, fëmijët bëjnë gabime në mënyrën e ngrënies, veshjes, ndërveprimit me gjërat përreth etj… Sakaq prindërit i shohin dhe konstatojnë gjatë gjithë kohës këto gabime. Ka prej tyre që i pranojnë dhe orvaten ti korrigjojnë me zemërgjerësi të madhe. Ka të tjerë që pozicionohen negativisht, nuk i tolerojnë aspak, i ndëshkojnë dhe reagojnë me dhunë dhe ashpërsi. Kjo është një sjellje e cila duhet evituar me fëmijët.

Gabimi është një sjellje njerëzore dhe gabimtarët më të mirë janë ata që pendohen. Gabimi më i madh është fokusimi tek një sjellje e gabuar e fëmijës dhe përgjithësimi i saj tek personaliteti i tij, duke e etiketuar me nofkën përkatëse. Nëse një fëmije i bie gota nga dora, babai e ironizon duke i thënë se është dështak, një kokë dembeli dhe një injorant. Kjo mënyrë komunikimi është dëmshme.

Një edukues pozitiv është ai që vendos ti konsiderojë gabimet e shumta të përditshme, si gabime të vogla dhe që nuk ia vlen tu kushtosh vëmendje. Ai fokusohet tek puna serioze për korrigjimin e këtyre sjelljeve me forma dhe rrugë të ndryshme, në vend që të përqendrohet tek kjo sjellje. Të heqësh dorë nga fokusimi dhe përqendrimi tek disa gabime duke i hedhur në koshin e plehrave, i fal edukuesit rehati dhe qetësi shpirtërore, si dhe i mëson ushtrimin e durimit, maturisë dhe vetëfrenimit, cilësi thelbësore për një edukues pozitiv.

3 – Solidarizohu me ata që i do!

Të solidarizohesh me fëmijët është një mënyrë sipërfaqësore, besojnë disa. Në fakt, ajo është një metodë e qartë e mënyrës së menduarit dhe prodhimit të sjelljeve pozitive të cilat realizojnë objektivat e njeriut.

Të solidarizohesh me fëmijën konsiderohet si një formë edukimi tepër efikase, pasi ndihmon në fokusimin e shëndoshë në realizimin e objektivave dhe distancimin nga reagimet hakmarrëse, të cilat shpesh herë janë motivi i vetëm i një sjellje të caktuar me pasoja fatale. Si shembull, mund të marrim një baba i cili e rreh djalin e tij të vogël duke e goditur me një dërrasë mbi të cilën janë ngulur gozhda.

Prind i dashur! Provoje të solidarizohesh me djalin tënd dhe do të vëresh rezultate të mrekullueshme, qetësi shpirtërore dhe rehati e cila do të mbushë jetën tënde dhe të familjes.

4 – Vlersoji njerëzit që do!

Sjellja më e keqe brenda familjes është injorimi i familjarëve dhe njerëzve të dashur. Injorimi prodhon mungesë respekti, gjë e cila vjen si pasojë e mos shprehjes së vlerësimit tonë me fjalë apo me sjellje pozitive.

Fëmija ka nevojë të ndihet i vlerësuar dhe kjo është një nevojë emergjente, të cilën mund t’ua plotësojmë me sjellje të vogla të cilat nuk duan më shumë sesa të mendojmë dhe ti ushtrojmë me çiltërsi. Këtu mund të fusim një lëvdatë, një buzëqeshje, mirënjohje dhe pranim i arritjeve të tjerëve.

Faleminderit, Zoti ta shpërbleftë me të mira, të lumtë, mashalla…. janë shprehje pozitive, të cilat po të shoqërohen nga buzëqeshje dhe fytyrë e çelur, i plotësojnë nevojat e të tjerëve për vlerësim dhe respekt.

Kujt i plotësohen nevojat për vlerësim, jeton i lumtur dhe ka gatishmëri për çdo lloj të mire, është i prirur drejt të mirës, e do vlerësuesin, është objektiv me të dhe i pranon këshillat dhe sugjerimet e tij.

5 – Fol miqësisht dhe me butësi me personat që i do!

Ashpërsia gjatë bisedës me fëmijët dhe komunikimit me ta, tallja dhe ironizomi i tyre, është një metodë tepër negative e përdorur nga disa prindër. Pasojat negative dhe afatgjata të saj janë tepër fatale.

Mungesa e miqësisë dhe butësisë në komunikimin me fëmijën, e bën të ndihet i fyer, i pavlerë, i demoralizuar dhe i persekutuar. Ashpërsia e shtyn fëmijën ose drejt vetmbylljes ose brishtësisë dhe dobësisë së përgjithshme. Ajo mund ta motivojë të adaptojë dhe sjellje hakmarrëse, të cilat shfaqen në forma të ndryshme si kokëfortësi, belbëzim, urinim të pavullnetshëm, dhunë dhe agresivitet, si dhe mbetje pas në mësime.

Prandaj miqësia dhe zemërbutësia është themeltare në procesin edukativ me fëmijët tanë. Një buzëqeshje, një fjalë e ëmbël, një përqafim… e motivojnë fëmijën ti përmbahet rregullit në mënyrë pozitive.

O nënë dhe motër! Kur rregulli depërton në jetën e fëmijës tënd, do të ndalen dhe lotët e tu dhe të tët shoqi. Asokohe do të pushtoheni nga qetësia shpirtërore dhe do u qetësohen nervat. Me qëllim që fëmija të bëjë atë që kërkon ti, duhet të jesh e vendosur, por jo e ashpër dhe e bezdisshme. Ashpërsia, bezdia dhe lëkundja në shpalljen e vendimeve, shkakton kriza zemërimi dhe tensioni tek fëmija.

Hiqe dhe anuloje fare ndëshkimin fizik nga mënyrat e kultivimit të rregullit në jetën e fëmijës tënd. Kjo formë mund ta detyrojë të heqë dorë momentalisht nga një sjellje problematike, por nëse duam që t’ia çrrënjosim këtë sjellje për një kohë afatgjatë, na lipset edukimi pozitiv. Ndëshkimi fizik nuk i shkakton dhimbje vetëm trupit, por edhe shpirtit. Ai i shkakton fëmijës tension pasi nuk e kupton përse i derdhet atij e gjithë zemërata dhe inati.

Herën e ardhshme, nëse fëmija hedh ushqim përtokë, e derdh mbi tapet, kafshon fëmijën që ka ardhur për vizitë etj… merr një frymëmarrje të thellë dhe zbatoji këshillat e mëposhtme. Kështu, fëmija do të motivohet për sjellje të rregullta.

Sigurohu se fëmija që akoma si ka mbushur akoma dy vjeç, nuk e kupton gabimin që po bën. Nëse i bërtet dhe çirresh në fytyrë, do të qajë, por sërish nuk do të kuptojë. Është më mirë ti thuash “Jo, mos e bëj këtë” dhe ta heqësh që andej. Fëmija është i aftë ta kuptojë domethënien e fjalës “jo” para se të mësojë kuptimin e “përse”.

Analizoji gjërat që bën sipas nivelit të tij të perceptimit. Nëse ai e derdh ushqimin nga pjata në mënyrë të befasishme dhe e hedh përtokë, ndalu pak dhe mendo pak më gjatë mbi shkakun që e shtyri të sillet ashtu. Ti mund ti kesh mësuar para disa ditësh si ti nxjerrë kubet nga kutia, e për rrjedhojë, ai thjesht ka dashur ta praktikojë diçka të tillë edhe me ushqimin.

Ndërgjegjësohu se fëmija yt i vogël bën vetëm ato gjëra që dëshiron ai. Nëse hyn në “luftë” me të, je e humbur, pasi ai nuk dëgjon veçse ato që dëshiron. Në vend që të kacafytesh me të duke o orvatur ti mësosh rregullat e lojës, mendo diçka që e bën ta pëlqejë rregullin. Provo ti japësh urdhra në formë loje duke i thënë për shembull; A mund ti grumbullosh këto lodra para se të numëroj deri në dhjetë? Kjo formë është shumë herë më e mirë sesa urdhrat dhe komandat.

Provo metodën e mbështetjes në vend të ndëshkimit. Kur fëmija është i përfshirë nga kriza nervozizmi dhe zemërimi, këshilla ime është që ta lësh në dhomën e tij derisa të qetësohet. Por, ndonjëherë atij i lipset mbështetja jote, ndikimi dhe kontrolli gjatë kësaj krize, gjë e cila e ndihmon të dalë nga kjo situatë. Nëse ndjen se ai dëshiron të qajë në prehrin tënd, përqafoje dhe ulu me të derisa të qetësohet, në vend që ti kërkosh të shkojë në dhomën e tij.

Mësoji fëmijës aftësitë dhe shkathtësitë sociale. Mund t’ia nisësh ndërkohë që ai bashkëpunon dhe ndërvepron me të tjerët në mënyrë pozitive. Ta shpërblesh, nuk do të thotë që gjithmonë ti jepet diçka materiale. I vogli lumturohet dhe gëzohet qoftë dhe me një buzëqeshje prej teje, një fjalë lëvduese, një fjalë të ëmbël, një përqafim plot dhembshuri.

Ofroji atij modelin e mirë. Fëmija mëson nga sjelljet e shëndosha që manifeston ti si nënë ndaj tij dhe të tjerëve. Kështu, nëse dëshiron të të ndihmojë në rregullimin e dhomës, jepi modelin tënd të mirë, duke e ndihmuar në rregullimin e dhomës së tij. Nëse bën një gabim dhe i hyn në hak, pranoje gabimin, pasi kështu i mëson se pranimi i gabimit është më mirë se fshehja e tij për shkak të frikës.

Përdor metodat nxitëse pozitive. Nëse dëshiron të veshë çorapet, shpjegoja si duhet ta bëjë (vishen kështu e ashtu), në vend që ta presësh derisa të përfundojë dhe ti veshë gabimisht, e mandej ti thuash “Nuk vishesh kështu!” Gjithmonë përdor shprehje motivuese si: Po, kështu është më mirë! Hajde tani vishe dhe pjesën e mbetur!” Nga ana tjetër, kujdes dhe njëqind herë kujdes nga kritika të tilla si:”Jo, jo. Mjaft tani se s’po nxjerr gjë në dritë!”

Nëse ke përcaktuar kufij dhe rregulla të pandryshueshme për sjelljet e përditshme, respektoji dhe mos lësho pe. Sigurohu që dhe yt shoq ti njohë këto kufij dhe ti respektojë, pasi, nëse ai ia lejon ato gjëra që ia ke ndaluar ti, fëmija do të çoroditet dhe hutohet duke mos e ditur kujt ti besojë.

Bota është e madhe dhe hutuese. Fëmijës i lipset kohë e gjatë që të kuptojë dhe ndërgjegjësohet lidhur me formimin dhe sjelljet pozitive që priten prej tij. Nëse ai nuk reagon, atëherë përpiqu të “bësh Pazar” me të, si: Nëse i thua se është koha e gjumit ndërkohë që ai është i zhytur kokë e krye me lodrat e tij të preferuara, toleroje pak duke i thënë: Ke pesë minuta kohë për ta mbyllur lojën.

Komuniko dhe trajtoje fëmijën me butësi dhe dashamirësi. Sigurohu se ai nuk është një makinë e cila lëviz sipas dëshirës tënde, pa gabuar aspak. Ai rritet, mëson, gabon dhe i korrigjon gabimet. Stimuloje dhe motivoje për sjellje pozitive, të cilat e bëjnë të dashur tek njerëzit dhe le të gëzojë mbështetjen tënde. Shpjegoja çdo gjë me detaje, që ti kuptojë gjërat dhe të mbajë përgjegjësi.

By: Dr. Mustafa Ebu Sad