Të Fundit
Tre vëllezërit

Tre vëllezërit

Jetonte një njeri bashkë me tre vëllezërit e tij. Një ditë i vjen lajmi i papritur se duhej të shkonte në një udhëtim të vështirë. Njeriu u brengos pa masë, prandaj iu drejtua njërit vëlla që ta ndihmonte në këtë udhëtim, por vëllai refuzoi duke u arsyetuar se kishte jetën dhe detyrimet e tij.

Pastaj njeriu iu drejtua vëllait tjetër, por edhe nga ai mori të njëjtën përgjigje, si nga vëllai i parë.

I zhgënjyer nga refuzimi i dy vëllezërve të parë, njeriut nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’i drejtohet edhe vëllait të tretë, por për qudi vëllai i tretë i tha: “Unë kam qenë gjithmonë me ty dhe kurrë nuk të kam braktisur, andaj nuk do të braktis edhe në këtë udhëtim të vështirë”.

Atëherë njeriu tha: – Nga të gjithë vëllezërit, më së paku kam menduar për ty dhe më së paku jam kujdesur për ty, e sot këta dy vëllezër më braktisën, ndërsa ti jo.
… Eh, sikur ta kisha ditur që ti je miku im më i mirë, do të isha kujdesur më shumë për ty.

Në fakt, këtij njeriu i kishte ardhë vdekja, ky ishte ai udhëtimi i vështirë dhe i papritur që duhej të bënte.

Vëllai i tij i parë është familja e tij, vëllai i dytë është pronë e tij, ndërsa vëllai i fundit janë veprat e tij.

I Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Të vdekurin e përcjellin tri gjëra: Dy kthehen, njëra vazhdon të qëndrojë me të. E përcjellin familja, pasuria dhe vepra e tij. Kthehet pasuria dhe familja e tij, kurse me të vazhdon të qëndrojë vepra e tij”.