Të Fundit
Toleranca ndërfetare tek shqiptarët

Toleranca ndërfetare tek shqiptarët

Mr. Azmir Jusufi

Shqiptarët dhe toleranca ndërfetare

Shkencëtarët, studiuesit e sociologjisë politike dhe të asaj fetare, qofshin të huaj apo vendës, kanë përdorur terma që përmbajnë ndryshime në formën e nuancave për tolerancën. Historianët e fesë dhe teologët flasin për “ekumenizëm ndërfetar”. Njohësit e mesjetës dhe etnologët përdorin termin “konvergjencë ndërfetare”. Sociologët dhe historianët shekullarë priren nga termat “tolerancë”, “bashkëjetesë” apo “harmoni fetare”.

Larmia, ndryshueshmëria si dhe llojllojshmëria e njerëzve është një akt i qëllimshëm i Zotit për njohjen dhe afrimin e tyre mes vete, e jo për të treguar ose shprehur urrejtje ndaj njëri-tjetrit në baza racore fisnore apo edhe religjioze. Këtë e theksoi edhe Kurani që në fillim të shpalljes së tij:  “O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe prej një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete. Ndërsa më i ndershmi ndër ju është ai i cili më së shumti ka frikën e Zotit. Zoti është i gjithëdijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.“ (El-Huxhurat:13) [1]

Te shqiptarët në përgjithësi, e te ata të Kosovës në veçanti, toleranca fetare gjithmonë ka qenë për çdo lakmi. Bile, është shembull më i mirë në Evropë. Këtë tolerancë fetare, armiku serbo-okupator, është munduar në vazhdimësi ta prishë, përmes formave të ndryshme të veprimit të tij. Kështu, serbët kanë prishur shpesh herë varrezat katolike dhe ortodokse, dëmtuar ndonjë kishë, për t’i akuzuar më vonë shqiptarët e besimit mysliman si “autor” të këtyre akteve vandale.[2]

Populli shqiptarë me tri besime: islam, ortodoks e katolik, ka qenë simbol i harmonisë fetare në historinë e popujve të Ballkanit. Vetë ekzistenca e objekteve të kultit, xhamive kishave e manastireve, simbolizon të kaluarën e vendit tonë.[3]

Shumica dërrmuese e popullatës së Kosovës i përkasin besimit islam, por Kosova është shtet me popullatë të përzier, e cila u përket etnive dhe besimeve tjera përveç asaj të besimit islam. Kjo na bënë që ne të kemi tolerancë fetare, politike gjithashtu, edhe tolerancë kulturore. Pra, edhe pas luftës Kosova ruan tolerancën në popull, i cili nganjëherë hutohet nga propagandat që bëhen. I gjendur në gërshetimin e Lindjes dhe Perëndimit, Kosova është shembull i ruajtjes së balancit të këtyre dy poleve, e që rrjedh nga toleranca fetare.[4]

Tri fe, një komb

Shqiptarët, pavarësisht fesë, gjithmonë i kanë shërbyer kombit. Edhe pse, hoxhallarë apo priftërinj, kjo nuk i bënte ata që të mos mendonin dhe t’i shërbenin kombit.

Ilo Mitko Qafzezi i cili kishte bërë përpjekjen e parë të përkthimit komplet të Kuranit në gjuhën shqipe në shekullin e XVIII-të, që në fillim të fashikullës së tij të parë thotë: “E mora këtë hap për të përkthyer Kuranin në gjuhën shqipe, për të parë se cila është ajo cipë e hollë e cila i ndanë shqiptarët katolikë dhe ata muhamedan”.[5]

Ndërsa Mulla Idris Gjilani nënvizonte: “Kemi tri fe por kemi vetëm një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë një diell e Një Zot. Detyrë mbi detyrat kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut”[6]

Ndërsa, kryemyftiu i Shqipërisë, Vehbi Dibra, në Kongresin Mysliman Shqiptar të mbajtur më 1923, duke u treguar delegatëve për gjendjen fetare dhe duke u treguar se vëllazërimin e bashkimin kombëtar, kishte thënë: “Mysliman, Katolik dhe Ortodoks,  në pikëpamje të Kombësisë kemi një lidhje të plotë e të patundshme, e nuk mund të thuhet e të kuptohet asnjë send që e tund atë vëllazëri të plotë”.[7]

Kurse, Sami Frashëri kishte deklaruar: “Mos vështroni besë e fe, myslimanë dhe katolikë, ortodoksë, gjithë shqiptarë sa janë dhe tek janë, janë vëllezër.”

Tomas W. Arnlod nënvizonte: “Myslimanët shqiptar, sikur edhe të krishterët flasin me një gjuhë, kanë traditat dhe moralin e njëjtë, nuk kanë far urrejtje, sepse me gjenerata nuk kanë pasur armiqësi. Faktori fetar nuk ka qenë shkak për përçarje “.

Në vitin vitit 1914, në kohën e Austro-Hungarisë, në Gjakovë, duhej të ndërtohej një kishë për nevojat e shqiptarëve të besimit katolik, tribuni i madh popullor, Bajram Curri, i thotë Konsullit austriak: “Ne shqiptarët e komunitetit mysliman në Gjakovë, i kemi 18 xhami, zgjidhe njërën prej tyre ta bëjmë kishë”.

Një rast tjetër i ngjashëm: disa katolikë deshën të djegin xhaminë e Lezhës. Këtë e merr vesh At Gjergj Fishta dhe me t’u errësuar, shkon tek xhamia. Kur ata shkuan për ta djegur, Fishta u flet në emër, dhe ata të çuditur i thonë: “Si mor At ti edhe prift edhe hoxhë?” Fishta ju përgjigjet thjeshtë: “Jo, unë jam prift, por meqë Hoxha kishte ca punë në Shkodër, më tha mua me e ruajt se edhe kjo është shtëpia e Zotit për shqiptarët…!”[8]

Shembujt e tolerancës ndërfetare tek shqiptarët

Për tolerancë fetare mes shqiptarëve të Kosovës dëshmon edhe antroponimia. Deri vonë katolikët e Kosovës kanë pasur dy emra vetjakë, një emër të krishterë, të cilin ia jepnin foshnjës me rastin e pagëzimit, dhe një emër  mysliman, të cilin ia jepte familja, me të cilin personi përkatës quhej gjatë gjithë jetës.

Shembulli tjetër tipik i tolerancës fetare tek shqiptarët e Kosovës, është edhe rasti i familjeve të përziera për nga besimi, ku disa pjesëtarë të familjes i përkisnin fesë katolike i disa islame. Respekti reciprokë dhe toleranca fetare në këto familje ka qenë aq e madhe sa që gjatë muajit të Ramazanit gratë katolike rrinin zgjuar natën për të përgatitur syfyrin për pjesëtarë myslimanë të familjes, kurse për festat fetare të dy palët reciprokisht pritnin mysafirë dhe kryenin punë të nevojshme.

Shembulli tjetër i tolerancës fetare janë edhe familjet kriptokrishtere, pra krishterë të fshehtë, të cilët brenda në shtëpi kanë qenë katolikë, por përjashta, botërisht manifestoheshin si myslimanë, për shkak të tolerancës jo të duhur së pushtetit ndaj katolikëve. Këtu ka gjetur shprehjen edhe toleranca fetare e fqinjëve myslimanë, të cilët kishin mirëkuptim ndaj vëllezërve të tyre nga gjaku.[9]

Si përfundim!

Nëse, deri më tash,  para botës shqiptarët janë krenuar për një harmoni dhe tolerancë ndërfetare të shkëlqyeshme që kanë trashëguar nga të parët  tanë, e cila ka qenë për çdo lëvdatë dhe respekt, si do t’ia  dal brezi i ri, ta ruajë një status quo të tillë. Nëse  për një tolerancë dhe harmoni fetare dikush ka meritë, ajo meritë i takon si shumicës edhe pakicës, të cilët ditën të bashkëjetojnë pa pretendime për të  mbizotëruar ndaj njëri-tjetrin. Kështu vepruan të parët, dhe patën sukses. Për këtë krenohemi me ta,  por se çfarë do të jetë e ardhmja  jonë – kjo mbetet ta  vërtetojë koha në të ardhmen!

 

_______________

[1] http://www.telegrafi.com/lajme/toleranca-fetare-dhe-shqiptaret-26-1654.html, shkarkuar më: 10.01.2016.

[2]http://www.trepca.net/2004/01/040108-tp_toleranca_fetare_kosove_shmbull_mire_ne-evrope_dhe_bote.htm, shkarkuar më: 10.01.2016.

[3]http://zaninalte.al/2014/04/nje-veshtrim-sociologjik-mbi-bashkejetesen-dhe-mirekuptimin-nderfetar-te-shqiptaret/, shkarkuar më: 10.01.2016.

[4] http://breziiri.com/brezi/?p=47010, shkarkuar më: 10.01.2016.

[5] http://breziiri.com/brezi/?p=24043, shkarkuar më: 10.01.2016.

[6] http://www.telegrafi.com/lajme/toleranca-fetare-dhe-shqiptaret-26-1654.html, shkarkuar më: 10.01.2016.

[7] Muhamed Pirraku, “Mulla Idris Gjilani dhe mbrojtja kombëtare e Kosovës lindore 1941-1951”, Dituria Islame, Prishtinë 1995, f. 13.

[8]http://zaninalte.al/2016/01/shqiperia-nje-shembull-i-bashkejeteses-nderfetare-ne-evrope/, shkarkuar më: 10.01.2016.

[9] Akademik Mark Krasniqi,  Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët (Simpoziumi ndërkombëtar), Prishtinë, 1995, fq. 208-209.

 

(Islampress)