Të Fundit
Sundimtarët janë shkaktarë të tiranisë, padrejtësisë dhe korrupsionit

Sundimtarët janë shkaktarë të tiranisë, padrejtësisë dhe korrupsionit

Halifi abasid Ebu Xhafer Mensuri kishte shkuar në Mekë për ta kryer haxhillëkun. Tavafin rreth Qabesë po e bënte natën derisa shumica e njerëzve ishin fjetur. Dhe derisa po sillej rreth Qabesë, e dëgjoi një haxhi, i cili duke bërë lutje, thoshte:

„O Allahu i dashur, po ankohem te Ti për shfaqjen e tiranisë, shtypjes dhe korrupsionit në vend, edhe për zullumin dhe lakminë të cilat janë bërë pengesë në mes të së vërtetës dhe njerëzve!”

Ebu Xhaferi me nxitim shkoi te ai njeriu dhe e pyeti:

“Çfarë janë këto fjalë dhe pse po i thua ato në lutje? Kjo që dëgjova më shqetësoi dhe më frikësoi mua.“

Njeriu u përgjigj:

“Fjalët e mia, pikërisht janë për ty! Sepse ti je shkaku kryesor i paraqitjes së korrupsionit dhe tiranisë, dhe ti je njeriu të cilin e ka mposhtë lakmia!“

Halifi Ebu Xhaferi, tha:

“Për çfarë lakmie po flet o njeri, kur e gjithë pasuria e shtetit është në duart e mia dhe unë e kam në dispozicion atë?”

Njeriu u përgjigj:

“E pra, a ka mposhtur lakmia ndonjë njeri sikur që të ka mposhtur ty, o udhëheqës i besimtarëve? Allahu ta ka besuar kujdesin për muslimanët dhe pronat e tyre, kurse ti i ke lënë pas dore ata dhe je përkushtuar në grumbullimin e pasurive dhe pronave. Ke vendosur barrierë mes teje dhe muslimanëve, i ke marrë për ndihmës dhe ministra mashtruesit, zullumqarët dhe mëkatarët. Nëse ti harron diçka, ata nuk ta kujtojnë, kurse, nëse e bën një vepër të mirë ata nuk të ndihmojnë.

Ti i forcon dhe i mbështet që t’u bëjnë zullum njerëzve dhe t’ua rrëmbejnë paratë. Ke urdhëruar që te ti nuk mund të hyjë vetëm një grup i caktuar i njerëzve, por nuk ke urdhëruar që të kujdesen për të shtypurit, për të varfrit dhe për të uriturit, ndërsa çdo person ka të drejtë në pasuri nga arka e shtetit.

Kur ndihmësit dhe bashkëpunëtorët tuaj kanë parë që ti po ua mohon njerëzve të drejtat e tyre dhe nuk po ju jep para, ata kanë thënë: ‘Kur ky po e mashtron Allahun, atëherë pse edhe ne mos ta mashtrojmë Atë?!’ Pastaj, ata janë dakorduar që, asnjë lajm në lidhje me gjendjen e rëndë të njerëzve mos të arrijë tek ti, ndërsa secilin nëpunës tuajin që nuk pajtohet me ata, ta largojnë prej teje.

Kur konspiracioni i tyre u përhap, njerëzit filluan të frikësohen, kështu që punëtorët dhe zyrtarët filluan t’u japin dhurata dhe të holla në mënyrë që të fuqizohen në padrejtësinë dhe zullumin e tyre, dhe të gjithë njerëzit e pasur dhe të fortë filluan të veprojnë si ata. Kështu toka e Allahut u mbush me lakmi, korrupsion dhe çrregullim. Zullumqarët e përmendur u bënë pjesëmarrës në pushtet me ty, ndërsa ti je i pakujdesshëm për këtë. Edhe nëse dikush donte të vinte te ti për të të njoftuar për zullum dhe padrejtësi, ministrat dhe bashkëpunëtorët tuaj nuk e lejonin.

Unë një herë kam udhëtuar për në Kinë dhe atje e kam parë një mbret e cili e kishte humbur dëgjimin e tij dhe po qante. Kolegët e tij e pyetën: “A po qanë për shkak se e ke humbur dëgjimin?’ Mbreti ishte përgjigjur:

“Unë nuk po qaj për shkak të fatkeqësisë që më ka ndodhur mua, por po qaj, sepse nuk do të mund ta dëgjoj më zërin e të varfrit dhe të shtypurit, i cili kërkon ndihmë, që ta ndihmoj atë. Por, nëse e kam humbur dëgjimin, nuk e kam humbur shikimin.“

Pastaj i kishte urdhëruar njerëzit e tij, që ta informojnë popullin, se askush nuk guxon të veshë rroba të kuqe, përveç njerëzve të shtypur, në mënyrë që t’i njeh dhe tu ndihmojë në ushtrimin e të drejtave të tyre. Pas kësaj, kishte dalë gjatë ditës hipur mbi një elefant, për t’i vizituar qytetet, mos po shihte dikë me rroba të kuqe, që t’i ndihmonte për kthimin e të drejtës së privuar.

O udhëheqësi i besimtarëve, ai mbreti ishte idhujtar, kurse ti je besimtar në Allahun e Plotfuqishëm, dhe një nga pasardhësit e xhaxhait të Pejgamberit (savs), andaj si ke mundur ta lejosh veten të biesh në një situatë të tillë?

Çka do të bësh nesër në Ditën e Gjykimit para Sundimtarit, i Cili ta ka dhuruar pushtetin në këtë botë, dhe i Cili e sheh tek ti atë që ti vetë nuk po e shohësh? Çka do të thua atëherë kur kjo botë do të të merret nga dora, dhe kur Allahu do të të thërrasë për të dhënë llogari? Para Allahut, a do të ndihmojë pushteti dhe pasuria që tash i posedon?“

Atëherë, halifi Ebu Xhafer qau me hidhërim dhe bërtiti:

“I mjeri unë, ah sikur Allahu fare të mos më kishte krijuar! Ah sikur të kisha mbetur pluhur!”

Njeriu i tha:

“Unë të rekomandoj që t’i dëgjosh këshilltarët e drejtë.”

“Po kush janë ata?” – pyeti Ebu Xhaferi.

Njeriu u përgjigj:

“Ata janë dijetarët që i frikësohen Allahut.”

Halifi tha:

“Por ata kanë ikur nga unë.”

Njeriu i tha:

“O udhëheqësi i besimtarëve, ata kanë ikur prej teje nga frika që mos të jenë pjesëmarrës në mëkatet tuaja.

Prandaj, hapi dyert dhe hiqi pengesat për ta. Merri në mbrojtje të shtypurit dhe të dëmtuarit, dhe paratë e shtetit ndaji me drejtësi. Atëherë unë të garantoj se do të kthehen ata të cilët kanë ikur nga ti dhe do të të ndihmojnë në përmirësimin e situatës në vend.”

Atëherë halifi Ebu Xhafer, tha:

“O Allahu i dashur, më udhëzo dhe më mundëso të veproj ashtu siç më këshilloi ky njeri!” Pastaj, u afrua dhe e puthi në ballë duke e bekuar.

Përshtati: Miftar Ajdini