Të Fundit
“Si populli, ashtu qeveria – si qeveria, populli”

“Si populli, ashtu qeveria – si qeveria, populli”

E kam dëgjuar me qindra herë: “Secili popull udhëhiqet nga qeveria, të cilën e meriton”. Por thënë sinqerisht, nuk jam përpjekur sa duhet që ta di se kush e kishte thënë këtë, për t’i thënë i lumtë, ose ju thaftë goja. I lumtë, sepse e ka qëlluar. Ju thaftë goja, sepse u rrita e po plakem me dëshirën që të mos jetë ashtu.

Edhe pse do të mjaftonin këto reshta, për ta kuptuar shkakun, arsyen dhe dëshirën e madhe, përse do të doja të mos ishte ashtu, do t’i jap të drejtë vetes që raportin e ndërsjellë popull-qeveri-popull ta trajtoj më gjatë, më gjerë e më thellë, sepse nga ato që i përjetuam me vjet, po del që thënia e mësipërme të jetë më se e vërtetë.

Meqë është kështu, vendosa mos ta ngushëlloj më veten- do të bëhet mirë, e mos të lutem më si zakonisht- insha-Allah bëhet mirë. Vendosa ta braktisi shpresën vetë-ngushëlluese dhe mos ta praktikoj lutjen e zakonshme, sepse nuk po e ndjej, e nuk po e shoh, që do të bëhet më mirë. Për fatin e keq të gjeneratave të tashme e të ardhshme, nuk duket në horizont kurrfarë ndryshimi. Kur ndryshimi vonon, koha dhe të mashtruarit, të pakënaqurit, të zhgënjyerit, të pashpresët, të harruarit, të varfëruarit e të uriturit mallkojnë. E kur këta mallkojnë, Zoti nuk përton, dënon! Që dënimi mos të jetë edhe më i rëndë, edhe më joshës për zullumqarët, jam lutur me përgjërim, kam kërkuar dhe do të kërkoj vazhdimisht me përkushtim që populli im të ndryshojë. Po, të ndryshojë, që edhe Zoti të na ndihmojë të ndryshojmë, sepse kështu më nuk bën. Nuk bën pra, sepse është e padurueshme që për shkak të qëndrimit, sjelljes dhe veprimeve të bashkëkombësve tu, të jesh vëzhgues, dëshmitar e përjetues i triumfit të së keqes mbi të mirën, të së shtrembëtës mbi të drejtën, të rrenës mbi të vërtetën, jovlerës mbi vlerën, të hipokrizisë mbi çiltërsinë, të të fortit mbi të pambrojturin, të keqit mbi të mirin, dembelit mbi punëtorin, koprracisë mbi bujarinë, vjedhjes mbi zellshmërinë, korrupsionit mbi ndershmërinë, ashpërsisë mbi urtësinë, mendjemadhësisë mbi modestinë, formalitetit mbi përkushtimin, kamuflimit mbi korrektësinë etj. etj. I zhgënjyer nga të gjitha këto, vendosa që lutjen time përgjërues dhe kërkesën time dashamirëse për ndryshim ta bëj në bazë të udhëzimit të të gjithëfuqishmit “Kërkomë e më bind, që të ta jap atë që dëshiron e meriton”.

I bindur thellë në këtë, kam vendosur, që në vend të qortimit e mallkimit, ta ftoj popullin tim për meditim, reflektim e kthjellim, sepse baza e përmirësimit të një gjendjeje është te vullneti dhe forca e kërkimit të ndryshimit, te forca e besimit dhe e bashkimit. Nuk e ka thënë kot i madhi Zot “Ndrysho veten, që ta ndryshosh gjendjen, e nëse ke nevojë për ndihmë, kërkomë!”.

Meqë vitet po kalojnë, e në ndërveprimin popull-qeveri-popull asgjë nuk ndryshon, vendosa t’ia shkruaj këtë letër të hapur popullit tim, i cili si në Maqedoninë Shqiptare, ashtu edhe në Kosovë e Shqipëri kërkon zgjedhje të parakohshme, që t’ia rikujtojë se ka qenë Graf Joseph Marie de Maistre (1753-1821) shkrimtari, filozofi dhe diplomati francez, i cili  në letrën e tij të shkruar më 15 gusht 1811, në kuptimin „Si populli, ashtu qeveria” patë thënë me të drejtë: „Secili popull udhëhiqet nga qeveria që e meriton“.

Meqë për fat të keq, për ndonjë popull për fat të mirë, kjo thënie vlen për të gjitha kohërat, vendosa t’i them popullit tim kujdes. Mos e nënçmo e mos e dëno veten, duke votuar dosido e gjithkënd! Mos lejo që për shkak të pakujdesit tënd të të udhëheqin qeveri pa dinjitet e kredibilitet.

Për sa i përket raportit popull dhe udhëheqës, votues dhe të votuar, profeti Muhamed a.s thotë në një hadith të mrekullueshëm, kështu: “Më i miri udhëheqës është ai, të cilin e doni e ju do, luteni për të dhe ai për ju, kurse udhëheqësi i keq është ai, të cilin nuk e doni dhe nuk ju do.”

Të nderuara bashkëkombëse e bashkëkombës të mi kudo që të jeni

Shkrimtari, filozofi dhe diplomati francez, Joseph Marie der Maistre e kishte formuluar thënien “Si populli, ashtu qeveria” me ironi, për shkak të dëshpërimit nga qeveria e kohës në të cilën jetoi, kurse unë pas 50 vjetëve vetëngushëllimi, pas 25 vjetësh mosshfrytëzimi të mundësive të popullit tim që t’i zgjedhë ato e ata, të cilët i do, ato e ata, të cilët e meritojnë, ato e ata nga të cilat e të cilët do të ishte mirë të përfaqësohej, pas 25 vjetësh zhgënjimi nga të gjitha qeveritë e deritashme, vendosa t’ia shkruaj këtë letër popullit tim, jo vetëm për t’ia rikujtuar thënien e Joseph Marie de Maistre-s, por edhe për ta ngacmuar atë me disa pyetje, kërkesa e propozime në mendësinë, në ndërgjegjen, në dinjitetin, në tabanin e në krenarinë kombëtare. Vendosa t’ia shkruaj këtë letër të hapur, për të kërkuar prej tij përgjigje e llogari. Si lejoi që deri tash të udhëhiqet nga njerëz të uritur e të sëmurë për pushtet? Njerëz, të cilët duke e keqpërdorur ideologjinë, duke e përdhosur e ngufatur demokracinë, e shfrytëzuan partinë në sistemin monist dhe partitë në pluralizëm për privilegje, pasurime personale dhe sfilitje e varfërim të masës së gjerë popullore.

Pyetje

  • Si lejove populli im që duke e keqpërdorur të drejtën dhe vlerën e votës, të bësh gjatë gjithë këtyre viteve zgjedhje e përzgjedhje të dëmshme për vete?
  • Si nuk u ndikove dhe nuk mësove populli im nga shëmbëlltyra e Gjergj Kastriot-Skënderbeut, Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Azem Galicës, Hasan Prishtinës, Fan S. Nolit, Faik Konicës, sesi duhet të ishin e të jenë prijësit?
  • Si lejove populli im që fatin tënd, për më shumë se 40 vjet, ta vësh në duart e Enver e Fadil Hoxhës?
  • Si nuk u ndikove e mësove nga shëmbëlltyra Adem Demaçit, Ibrahim Rugovës e Arbër Xhaferit?
  • Si lejove që fatin tënd ta lësh për 25 vjet në duart e Sali Berishës, Fatos Nanos, Ilir Metës, Edi Ramës, Hashim Thaqit, Ramush Haradinajt, Menduh Thaqit, Ali Ahmetit, Atifete Jahjagës, Isa Mustafës e ca të tjerëve anonimus e kurkush?
  • A vërtet ishe i detyruar që të vetëzgjedhurit, fillimisht si kryetarë partish e më vonë si kryeministra, apo anëtarë qeverish, t’i pranosh e t’i durosh deri në pafundësi?
  • A nuk pate vajza e djem, gra e burra, intelektuale e intelektualë më të mirë, më të denjë, më të ndërgjegjshëm e më të përgjegjshëm? Sigurisht që po. Mjafton të ti përmendi vetëm  emrat e tre kolosëve të letërsisë kombëtare e botërore, Ismail Kadaren, Rexhep Qosjen e Luan Starovën, me të cilët do të ishte krenuar çdo popull, i madh e i vogël, në qoftë se do ta kishte ndonjërin prej tyre në gjirin e tij. Atëherë thuaj, si lejove që në emrin tënd, para syve të tu, në trojet tua, të ndodhin tërë ato të bëma joparimore, joligjore, herë-herë edhe jokombëtare e jonjerëzore? Si, pse?
  • Si lejove populli im që për interesa të vockla popullore, por me përfitime të mëdha individuale, klanore e partiake të të përçajnë, duke të hequr herë djathtas e herë majtas, herë andej e herë këtej? Pse lejove populli im të të përçajnë?
  • Pse lejove të të instrumentalizojnë, politizojnë, manipulojnë e të të mashtrojnë, duke ta premtuar herë atë e herë këtë?
  • A nuk pate përvojë, a nuk ishe ti i mashtruari me vite, që barte me vjet pasojat e mashtrimeve?
  • A nuk t’u dogjën shuplakat, duke u duartrokitur prijësve të rrejshëm, gjatë kampanjave zgjedhore në çdo dy e katër vjet?
  •  A nuk t’u shterua zëri, duke brohoritur shesheve, për prijësit e rrejshëm?
  • A nuk pate dije, mundësi e aftësi të mjaftueshme që t’i kuptosh intrigat e tyre?
  • A nuk e kuptove populli im se të tillët kanë nevojë për ty, vetëm për të ta marrë votën që ta mbrojnë me imunitet pushtetar kokën?
  • E meqë vota jote qenka kaq e rëndësishme, përse nuk u mendove kur votove, përse nuk e mbrojte votën tënde, përse, përse?
  • Përse nuk hoqe dorë prej zgjedhjeve për ty të dëmshme, përse?
  • Pse veprove për gjithë këto vite kështu, e u dërmove duke kërkuar rrugëzgjidhje për të dalë nga kornizat që t’i përcaktuan të tjerët e i pranuan heshtazi “prijësit” tu, të vetëzgjedhurit, ama edhe të pëlqyerit e tu?
  • Përse u vure kaq gjatë në shërbim të zuzarëve e zullumqarëve dhe e durove gjithë këtë zullum?
  • Përse po bëhesh sikur nuk pate forcë që t’i kundërshtosh e të veprosh si duhet?

Kërkesa

Meqë nuk e bëre atë që duhej ta bëje, së paku gjatë këtyre 25 vjetëve, atëherë korrigjoje e ndryshoje veten tash. Mendo, pastaj vepro! Mos dil në votime, mos i voto të pamerituarit!  Mos e digj votën me dorën tënde! Mos e shit atë për 10 euro, apo për një mbushje të telefonit, duke bërë përsëri zgjedhje të dëmshme për veten tënde!

  • Lëri që të dashuruarit në pushtet ta votojnë shoqi-shoqin, shoqja-shoqen, soji-sojin! Lëri le ta votojnë e le ta përfaqësojnë vetveten që të shohim sa janë: një, dy, tre, katër apo më pak se katër përqind. Lëri që të dalin mirëfilli në sipërfaqe shkatërruesit e vlerave të pluralizmit, të së drejtës për të zgjedhur dhe të së drejtës për të qenë i zgjedhur! Lëri le të dalin në zgjedhje ata që dëshirojnë të jenë të përfaqësuar në parlament sipas skenarëve ndërkombëtarë dhe vendorë, në Maqedoninë Shqiptare nëpërmjet 20 përqindshit të Badinterit, në Kosovë sipas kornizës së Artisarit, në Shqipëri sipas ligjeve të më të fortit e më hajnit! Lëri që pasi të zgjidhen, të rrihen sa të duan me njëri-tjetrin, duke bërë sehir në arenën e hienave dhe çakallave, në arenat e ashtuquajtura kuvende e parlamente!
  • Lirohu populli im nga barra që mban për të bëmat e këtij një apo dy përqindëshi partiakësh, vazalë qeveritarësh!
  • Mos u bënë rob i tyre! Shijoje lirinë që ta ka falur perëndia! Mos u pajto me cungimet e të drejtave që t’i bën qeveria!
  • Hiq dorë prej kësaj pakice hibride, sepse në të kundërtën do të duhet të durosh edhe më tej, që bijtë tu të Maqedonisë Shqiptare të të bëhen për interesa pushtetare më shkije se shkijet, dhe të të besatohen që deri në vdekje nuk do të heqin dorë nga vëllazëria e rrejshme!
  • Hiq dorë prej kësaj pakice meskine, e cila për hir të vëllazërisë së rrejshme, për hir të forcës së qeverive dhe të besnikërive ndaj tyre, do t’i shtrembërojnë edhe më tej faktet, siç kanë bërë deri tash në rastet tragjike për vrasjet  në luftë e paqe, të Ahmet Krasniqit, Sali Çekut, Agim Ramadanit, Azem Hajdarit, Xhemal Mustafës, Tahir Zemajt e shumë të tjerëve, si dhe në rastet e vrasjeve dhe burgosjeve në Sopot, Brodec, Shkup, Smilkovc e Kumanovë!

Nëse ti nuk ndryshosh, do të duhet të jesh i gatshëm të përjetosh edhe vite të tjera shkatërruese e të përgjakshme si ai i 97-tës dhe si nëntori i 2015-ës i policisë së dhunshme i qeverisë së Isa Mustafës! Nëse ti nuk ndryshosh, do të duhet të durosh që kjo pakicë katile të ta nënçmojë flamurin, të ta përgjakë në paqe nëntorin dhe të ta shkruaj e të ta shtrembërojë historinë. Mos lejo populli im që si ne, edhe gjeneratat pas nesh të mësojnë histori të rrejshme, histori të seleksionuar, histori sipas tekeve e interesave të më të fortëve, të pushtetarëve e të qeveritarëve. Mos e tolero e mos e lejo populli im që të ndodhë kjo, sepse do t’i mbetesh borxh për tërë jetën të drejtës dhe të vërtetës.

  • Edhe pse “Shpresa vdes e fundit”, mos u shtir gjoja je duke shpresuar se do të bëhet mirë, ngase ti e di më mirë se kushdo tjetër që qeveritarët tu nuk kanë për të ndryshuar, pa ndryshuar ti vetë!
  • A nuk qenë boll 25 vjet për t’u ndryshuar të mashtruarit, respektivisht të vetëmashtruarit, në qoftë se do të kishin dashur të përmirësohen e të shërohen nga infektimi me sindromin pushtet!
  • Meqë për ta nuk është e nuk bëhet kur boll, thuaju zëshëm, fuqishëm e bindshëm që nuk të ka hije të qeverisesh nga pushtetarë me biografi kriminale!
  • Thuaj mjaftë ligjvënies së  tyre, që për qëllim ka vetëm mbrojtjen interesave të tyre personale!
  • Tregoju që ato e ata mund të sjellin ligje zgjedhore si t’ua ketë ënda, por ato tash e tutje nuk do t’ju sjellin leverdi fare, sepse vendosmëria jote do të jetë kësaj radhe më e madhe, sepse ligji yt do të jetë Besëlidhja Popullore!
  • Ktheju vlerës tënde të madhe dhe bëhu besnik, vigjilent, krenar e i drejtë!
  • Ndërtoje ardhmërinë tënde mbi të vërtetën dhe të drejtën, por mos u zë besë, as atyre që fjalën besë e përdorin vetëm për të ardhur në pushtet!
  • Besatohu se kësaj here në zgjedhjet e parakohshme, si përherë për ty të dëmshme e të kobshme, në të cilat për një votë është sharë, rrahur e vrarë vëllai me vëllain, motra me motrën, kolegu me kolegun, miku me mikun etj. nuk do të dalësh të votosh, jo për t’ia mohuar vetes të drejtën e votës, e për të vepruar kundër demokracisë, por për ta mbrojtur demokracinë, që në emër të saj mos të keqpërdoret, në çdo dy e në çdo katër vjet, e drejta e votës dhe e drejta e zgjedhjes!
  • Mos lejo që me votën tënde ta fitojnë statusin e deputetit dallkaukët! Mos ua lejo të tillëve që për teke partiake të hyjnë e të dalin nga kuvendet kur tu kujtohet, kur t’u pëlqejë apo kur mos tu pëlqejë!
  • Mos lejo që të tillët të t’i shndërrojnë kuvendet në cirke iluzionistësh e arena gladiatorësh!
  • Mos lejo që për shkaqe pazotësie të sillen të zgjedhurit e tu papërgjegjshëm në formimin e qeverive. Ta vonojnë me muaj formimin e qeverive për shkaqe mospërputhjesh të interesave partiake e klanore. Kur ditën e mundën të zgjedhurit e tu, ta lënë gjashtë muaj pa qeveri Kosovën-shtet i brishtë, pse mos të mundesh ti që t’i lësh ata me gisht në gojë, ose me gojët hapur duke e kërkuar votën tënde, të cilën ti nuk do t’ua japësh. Lëri njëherë pa votën tënde! Tregoju partiakëve, lakmuesve të pushtetit, kuvendarëve e qeveritarëve që ty je sovrani, vendimmarrësi më i fuqishëm se ata.

Konkludime

Thënë troç populli im, ti edhe nuk të ka mbetur gjë tjerët, përveç forcës së votës dhe mundësisë së ndryshimit, sepse forcën e rebelimit, forcën e bashkimit për rezistencë, kryengritje e për luftë, nga e cila ta kishin frikën ata që kurrë nuk ta kanë dashur dhe duan të mirën, ta dobësuan e ta devalvuan për alibi, gjoja për liri e barazi, vetëm për të ardhur në parlament e qeveri. E tash kur e kanë arritur qëllimin, po ta përplasin çdo ditë e çdo natë drejtpërdrejtë në fytyrë, ose e bëjnë atë tërthorazi përmes zëdhënëseve të tyre gazetave e emetueseve televizive, duke të treguar që janë bindshëm kundër kultivimit dhe mbrojtjes së vlerave shqiptare, kundër mbrojtjes së ambientit nga ndotjet dhe ndërtimet e egra, kundër bizneseve të pista, kundër rahatisë e sigurisë, mirëqenies sociale, edukimit dhe arsimimit bashkëkohor e cilësor, zhvillimit të ekonomisë dhe lëvizjes së lirë, bashkimit, forcimit e përparimit. E ti çka bën? Hesht, hesht e duron, siç je mësuar të durosh.

Propozime

Që mos të durosh e mos të pësosh edhe më keq, të propozoj populli im, që ta ndryshosh mendësinë, qëndrimin, strategjinë, sjelljen dhe veprimin! Të propozoj që:

  • të mendosh e të veprosh si tërësi, duke mos u vënë në dispozicion të interesave të krahinave, partive, klaneve, grupeve e individëve si trampolinë!
  • të mendosh lokalisht, por të veprosh globalisht për të mirën e tërësisë!
  • mendësinë tënde ta mbështesësh në forcën e besimit, në forcën e qëndrimit pozitiv ndaj ndryshimit dhe bashkimit!
  • ta matësh veprimin në përputhje me kohën dhe nevojën! Mos të veprosh në dëm të vetvetes dhe gjeneratave që vijnë, mos tua zezosh atyre ardhmërinë!
  • të caktosh kriteret që duhet t’i plotësojnë kandidatët për këshilltarë komunalë, deputet nacional e anëtarë qeverish. Përcakto pra kriteret për sa u përket biografive, vetive, karaktereve, kontributeve, senseve, afiniteteve e kompetencave politike, të cilat duhet t’i plotësojnë të interesuarit që ta marrin guximin për tu kandiduar e për ta kërkuar votën tënde.
  • t’u thuash jo dallkaukëve, gënjeshtarëve, zullumqarëve e tradhtarëve të bashkimit, zhvillimit e të përparimit tënd!

Populli im i dashur, të lutem përzemërsisht e shpirtërisht, të mos lejosh që:

  • ca bija e bijë tu, të çartur pas pasurisë, të të afrojnë e miqësojnë me nëntokën kriminale, me hajninë e mafinë!
  • disa nga djemtë tu, të instaluar në politikë nga shërbimet dashakeqe serbo-ruso-greke, të të afrojnë e miqësojnë shumë me orthodoksinë radikale-zullumqare!
  • djemtë e vajzat tua, të manipuluara nga ca forca e rryma regresive, të të afrojnë e miqësojnë me krishteninë fundamentalo-ekskluzive dhe Islamofilinë dekadente e ekstremiste!

Bëhu shembull i mirë, duke i kultivuar vlerat universale të harmonisë ndërfetare, mbarë e ndërkombëtare!

Mos i trajto për zotra njerëzit me pushtet,

mos dysho, beso në Zotin e vërtet!

Mos u bën për vete e të tjerët jo i drejtë,

mos u nënçmo, beso në vetveten me sinqeritet!

Mos e shiko botën me sy të keq,

mos e përbuzë jetën, jetoje me dinjitet!

Mos e lakmo lavdinë dhe mendjemadhësinë,

mos kamuflo, çmoje çiltërsinë!

Mos e mbro të keqen dhe mizorinë,

mos e prano krimin, mbroje drejtësinë!

Mos e prano rrenën për të vërtetë,

mos gënje, bëhu i sinqertë!

Mos e vlerëso vjedhjen për marifet,

mos vidh, puno me vullnet!

Mos i shtrembëro faktet për interes,

mos dëno keq, gjyko drejtë!

Mos e urre tjetrin për ndonjë sebep,

mos urre, dashuro me sinqeritet!

Mos vajto e mos ndjell mallkim,

puno me nder, syno përparim!

Sfido veten për të bërë ndryshim,

shtoja vetes krenarinë!

E di që gjithë këto mos, të mëdha e të vogla, në raport me qëllimet e komunikimit motivues, mund të kenë efekte negative, dhe të jenë pengesa për ndryshime, por i thash e i lash që populli im mos t’u bëjë me votën e vetë edhe më tej vend në parlament përfaqësuesve të gënjeshtrës, urrejtjes, kamuflimit, korrupsionit, krimit, jocivilizimit, jobashkimit, jozhvillimit e jopërparimit. I thash e i lash që populli im mos t’i injorojë, mos t’i banalizojë, mos t’i bëjë normative e të zakonta dukuritë e përhapura ndër vite, me pasoja të rënda për ne dhe gjeneratat pas nesh. I thash e i lash për ta sfiduar atë që me forcën, potencialin e vullnetin e vetë të ndryshojë duke bërë kthesa të arsyeshme në mendësinë, qëndrimet dhe veprimet e tij. Nga radhët e personaliteteve të denja, të përkushtuara e meritore ta krijojë Lëvizjen Gjithëkombëtare të Veprimit të Drejtë e të Arsyeshëm. Me votën e vetë ta krijojë Kuvendin dhe Qeverinë e Shqiptarisë dhe të thotë ky jam ynë, kështu jam unë, kjo është qeveria ime, që thënia “Si populli, qeveria” të ketë kuptim të mirë edhe për popullin tim.

Mirënjohës për të gjitha të mirat që zoti i krijoi për Shqiptarinë dhe optimist për kthesa pozitive në hapësirën tonë gjuhësore e kulturore uroj, dëshiroj e kërkoj nga populli im që mendësinë, qëndrimet, sjelljen e veprimet t’i ketë të orientuara e të koordinuara në përputhje me porosinë:

SHPRESO, edhe kur shpresa të duket iluzion.

Përgëzo, edhe kur gëzimi s’të lumturon.

Reflekto, edhe kur reflektimi nuk të ndriçon.

Eksploro, edhe kur hulumtimi nuk bën jehonë.

Sendërto, edhe kur ndërtimi nuk përfundon.

Oriento, kur paqartësia dezorienton!

 

SFIDO, edhe kur të duket që nuk fiton.

Favorizo, edhe kur favorizimet të kushtojnë.

Inkurajo, edhe kur kuraja të mungon.

Dëshiro, edhe kur dëshirat nuk t’i plotësojnë.

Organizo, kur jokoordinimi të dezorganizon!

 

PUNO, edhe sikur nga puna të mos përfitosh.

Uro, edhe sikur të mos ia vlejë të urosh.

Ndihmo, edhe sikur të mos ketë nevojë të ndihmosh.

Ofro, edhe sikur oferta mos të të josh.

 

VEPRO, edhe kur veprimi të jetë i ndaluar.

Entuziazmo, edhe kur entuziazmi të jetë i kufizuar.

Projekto, edhe kur projektet nuk janë realizuar.

Rindërto, edhe kur qëllimisht është shkatërruar.

Optimizo, kur vetëbesimi të jetë dobësuar!

 

GËZOHU, sikur askush nuk të ka zemëruar.

Ëmbëlto, sikur kurrë nuk të kanë hidhëtuar.

Zbukuro, sikur kurrë nuk të kanë shëmtuar.

Objektivizo, sikur kurrë nuk të kanë mashtruar.

 

BESO në vete, sikur edhe të tjerët janë duke besuar.

BASHKO bijtë e bijat tua që të jetojnë të bashkuar.

BEKO truallin, ujin, ajrin e gjithçka që Zoti për ty e ka krijuar.

JETO, sikur në parajsë je duke jetuar!

 

Mahir Mustafa*

*Docent në Universitetin e Mësuesisë në Kreuzlingen të Zvicrës dhe në Shkollën e Lartë për Profesione Social-Pedagogjike AGOGIS
Basel-Zürich-Winterthur-St.Gallen