Të Fundit
ULLISHTA E ULQINIT – DHURATË HYJNORE

ULLISHTA E ULQINIT – DHURATË HYJNORE

Një ndër pasuritë më të çmuara që ka Ulqini është ulliri. E dimë se veprimtaria kryesore ulqinake ka qenë detaria kurse pjesa e dytë e jetës së detarëve pra, ajo e pensionimit ka të bëjë me punimin e tokës,ullishtarinë. Ja një thënie ulqinake: Nëse nuk di çtë bësh me para, bli ullishtë. Pra, ullishta është vlerë që nuk humbet kurrë andaj kujtojmë edhe një thënie tjetër për ullirin: Ullishta është sikurse nëna. Sa herë që ti kthehesh e kujdesesh për te ajo të shpërblen. 

Kush i mbolli ullinjtë e parë në Ulqin?

Ulliri përmendet në të dy librat e shenjtë: në Bibël dhe në Kur’an.Në kohën e përmbytjes në Arkën e Hazreti Nuhit (Noas) degën e ullirit e ka sjellë në sqep pëllumbi. Sipas mitologjisë greke përmendet përmes konflikti të Posejdonit dhe Atinës se kush do t’i sillte Atikasve gjënë më të dobishme. Posejdoni krijon një burim uji kurse Athina mbolli ullirin e parë në Akropol dhe kjoe bëri fituese sepse banorët konsideruan më të dobishëm ullirin. Gjithashtu Hipokrati, babai i mjeksisë, rekomandonvajin e ullirit si ilaç për 60 sëmundje të ndryshme.

Ullinjtë më të vjetër në botë janë:  1) Ullinjtë motra të Noas, Liban, 4000-6000. 2) “Vouves Olive Tree” Greqi, Kretë, 3000-5000 vjet. 3) AL-Badawi ulliri në një fshat në jug të Jerusalemit, 4000 vjet. Pastaj vjen ai i Tivarit mbi 2240 vjet si dhe kohëve të fundit sipas një studimi të bërë në viti 2015 nga ana e Universitetit të pylltarisë nga Stambolli ku marrin pesëdhjetë kampione nga trungjet e vjetra të ullinjve (25 në Ulqin dhe 25 në Tivar) vijnë në përfundim se në Ulqin identifikojmë dy ullinjë shumë të vjetër njëri që shkon 1457-2326vjet e që ndodhet në Valdanos si dhe një tjetër në Krruç që mosha i shkon 1593-2035 vjet. Pra, ullishta e Ulqinit qenka shumë e vjetër.

Duke u nisur nga fakti se ullishta e Ulqinit (80.000 rrënjë) dhe e Tivarit (120.000 rrënjë) janë pothuaj të njejta edhe për nga lloji i ullinjve por edhe për nga mosha por edhe duke i takuar një zone tënjëjtë lehtë vijmë në përfundim se këta ullinjë nuk i ka mbjell askush tjetër përpos banorëve lokal e ata janë ilirët e Ulqinit dhe Tivarit. Pra, ulliri i Tivarit 2240 vjet dhe i Valdanosit në Ulqin 1892 vjet,përfundimi është shumë i thjeshtë: kultivues të këtyre ullinjve janë ILIRËT vendas. Ullishta e Ulqinit shtrihet mes Malit të Bardhë, Mavrianit dhe detit e në drejtim të Valdanosit dhe Kroit të Zanave. Ilirët ulqinakë këta ullinjë me siguri i kanë sjellë nga lundrimet e tyre të shumta nëpër brigjet e Mesdheut dhe ato i kanë mbjellur së pari në Gjirin e Valdanosit, i cili ishte edhe porti natyror i Ulqinit, e pastaj edhe në Krruç ku edhe hasim dy ullinjtë më të vjetër në Ulqin. Këta ullinj janë mbjellur sipas rregullave dhe kanë formuar bylyqe (grumbuj ullinjësh) e që paraqesin një numër të rrënjëve që i kanë takuar një pronari dhe sa më shumë bylyqe të kishte një pronar aqë më konak (pasanik) ishte. Sipas madhësisë ullinjtë karakteristikë të Ulqinit janë Kazani, përbëhet prej 3 e mëshumë trungje, Fishkulli, këta rriten shumë por nuk kanë shumë frytedhe Shatorra janë ullinjë shumë të bukur dhe rriten deri 5m lartësi. Kurse sipas varieteve më i përhapuri është Ulliri i verdhë (Olea Eurepaea)italianvlonjatfrankëullastra dhe të egjër. Kazanat si ullinjtë më të vjetër në Ulqin siç e thamë i mbollën ilirët por duhet theksuar se edhe çdo pushtues tjetër i këtyre trevave si romakët, venedikasit por edhe osmanët sollën llojet e ndryshme të ullinjëve të cilët u treguan shumë të suksesshme pasi që klima ështëshumë e përshtatshme. Sipas traditës gojore ulqinake qarkullon një rregull që çdo djalë i ri para se të martohej ishte i obliguar të mbillte një bylyk me ullinjë dhe mbjellja kryesisht bëhej gjatë vjeshtës ose në fillim të pranverës duke pasë kujdes që hëna të ishte e plotë, jo e re.

Sipas studimit të dr.Bahri Briskut nga viti 1972 ai na tregon se pas vitit 1945 një rrënjë ulliri ka pasë vlerën prej 1 napoloni arë kurse kazani 2. Më 1972 një rrënjë ulliri vlente 600-800 dinarë ndërsa sot ullishta ka filluar të shitet me m2. Sipas Entit Statistikor të Malit të Zi në vitin 1965 Ulqini kishte 94.835 rrënjë, kurse në vitin 2004, 86.000 rrënjë

Dikur ullishta mblidhej me mbledhtarë të cilët kryesisht ishin vajza të reja para martese por edhe femra të shtresavemë të varfëra. Ato gjatë ditës mundnin të mbledhinderi në 100kg ullinj dhe këtë kryesisht e bënin duke mbushur kaçile(shporta) që zënin 2-5kg ullinj.Në kushte normale një trug ulli mund të prodhojë 200kg ullinj kurse kazani 400. Mbledhja e ullinjëve kalonte mes shakave, hokave dhe këngëve të mbledhtareve.

Hajde, hajde, more, Hashim aga

Na bjer tirit ere ceraga,

Si dygeç rri përditë,

Ferrat në sofa pa shkallit…

Mënyra më e vjetër e përfitimit të vajit të ullirit është ajo me thes ku pasi që mbushet vendoset mbi magje dhe shkilet me këmbë. Vaji i përfituar në këtë mënyrë është vaj shumë i shijshëm sepse nuk ka mundësi që ullinjtë të shtrydhen shumë dhe eventualisht të shtohet aciditeti nga shtrydhja. Deri më 1914 në Ulqin kanë funksionuar shumë mullinjë primitiv për bluarjen e ullinjëve dhe kryesisht kanë qenë në Mëhallë të Re,mirëpo kronistët na sjellin të dhëna se edhe në kalanë e Ulqinit janë evidentuar rrënojat e tre mullinjëve. Këta mullinjë fillimisht ndërtoheshin nëpër ahrinje të shtëpive ose nëpër hajate dhe vetëm më vonë ndërtohen si objekte të veçanta.

Mullirin e parë me tre gurë e montoi detari ulqinak Fazli Lazoja i cili në vitin 1906 nga Italia në Ulqin solli tri presa të vogla dhe dy të mëdha. Gurët e këtij mulliri vëhen në lëvizje me anën e kuajve. Pas vitit 1920 ulqinakët sollën nga Dalmacia dhe Italia mullinjë modern të kohës kështu që deri në fillim të vitit 1945 në Ulqin evidentojen 15 mullinj të tillë.Por, ai që mund të quhet mulliri i parë modern u ndërtua në vitin 1942 nga ana e pasanikut të kohës Anton Pogu. Ai ndërtoi fabrikëne parë moderne me tre gurë dhe tri presa të cilat vëhen në punë me ndihmëne motorëve.Mulliri për bluarjen e ullinjve përbëhet nga: mulliri, mandravida dhe manavela. Pjesa kryesore është mashtra dhe paraqet pjesën ku vendosen ullinjtë nëpër të cilën kalojnë gurët për bluarjen. Një mashtër mbushet me 200kg ullinj dhe kjo quhet njëgurëkurse blurja zgjatë një orë. Gjatë bluarjes del edhe vaji më i mirë i quajtur Vaj magje i cili është një eliksir i vërtetë. Në mashtër ullinjtë hidhen me bagazhe (enë druri 20kg) kurse nga mashtra për në shporta, brumi i fituar qitet me babune (enë druri 10kg). Pastaj përmes presave brumi i ullirit futet në shporta të cilat vendosen në shporta dhe me anë të presave shtrydhen ende. Pjesa e mbetur nga shtrydhja quhet bërsi dhe para vitit 1945 këtë bërsi vinin dhe e blinin tregtarë nga Italia të cilët i futnin në presat e tyre më të forta dhe fitonin ende vaj por që ishte i cilësisë më të dobët.

Vaji i fituar ruhej nëpër qypa dheu apo rezervoare guri ku vaji rrinte për një kohë të gjatë i freskët dhe ruante kualitetet e veta. Nga vaji më i keq bëhet punimi i sapunit me të cilin ulqinakët edhe sot e gjithë ditën shërbehen. Për përgatitjen e sapunit po sjellim recetën: në kazanpër zierjen qiten, 5kg vaj ullirit ose baltë, 1kg sodë kaustike dhe 10 litra ujë.

Në të kaluarën rrugët që kalonin nëpër ullishtë kanë qenë të gjitha të kalldramuara dhe në distanca respektive ekzistoni kroje të ndryshme të cilat ulqinakët e pasur i kishin ndërtuar si e mirë publike vakyfe. Kështu edhe sot i gjejmë këto kroje në ullishtën e Ulqinit: Kroi i Doçes, i Thatë, i Mustafajt, i Begut, i Vakfit, i Bashbylykut, i Çinarit, i Buçilit, i Detarëve, i  Zanave. Disa toponime nga ullishta: Ullishta e Ali Shahit, Bishti i Malit, Qafa, Lugu i Xhemiles, Faqja e Shullanit etj.Mullisit e parë deri 1945: Nuti i Adem Manit, Hysnia i Myrtezajt, Caf Mavriqi, Meti i Muharremit, Alo Kasmi, Duli i Haxhimollës, Latif Haxhibrahimi, Halil Milla, Janus Milla, Dalip Myrtoja, Nuro Kollari etj. Kurse sot kemi disa sosh ultramoderne të cilat prodhojnë vajin më kualitativ Extra Virgin Oil. Këto mullinje i kanë: Skënder Katana, Ruzhdi Kollari, Adnan Kollari, Omer Dragovoja, Fatmir Sadiku, Skender Kollari etj. Dikur për ruajtjen e ullishtës ka qenë i caktuar një njeri i quajtur Karrxhi dhe detyra e tij ka qenë që të njoftojë pronarët e ullishtave nëse dikush ka hyrë në ullishtën e tij dhe i ka shkaktuar ndonjë dëm. Pronarët e ullishtave njoftonin karrxhinë nëse e kanë dhënë me qera ose kanë angazhuar krastitësin dhe në fund të sezonit të ullishtës ka qenë e përcaktuar sasia e vajit që duhej ndarë për karrxhinë. Kësisoji ullishta është ditë pëllëmbë më pëllëmbë e kujt është dhe nuk ka pasë nevojë për tu rrethuar dhe shumë rrallë ka ndodhur që të vjedhë dikush ullinjë.

Nga kjo që thamë më lartë shohim se ulishta për ulqinakët ka qenë shumë e rëndësishme dhe ka përfaqësuar një varg të gjërë veprimtarishë që nga mbjellja, kujdesi e deri te vjelja e prodhimit. Me ullishtë është jetuar mirë deri më shfaqen e turizmit si veprimtari më e lehtë dhe më fitimprurëse. Sot ulqinakët ende kujdesen për ullishtën por jo në mënyrën siç e meriton ajo. Konkludojmë se ullishta e Ulqinit është shumë e vjetër dhe se mosha e vjetërsisë sillet prej 2200 deri në disa vite sepse për çdo ditë mbillen rrënjë të reja por ndodhë që edhe të shkatërrohen nga ndërtimi i egër që ka filluar. Ilirët ishin ata që i mbollën edhe ne pasardhës që mbledhim frytet e stërgjyshërve tanë. Apeloj që në mënyrë urgjente Komuna e Ulqinit të ndërmerr hapa sa më parë në drejtim të mbrojtjes së dy ullinjëve më të vjetër të identifikuar.

Shkruan: Gazmend Citaku