Të Fundit
Pse i rrisim fëmijët tanë me varësi dhe egoizëm?

Pse i rrisim fëmijët tanë me varësi dhe egoizëm?

Shkruan: Sheikh Ali Tantavi

Pas rreptësisë dhe vështirësive në të cilat jemi rritur, sot kemi ardhur në një situatë ku kemi frikë për fëmijët tanë nga pasojat e rreptësisë dhe “mizorisë” prindërore, saqë kemi frikë për ta edhe nga kushtet natyrore si uria dhe përgjumja.

I kërkojmë të hanë më shumë seç duhet, i lëmë të bëjnë përtaci dhe të flenë, nuk i zgjojmë për namaz, nuk u mësojmë të bajnë përgjegjësi nga keqardhja ndaj tyre, ne i bëjmë të gjitha punët për ta, ne u hapim rrugën atyre që të jenë rahat dhe të shkujdesur, ia mohojmë vetes gjumin për t’i zgjuar ata për t’i mësuar mësimet shkollore.

Pra, çfarë lloj edukimi është ky? Çfarë kemi gabuar ne që ta mbajmë edhe përgjegjësinë tonë edhe të tyre?

A nuk jemi edhe ne njerëz sikurse ata, a nuk i kemi edhe ne mundësitë dhe energjitë e kufizuara?

Fëmijët i rrisim në varësi dhe mbi të gjitha me egoizëm, sepse nuk është e drejtë që nëna t’i kryejë punët e saj dhe t’ua bëjë detyrat e shtëpisë fëmijëve të saj ndërsa ata të rrinë dhe të shikojnë.

Secili prej nesh ka dhe duhet të mbajë një pjesë të përgjegjësisë. Përveç kësaj, Allahu fëmijët tanë i ka bërë krenaria jonë dhe i ka urdhëruar ata të na bëjnë bamirësi, kurse ne këtë çështje e kemi përmbysur. Ne, në fakt, jemi ata që po bëjmë bamirësi për fëmijët tanë dhe po kërkojmë mënyra për t’i kënaqur që ata të jenë të kënaqur me ne.

Dhe duke qenë se përkëdhelja jonë ndaj fëmijëve e ka kaluar kufirin, ajo është kthyer në të kundërtën e saj, ashtu që sot fëmijët nuk i vlerësojnë përpjekjet e prindërve dhe nuk i falënderojnë, por kërkojnë vazhdimisht më shumë. Ky lloj edukimi i bën fëmijët, veçanërisht djemtë, të humbasin ndjenjat për të tjerët. Ata madje humbasin ndjenjën për prindërit e tyre, kështu që nuk shohin asgjë të keqe që ata të pushojnë në kurriz të lodhjes dhe pagjumësisë së prindërve të tyre.

Pyes veten: Cili është problemi nëse i vogli yt e merr përgjegjësinë?

Cili është problemi nëse ai punon dhe arrin sukses, dhe gjatë kësaj edhe ndien lodhje dhe dhimbje?

Kjo botë është një shtëpi e orvatjeve, e përpjekjeve dhe e mundimit, dhe nuk mund të iket nga sprovimi, lodhja dhe telashet për t’u arritur suksesi, fitorja dhe shpëtimi.

Nëna e mençur e lë fëmijën e saj të durojë disa vështirësi, e ndihmon me drejtimin e saj të saktë dhe e mbështet me emocionet e saj, në mënyrë që dita-ditës fëmija të bëhet personalitet më i fortë dhe të jetë në gjendje të përballet me detyrat dhe përgjegjësitë e veta.

Përkthim: Miftar Ajdini