Të Fundit
Respekti i njeriut ndaj krijesave të tjera

Respekti i njeriut ndaj krijesave të tjera

Edhe kafshët janë një pjesë dhe amanet i kësaj jete sikurse njeriu, sepse ato kanë shpirt, ndiejnë dhembje dhe kanë nevojë për ujë dhe ushqim.
Po të shikojmë rrethin tonë, do të vërejmë se çdo gjë është krijuar me një llogari, sistem dhe masë. edhe nëse nuk e dimë shkakun, të gjitha krijesat që janë, me shpirt qofshin ato ose pa shpirt, që të gjitha kanë një qëllim dhe urtësi. Ta lëmë vetëm për një çast njeriun jashtë këtyre krijesave. E dimë se shumë krijesa dhe gjallesa jetojnë, si në tokë ashtu dhe në det. Një pjesë prej tyre, zvarriten, një pjesë tjetër ecin, një pjesë tjetër fluturojnë e një pjesë tjetër vazhdojnë jetën e tyre duke notuar në det. Secila prej tyre, të gjitha ato i sigurojnë rrethit dhe botës që jetojmë, lloje të ndryshme vlerash. Jemi dëshmitarë të llojllojshmërisë së tyre, ngjyrave të tyre, bukurive që kanë ato dhe të mënyrës së lëvizjeve të tyre. Në këtë mënyrë, bota e kafshëve dhe shpendëve është bërë një copë e jetës sonë të përditshme, prandaj jemi të obliguar që ta jetojmë dhe ta ndajmë botën me to. E edhe popujt e tjerë antikë, që kanë jetuar para nesh, kanë gdhendur, vizatuar dhe pikturuar fotografitë e tyre nëpër lisa, gurë, mure dhe nëpër shpella. Kjo tregon se ata u jepnin atyre një vlerë të madhe. E ka nga ato që një pjese të të cilave u kishin dhënë vlerë të tepruar dhe të gabuar përveç respektit, pra i kishin ngritur në shkallën e adhurimit të tyre. Në anën tjetër, këto krijesa përmenden shpesh në letërsi, poezi, legjenda, mesele dhe tekste të ndryshme. Pëllumbi, bilbili, thëllëza, kali, deveja, elefanti, drenusha etj., janë disa nga ato që përmenden. Pa asnjë dyshim, gjatë gjithë historisë ka pasur hapa e qëndrime të ndryshme ndaj botës së kafshëve. Natyrisht, edhe Feja İslame, këtë aspekt nuk e ka lënë anash, dhe, si në kuran ashtu edhe në hadithe, trajtohet kjo çështje. Të kujtojmë se një pjesë e sureve – kaptinave të Kuranit janë quajtuar me emra të disa kafshëve. Këto janë: El-Bekare (Lopa), En-Nahl (Bleta), En-Neml (Buburreci), Ankebut (Merimanga) dhe Fiil (Elefanti). Në hadithe dhe në literaturën e jurisprudencës islame është cekur në mënyrë të hollësishme se si duhet të sillemi me to, cilat dhe kur mund të vriten, nëse na dëmtojnë; janë cekur se cilave prej tyre mund t’u hahet mishi e cilave jo, cilat mund të priten kurban edhe si duhet të theren, norma e kafshëve të ngordhura, zekati për to etj.. Për shkak të përmendjes së shpeshtë të kafshëve në ajetet kuranore dhe në hadithet e Pejgamberit a. s., ne duhet të dimë dhe të kujtojmë se edhe ato janë krijuar nga Allahu xh. sh. dhe se në krijimin e tyre ka bukuri të mëdha. Një grup nga këto kafshë, njerëzve u ofrojnë ushqime, shërbejnë për bartje e hipje, kanë vlerë pasurie, dhe nga të gjitha ka ndonjë mundësi shfrytëzimi. E në anën tjetër, është cekur se të falënderosh për këto begati, është një detyrë dhe obligim ndaj Krijuesit. Sepse ka një rëndësi të veçantë që njerëzit të kenë një rezervë gjatë përdorimit të tyre, dhe të njohin të lejuarën dhe të ndaluarën për to. Përveç kësaj, një pjesë e tyre, pasi mund të shfrytëzohen për kurban dhe zekat, prandaj njerëzit, përmes atyre, arrijnë afrimin ndaj Allahut xh. sh..

Ruajtja e të drejtave të tyre

Për fat të keq dhe me keqardhje, duhet të themi se zhvillimi i teknologjisë dhe dalja e saj në plan të parë, zhvillimi dhe ndërtimi i vendeve e qyteteve me një shpejtësi të madhe dhe spërkatja me ilaçe të ndryshme e kopshteve, ka ngushtuar mundësitë dhe u ka marrë kafshëve të drejtën e të jetuarit. E, në anën tjetër, duhet të dimë se çdo krijesë ka të drejtën e saj për të jetuar. Njeriu nuk duhet të ngurrojë assesi për të shfaqur dashurinë ndaj tyre, ashtu sikurse bëjnë me njerëzit tjerë. Të mos harrojmë se edhe të gjitha kafshët kanë cilësi dhe atyre u takon dashuria sikurse edhe njerëzve. Ato nuk duhet të keqpërdoren. Nuk duhet të dëmtohen dhe t’u bëhet zullum nga ne. Atyre nuk duhet t’ua ngushtojmë të drejtat e tyre për të jetuar të lira në natyrë. Këto kafshë dhe krijesa që janë të nevojshme për përkrahjen dhe ushqimin nga njeriu, duhet të ruhen dhe të gëzojnë përkujdesje. Këto nuk duhet t’i lëmë kurrsesi të etura dhe pa ushqime. Dhe as që duhen bërë lojëra apo prova fizike a psikike ndaj tyre. Këto veprime hyjnë në shkeljen e të drejtave të kafshëve. Vërejmë se në Historinë İslame, janë krijuar vakëfe dhe vende mbrojtëse për përkujdesjen e kafshëve. Po ashtu, nuk është sjellje e mirë që të bëhet gjahu ndaj tyre vetëm e vetëm për dëshirë dhe relaksim, ndoshta pa pasur fare nevojë për mishin e tyre. Nuk duhet të shkaktojmë në trupin e tyre dhembje dhe plagë e as t’i ngarkojmë me barra të rënda. Për këtë arsye, omeri r. a. i kishte dënuar ata që i kishin ngarkuar barrë të rëndë devesë. Edhe Omer ibni Abdul Azizi kishte nxjerrë një ferman që të mos ngarkoheshin kafshët me barrë të rënda, të mos rriheshin me mjete të forta, sikur janë: me gurë, dru, hekur etj.. Në anën tjetër, as juristët islamë nuk kishin lejuar dhe kishin dënuar rrahjen e kafshëve, lënien e tyre pa ushqim dhe ngarkimin e tyre me barrë të rënda. Është një detyrë dhe obligim i masës që të ndikojnë në shumëzimin dhe jetën e kafshëve. Nuk lejohet që ato të hidhen jashtë, të përzihen për shkak të forcës dhe të moshës. Derisa të jetojë, për kafshën duhen siguruar kujdesi, shërimi dhe siguria e saj. Më 15 shtator 1978 në Paris është shpallur Deklarata Ndërkombëtare për Të Drejtat dhe Mbrojtjen e Kafshëve nga UNESCO. Në këtë deklaratë, në nenet 9 e 10, është cekur se duhet të merren masa dhe siguri për mbrojtjen e tyre. Neni 9: “Është e obligueshme që të njihet e drejta e statusit të kafshëve. Çështja për sigurinë dhe mbrojtjen e kafshëve duhet të bëhet nga kujdestarët shtetërorë”. Neni 10: “Janë të obliguar t’ua bëjnë të ditur vendësve që nga fëmijëria, që t’i kenë në konsideratë kafshët dhe të kenë respekt ndaj tyre”.

Mëshirë dhe butësi ndaj tyre

Në mesin e shumë begative dhe të mirave të panumëruara që i janë dhënë njeriut, kafshët në veçanti zënë një vend të veçantë. Çdo gjë që merret prej tyre, sjell nga një dobi të veçantë.
Prej një pjese të tyre kemi dobitë për bartje, hipje dhe vajtje diku. Një pjese tjetër të tyre u shfrytëzojmë leshin, i shfrytëzojmë për ushqim ose përdorim lëkurën e tyre. E sa për dhembjen që kemi ndaj këtyre kafshëve, kjo as që diskutohet, sepse ne si njerëz ndiejmë dashuri ndaj tyre po dhe përgjegjësitë tona ndaj tyre. Me të vërtetë, ne duhet të kemi një respekt dhe mëshirë ndaj këtyre kafshëve, për të cilat nuk kujdeset askush, qofshin ato shtëpiake apo malore. sepse urdhri i Allahut xh. sh. dhe dëshira e Tij është që të jemi të drejtë dhe të mëshirshëm ndaj të gjitha krijesave. Ngase atributi i Tij si er-Raimu – i Mëshirshëm; shfaq mëshirën dhe dashurinë e Tij ndaj të gjitha krijesave të kësaj bote. Në lidhje me këtë, janë shumë me vlerë për ne këto thënie të arta të Pejgamberit a. s.: “Allahu e mëshiron atë që mëshiron tjetrin. Mëshironi ju ata që janë në tokë, që të mëshiroheni nga ata të qiellit”. (Ebu Davud, Edeb, 58.) Nuk mund të thuhet se sjellja dhe mëshira ndaj kafshëve në këtë botë moderne është shumë e mirë. thënë ndryshe, mentaliteti i sotëm është vendor dhe individual. mund të thuhet lirisht se ato që ceken në hadithe dhe zbatoheshin në historinë e jetës së myslimanëve, janë shumë më të mira. Sepse Pejgamberi a. s. ka thënë: “Një besimtar mëkatar, që i ka dhënë ujë një qeni të etur, Allahu xh. sh. ia ka falur mëkatet”. ( Buhari, Shirb, 9.) Kurse në një rast tjetër kemi momentin që na ka treguar Pejgamberi a. s.: ” Një grua kishte mbyllur një mace diku dhe ajo kishte ngordhur nga uria dhe etja, dhe për këtë shkak ajo ishte konsideruar nga banorët e Xhehenemit”.( Muslim, Selam, 151, 152.) Kemi edhe rastin tjetër kur Pejgamberi a. s. kishte parë se dikush i kishte marrë zogjtë nga foleja e tyre dhe se e ëma e tyre po qante nga dhembja për zogjtë e saj, e Muhamedi a. s. kishte urdhëruar që t’i ktheheshin menjëherë ata zogj në vendin e tyre, dhe e kishte dënuar atë që i kishte marrë. (Ebu Davud, Xhihad, 112).

Ruajtja/Mbajtja dhe kultivimi i tyre

Shpeshherë është diskutuar çështja nëse ruajtja apo kultivimi i kafshëve të bëhet në shtëpi apo jo. Dihet se në kohën e Pejgamberit a.s. një pjesë nga ashabët ruanin disa lloje zogjsh, si laraskë, kanarinë ose ndonjë tjetër si këto. (Buhari Edeb, 81, 112.) Në një transmetim tjetër theksohet se një ashabi tjetër i qe propozuar që të ruante një pëllumb apo gjel, për shkak se ishte ankuar nga vetmia. Sipas dijetarëve islamë, nuk ka ndonjë të keqe ruajtja e këtyre kafshëve a shpendëve, si macja, disa zogj që ruhen në kafaz, por me kusht që të mos shpërfillet kujdesi ndaj tyre e ato të lihen të etura e të uritura. Mirëpo, nëse bëhet kjo, atëherë duhet të kihet kujdes që të mos shqetësohet rrethi dhe ta mbrojmë mjedisin nga ndotja e tij. Mund të ruhet/të mbahet edhe qeni, për qëllim gjuetie. Mirëpo, nëse nuk ka nevojë të tillë për qenin, atëherë qeni nuk duhet mbajtur në shtëpi. Për fat të keq, jeta në kohën tonë është tkurrur dhe lidhjet farefisnore kanë f illuar të dobësohen, prandaj dikush vetmohet në jetën e tij personale duke iu shmangur të afërmeve dhe miqve. Kjo dukuri negative vjen duke u rritur çdo ditë e më tepër, dhe kjo ndikon negativisht tek individët dhe bashkësia. Krahas kësaj, çdo ditë e më tepër është përhapur edhe ruajtja/mbajtja e qenve nëpër shtëpi, si një formë argëtimi me ta. Në shikim të parë, kjo duket si respekt dhe dashuri ndaj kafshëve, por kjo sjell shumë dëme për rendin familjar, sepse në shtëpi mund të përhapen sëmundje dhe të bëhen dëme të tjera. E në anën tjetër këto sjellje, njeriun a dashurinë dhe respektin e tij, e drejtojnë në vende të gabuara dhe aty ku nuk duhet. thënë shkurt, edhe kafshët janë një pjesë dhe amanet i kësaj jete sikurse njeriu, sepse ato kanë shpirt, ndiejnë dhembje dhe kanë nevojë për ujë dhe ushqim.
Ato nuk kanë gjuhë, nuk mund të flasin, nuk mund të shprehen për diçka dhe as mund të ankohen për diçka. Nëse i ofron diçka, kafsha e merr, nëse jo – mbetet duke pritur. E në anën tjetër, secila nga kafshët ka një detyrim për të kryer ndonjë nevojë dhe funksion për njeriun. Mundi i bletës për mjaltë, apo i të tjerave që u hahet mishi, u pihet qumështi, i atyre, nga leshi dhe lëkura e të cilave kemi dobi … peshqit që notojnë në ujë, zogjtë që cicërojnë në degë të lisit, në ara e livadhe, insektet që shëtisin nëpër vende të ndryshme… Të gjitha këto Allahu xh. sh. i ka krijuar me një shkas dhe një urtësi për të marrë (njeriu) mësim. Në lidhje më këtë, në Kuran thuhet: “Allahu nuk ngurron të marrë çfarëdo shembulli, qoftë mushkonjë a diçka edhe më e imët se ajo. Për sa u përket atyre që besuan, ata e dinë se ai (shembull) është i vërtetë nga Zoti i tyre, ndërsa ata që mohuan, do të thonë: (Shih: El-Bekare,26.)

Doc. Dr. Fikret Karaman
Përktheu: Mr. Zymer Ramadani

Dituria Islame 250