Të Fundit
Shenjtëria e jetës së njeriut

Shenjtëria e jetës së njeriut

“… Ne u shpallëm (ligj) beni israilëve se kush mbyt një njeri, pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall është si t’i kishte ngjallur të gjithë njerëzit.” (El-Maide, 32)

Jeta e njeriut është më e shenjtë se çdo gjë tjetër. Muhamedi a.s. thotë: “Shkatërrimi i kësaj bote është më i lehtë tek Allahu se sa mbytja e besimtarit në mënyrë të padrejtë”. (Nesaiu dhe Tirmidhiu).

Allahu xh.sh. thotë “Kush e mbyt një besimtar me qëllim, dënimi i tij është xhehenemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh.” (En-Nisa, 93)

Ebu Ed-Derda r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ka mundësi që Allahu të falë çdo mëkat, përveç njeriut që vdes si idhujtar, ose njeriut që mbyt një besimtar qëllimisht”. (Ebu Davudi dhe Ibn Hibbani).

Është e trishtueshme dhe e papranueshme se si disa njerëz, me biografi kriminale dhe të dhënë pas terrorizmit, e përdorin Islamin si njëkamuflazh. Islami është i pastër nga pretendime të tilla. Mësimet islame janë fisnike dhe të lartësuara dhe janë larg nga njerëzit që e përdorin dhunën si një kurs të veprimit dhe që e përdorin gjakderdhjen si një mënyrë për të ‘përmirësuar’ gjendjen dhe për të bërë ndryshime: “Kur u thuhet: ‘Mos bëni çrregullime në tokë!’- ata thonë: ‘Ne bëjmë vetëm përmirësime në tokë!’ Por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë shkaktarët e çrregullimeve, ndonëse nuk e ndiejnë.” (El Bekare: 11-12).

Veprimet anarkike dhe të dhunshme nuk i përkasin fesë së pastër, të drejtë dhe të mëshirshme islame. Këtë nuk e pranon etika e Islamit dhe as biografia e Muhamedit a.s. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Mos u ktheni në mosbesim pas meje, duke vrarë njëri-tjetrin”. (Buhariu, Muslimi, Ahmedi, Nesaiu dhe Ibn Maxhe).

Veprime të tilla janë në kundërshtim të plotë me mësimet pejgamberike dhe me shpjegimet e ulemave dhe kolosëve të këtij ummeti. Ato janë me pasoja të pariparueshme dhe me dëme të mëdha në shtrembërimin e imazhit të Islamit dhe të muslimanëve, janë pengesë e madhe në arritjen e të vërtetës tek të tjerët.

Të rinjtë muslimanë nuk duhet të bëhen viktimë e mashtrimeve të injorantëve dhe shpjegimeve përjashtuese e sipërfaqësore. Nuk duhet të lejojmë ta takojmë Allahun me duar të përgjakura. Muhammedi a.s. thotë: “Besimtari do të vazhdojë të jetë në gjerësinë e fesë së tij, derisa nuk ka derdhur gjakun (e tjetrit) në mënyrë të ndaluar” (Buhariu). Muslimanët duhet t’i përmbahen drejtësisë, mirësisë dhe humanizmit, sepse atyre nuk iu lejohet të veprojnë ndryshe veçse ashtu siç i urdhëron Islami. Muhammedi a.s. thotë: “Ai që ngre armët në fytyrat tona nuk është prej nesh”.

Muslimani në jetën e tij individuale apo shoqërore duhet të përpiqet që t’ui përmbahet kufijve të parimeve fisnike të fesë së tij: “O besimtarë! Pranojeni Islamin me të gjitha rregullat e tij dhe mos shkoni gjurmëve të shejtanit, se ai është armiku juaj i përbetuar.” (El Bekare: 208). Abdullah Ibn Mes’udi r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Sharja e muslimanit konsiderohet paturpësi, ndërsa mbytja e tij mosbesim”. (Buhariu, Muslimi etj.).

Le t’i përmbahemi postulateve morale e humane të fesë islame që na mësojnë se: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër.” (El Huxhurat: 10)

Në këtë kohë fitnesh, kaosi e përçarjesh, pa dyshim, pasojë e kësaj shthurjeje është e keqja në shpirtrat tanë si rezultat i pasimit të nepsit,mendjemadhësisë, arrogancës dhe egoizmit. Prandaj kthimi tek devotshmëria dhe edukimi islam janë më të nevojshëm se kurrë më parë.

Vrasja e civilëve

“Luftoni në rrugën e Allahut ndaj atyre që luftojnë kundër jush, por mos e kaloni kufirin, se Allahu nuk i do ata që e kalojnë kufirin.” (El Bekare: 190)

Islami ndalon që në luftë të vriten ata që nuk janë pjesëmarrës në të. Prandaj, Muhammedi a.s. dhe sahabët kur i nisnin ushtarët për ndonjë betejë i këshillonin me këto fjalë: “Mos i vrisni të moshuarit, fëmijët, gratë, mos shkatërroni shtëpitë, mos prisni pemët, mos i digjni të mbjellat dhe asgjë përgjatë rrugës, përveç asaj që është e domosdoshme dhe e kërkon lufta.”

Sulmet e njerëzve të pafajshëm nuk tregojnë guxim as trimëri; ato janë rreptësisht të ndaluara dhe për to njeriu, kushdo qoftë ai, do të dënohet në Ditën e Gjykimit. Nuk është trimëri vrasja e fëmijëve, e grave dhe civilëve. Guxim dhe trimëri është mbrojta e tyre. Këtë kërkon Islami nga ithtarët e tij.

Pra, në luftë luftohen vetëm ata që na luftojnë njashtu sikurse thotë Allahu xh.sh.: “Luftoni në rrugën e Allahut ndaj atyre që luftojnë kundër jush, por mos e kaloni kufirin, se Allahu nuk i do ata që e kalojnë kufirin.” (El Bekare: 190). Komentatori i njohur i Kur’anit, Ibn Xherir Et Taberiu transmeton se Ibn Abbasi r.a. fjalët e Allahut “por mos e kaloni kufirin” i ka komentuar duke thënë: ‘Mos i mbytni gratë, të moshuarit dhe fëmijët’.

Vrasjet e tilla janë të neveritshme, të urryera dhe të ndëshkueshme. Kushdo që i kryen ato, nuk ka të drejtë ta bëjë këtë në emër të fesë, e aq më pak në emër të Islamit. Vrasja e të pafajshmëve në mënyrë që të arrihen qëllime të caktuara kurrë nuk ka qenë e lejuar nga islami dhe është diçka e panjohur për muslimanët. Abdullah ibën Amër tregon se Muhammedi a. s. ka thënë: “Kush e mbyt një muahed (një jomusliman që bën marrëveshje dhe merr garanci prej shtetit Islam), nuk do ta ndiejë erën e xhenetit, ndonëse era e tij ndihet në largësi prej dyzet vjetësh.” (Buhariu).

Në një betejë, Muhammedi a.s. kishte parë një grua të mbytur dhe e kishte kundërshtuar ashpër një gjë të tillë duke thënë: “Kjo nuk ishte prej atyre që kanë luftuar” (Ebu Davudi dhe Ibn Maxhe). Më pas Pejgamberi a.s. e kishte ndalur mbytjen e grave dhe fëmijëve.

Ebu Bekri r.a. ka ndaluar vrasjen e murgjve, duke i urdhëruar ushtarët: “Do të gjeni njerëz që janë mbyllur nëpër manastire, lërini e mos i mbytni ata”.

Omeri r.a. kishte ndaluar vrasjen e bujqve. Prandaj nuk kishte ndodhur që nga ushtria muslimane, gjatë çlirimeve të tyre në tokat e Irakut, Egjiptit dhe Sirisë, të ishte vrarë ndonjë bujk në arën e tij.

Këtë e dëshmon historia. Është e vërtet se edhe historia e muslimanëve ka qenë e përgjakshme, sikurse edhe historitë e tjera luftarake, por ajo megjithatë nuk njeh krime dhe gjenocide, llogore përqendrimi, as shkelje flagrante të parimeve të humanizmit njerëzor në raport me armikun dhe kundërshtarin e tij në luftë.

Prandaj, muslimanët janë përshkruar si më të mëshirshmit gjatë luftërave. Historiografë të shumtë kanë shkruar: “Historia nuk njeh çlirimtarë më të drejtë e më të mëshirshëm se arabët/muslimanët”.

Ajni Sinani